HIV/SIDA: Komercializmi vs shëndeti

Ilustrim

Gjatë dekadës së kaluar, betejat e fituara me mund për ta zgjeruar qasjen në barërat për trajtimin e HIV/SIDA-s kanë çuar në rënien e çmimeve në të gjithë botën.

Këto janë lajme të mira!

Lajmi i keq është se, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është në rritje numri i njerëzve, të cilëve u nevojitet një trajtim shtesë pas atij fillestar për ta luftuar virusin HIV.

Nga 34 milionë njerëzit që janë të infektuar në të gjithë botën, diku një gjysmë milionit i duhet tashmë trajtimi dytësor.

Përderisa po rritet jetëgjatësia e njerëzve të infektuar me HIV, virusi po vazhdon të pësojë mutacione, po vazhdon prodhimi i barërave për trajtim tretësor, i cili mund të jetë i nevojshëm.

Për dallim nga barërat bazike, çmimet për këto barëra alternative mbesin mjaft të larta për një pjesë të madhe të të infektuarve dhe mund të dallojnë nga shteti në shtet. Kështu, të paktën, thuhet në një raport të organizatës humanitare “Mjekët Pa Kufij”, ku theksohet se “pacientët dhe siguruesit e trajtimeve sërish po përballen me problemin e paarritshmërisë së barërave për shkak të çmimit tejet të lartë”.

Nejthën Ford, drejtor mjekësor i “Mjekëve Pa Kufij”, publikoi këto gjetje gjatë Konferencës Ndërkombëtare për SIDA-n, e cila këtë vit po zhvillon punimet në Uashington:

“Barërat e reja që nevojiten për t’i trajtuar pacientët që kanë marrë trajtimin parësor dhe dytësor, janë shumë më të shtrenjta-dhjetë apo njëzet herë më të shtrenjta se sa trajtimi parësor. Barërat në fjalë nuk janë të nevojshme për vetëm një numër të vogël pacientësh”, tha Ford.

Janë një varg faktorësh që po i mbajnë çmimet e larta…

Evropa Lindore, ku infektimet me virusin HIV janë në rritje e sipër, paraqet një shembull për funksionimin e sistemit të çmimeve.

Në qendër të kësaj çështjeje, është ligji për patentë i një shteti. Nëse rregullimet janë strikte, ose të varura nga marrëveshjet me ndonjë kompani farmaceutike, kompania në fakt gëzon një monopol mbi produktin mjekësor.

Qeveritë mund t’i lehtësojnë kushtet për patentim në interes të shëndetit publik duke lëshuar licenca për prodhuesit e përgjithshëm, por në rast se veprohet kësisoj rrezikohet ndezja e mosmarrëveshjeve për pronë intelektuale me Shtetet e Bashkuara dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ku janë të bazuara kompanitë më të mëdha për prodhimin e barërave.

Me rritjen e kërkesës për trajtim dytësor dhe një bar të linjës së tretë, kompanitë kanë luftuar fuqishëm për patentë, pjesa më e madhe prej të cilëve kanë 20 vjet afat. Patentat për këtë lloj bari janë ende të vlefshme në shumë shtete të Evropës Lindore.

India, që për një kohë të gjatë konsiderohej të ishte “barnatorja botërore” për shkak të prodhimit të saj masiv të barërave, është vënë së fundi gjithashtu nën presion për të dhënë patentë për barëra, që ndikojnë te shtetet, të cilat i drejtohen Nju Delfit për barëra më të lira.

Një faktor tjetër është klasifikimi i pasurisë shtetërore nga Banka Botërore, i cili përdoret shpesh nga kompanitë farmaceutike për të përcaktuar se deri në çfarë mase mund ta zbresin çmimin. Shumë shtete të Evropës Lindore, si Armenia, Moldavia apo Ukraina, konsiderohet të jenë shtete me hyrje mesatare, që do të thotë se pjesa më e madhe e popullatës merr një rrogë mesatare. Këtyre shteteve u ofrohet një zbritje më e vogël.

Mishell Çilds, drejtore e Avokimit të Politikave për fushatën e qasjes së “Mjekëve Pa Kufij”, tha se rast të njëjtë paraqesin edhe vendet si Gjeorgjia, që klasifikohet si shtet me të hyra të vogla, pastaj edhe Rusia që klasifikohet si shtet me të hyra të larta.

“Nëse i hidhni një sy trajtimit tretësor, gjatë të cilit nevojiten tri barëra- vetëm njëra prej atyre në Gjeorgji kushton tetë mijë dollarë në vit, pra për vetëm një element të trajtimit. Nëse e marrim Rusinë-i tërë kombinimi i trajtimit tretësor për një person kushton 27 mijë dollarë në vit. Këto shtete po përballen me rritjen e çmimeve për barëra, ndërsa duhet t’i trajtojnë njerëzit e tyre”, tha Çilds,. duke shtuar se, “ajo që po shohim është një përplasje ndërmjet nevojave mjekësore dhe atyre komerciale”.

“Ajo që po ndodh është që kompanitë po thonë se për vendet me të hyra të ulëta dhe ato me të hyra mesatare, ne i vendosim nevojat komerciale në rend të parë”.

“Bëhet fjalë për jetën e njerëzve dhe u takon qeverive dhe kompanive farmaceutike të gjejnë një zgjidhje, e cila në fakt, është e natyrës politike”, sqaroi Çilds.(e.p.)