Kosova të hartojë strategji mbrojtjeje

Ilustrim

Kriza ekonomike ka përfshirë në masë të madhe shumë vende të botës. Mekanizmat financiarë ndërkombëtarë kanë deklaruar se kriza ekonomike po përhapet shumë shpejt. Ndërkaq, ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se Kosova nuk duhet ta ndiejë veten rehat përballë kësaj krize, si dhe duhet të marrë masat e nevojshme.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se derisa kriza ekonomike po ashpërsohet dhe po zgjerohet gati në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, Kosova duhet të tregohet e kujdesshme përballë saj.

Sipas tij, është e nevojshme që të gjitha shpenzimet qeveritare të shndërrohen në prioritete të qarta, në prioritet, të cilat nuk ndërrohen në bazë të arbitraritetit të akterëve të politikave ekonomike.

“Do të jetë e nevojshme që Kosova të ndjekë një disiplinë fiskale, dihet që Kosova në këto dy vitet e fundit kishte probleme në menaxhimin e buxhetit të vet dhe kjo kishe provokuar reagimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Prandaj Kosova ka nevojë që të ruajë stabilitetin fiskal dhe makro-ekonomik dhe ajo që ka rëndësi të madhe - të jetë e kujdesshme në apetitet e shpenzimeve qeveritare”, vlerëson Sadiku.

Derisa kriza ekonomike ka përfshirë vendet e Evropës, eksperti Sadiku thotë se Kosova duhet të jetë e brengosur. Nëse Kosova, sipas Sadikut, nuk ka raporte tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka raporte me shtetet evropiane, të cilat janë përfshirë nga kriza ekonomike.

Megjithatë, eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, mendon se kriza ekonomike, që ka përfshirë shumë vende të botës, nuk e prek Kosovën në masë të madhe. Por, edhe Gashi është i mendimit se Kosova duhet të marrë masa mbrojtëse karshi kësaj krize ekonomike.

“Masat mbrojtëse që duhet t’i ndërmarrin institucionet e Kosovës, kanë të bëjnë me forcimin e stabilitetit financiar dhe buxhetor të Kosovës. Paralajmërimet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim se kriza ekonomike po përhapet edhe në vendet e rajonit, fatbardhësisht nuk ka të bëjë shumë me Kosovën, për arsye se relacionet e Kosovës me vendet e Eurozonës që janë në krizë janë shumë të ulëta”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, konsideron se Kosova si një shtet i vogël me një ekonomi të dobët si dhe me potencial jo të fuqishëm ekonomik, duhet që urgjentisht të marrë masa mbrojtëse nga kriza.

“Kosova, krahas politikave zhvillimore dhe tentimit të reformave të politikave tregtare, duhet të mendojë mirë si ta tejkalojë edhe krizën, nga e cila po preket, nga faktorët e jashtëm dhe faktorët e brendshëm. E, në këtë drejtim, duhet të bëhet një strategji se si të tejkalohen të merren modalitetet e vendeve që janë në krizë, e që pretendojnë të dalin nga kriza”, thekson Shahini.

Ndryshe, në raportin e fundit të Bankës Botërore të titulluar “Perspektiva Globale Ekonomike për vitin 2012” ku përfshihet edhe Kosova, thuhet se për shkak të problemeve të borxheve në Eurozonë, në Kosovë gjatë këtij viti do të ketë rënie të bruto-prodhimit vendor në 3.9 për qind, nga 6.3 për qind sa ishte në vitin e kaluar.