Djemtë dhe vajzat “e këqija” të Lojërave Olimpike

Ilustrim

Festimet e dehura, shpatat mashtruese dhe gjestet e turpshme definitivisht nuk do të duhej të ishin në qendër të Lojërave Olimpike.

Por, edhe ato, u kanë sjellë Lojërave disa nga imazhet më të paharruara në të kaluarën.




Këta janë tingujt e pijeve - shqetësimi kryesor, siç duket, për ekipin rus.

Në muajin maj, qeveria ruse njoftoi publikisht se ekipit të saj do t’i ndalohet të pijë çfarëdo alkooli gjatë garave në Londër. Jo vetëm atletëve të tij, por edhe të gjithë anëtarëve të delegacionit që shoqëron atë.

Moska nuk dha arsyen për këtë vendim.

Por, ekipi rus zhgënjeu vendin shumë dy vite më parë në Lojërat Olimpike Dimërore në Venkuver. Ekipi solli në shtëpi vetëm 14 medalje, përderisa konsiderohej i aftë për t’i fituar 50.

Aty ku ekipi thuhet se ka performuar mirë janë ahengjet e çmendura. Në njërën nga këto net, ekipi thuhet se ka përdorur imitate të pompave të benzinës për t’i shërbyer mysafirët me vodkë dhe viski.



Një gjë ,që nuk do të duhej të bëhej gjatë Lojërave Olimpike.

Por, pirja e alkoolit s’është e vetmja gjë që po diskutohet në prag të Lojërave në Londër.

Vendosja joadekuate e kamerave është gjithashtu në qendër të diskutimeve.

Këtë muaj, Komiteti Olimpik i Australisë, tha se do të ndëshkonte dy nga notuesit e tij më të mirë duke i detyruar ata që të rikthehen në vend menjëherë pasi t’i kenë kryer garat.

Shtrohet pyetja “Përse”? Notuesit, Nik D’Arki dhe Kenrik Monk, së fundi postuan foto në Facebook ku po tregonin veten duke tundur armë të kalibrit të rëndë. Zyrtarët thanë se modeli “bad boy” nuk ishte një model të cilin do të duhej ta përfaqësonin atletët.



Përgjatë viteve, është rritur lista e gjërave josportive që kanë bërë atletët gjatë Lojërave duke u bërë aq e gjatë sa që do të mund të ishte një mini-Olimpiadë për sjellje të keqe.

Në Athinë në vitin 2004, xhudisti iranian Arash Miresmali, hëngri sipas dëshirës një natë para garës dhe u diskualifikua në ditën tjetër për shkak të mbipeshës. Ai tha se kishte vepruar asisoj si shenjë proteste për caktimin e një izraeliti si kundërshtar meqë Irani nuk e njeh shtetësinë e Izraelit.

Kjo kujton sportistin polak Vlladisllav Kozakievizh. Në vitin 1980, gjatë Lojërave në Moskë, ai pat bërë një gjest të pahijshëm me gisht duke ia drejtuar atë kërcyesit rus, Konstantin Volkov. Gjesti, i dënuar nga sateliti sovjetik Polonia, gati ia kushtoi medaljen e tij të artë.

Nganjëherë, sjellja e keqe bëhet në situata të tjera.



Gjatë Lojërave Olimpike të 1976-ës, ylli i skermës në Bashkimin Sovjetik, Boris Onishqenko, habiti kundërshtarin e tij britanik kur regjistroi një pikë pa e prekur fare me skermë.

Juria zbuloi që arma e Ornishqenkos ishte e pajisur me një sustë e cila, kur shtypej, bënte që sistemi i regjistrimit ta shënonte një goditje. Pas kësaj, ai dhe i tërë ekipi sovjetik u patën diskualifikuar nga Lojërat.

Një mënyrë tjetër se si u bënë të njohur disa olimpistë është përdorimi i drogës.

Vrapuesi kanadez, Ben Xhonson, u bë jashtëzakonisht i famshëm, për tu bërë i panjohur më pastaj, kur doli se e kishte fituar, me ndihmën e drogës, medaljen e artë në garën 100 metërshe në Lojërat e 1988-ës në Seul.

Por, nuk është vetëm droga që ndikon në performancë ajo që u ka sjellë telashe atletëve.

Në Lojërat Dimërore të vitit 1998 në Nagano të Japonisë, kanadezi Ros Rebagliati hyri në histori duke u bërë fituesi i parë i medaljes së artë në snouboard. Disa orë më vonë atij iu mor medalja për shkak se u vërtetua se kishte përdorur mariuhanë.

Rabagliatit, më vonë, iu pat kthyer medalja meqë, atëkohë, marihuana nuk ishte e ndaluar sipas rregullave të Lojërave Olimpike. Megjithatë, që nga atëherë ajo ka hyrë në listë.

Mundësi suedez, Ara Abrahamian, u bë i njohur në Lojërat Verore në Pekin më 2008-ën kur hodhi në tokë medaljen e bronztë disa sekonda pasi iu vu në qafë. Gjesti i tij, që erdhi si shenjë proteste ndaj fitores së kundërshtarit italian, e dikualifikoi atë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

Dhe, mos harrojmë ta përmendim edhe shembullin më dramatik të humbjes së pikëve ndonjëherë. Kjo ndodhi në vitin 1998 kur anëtarët e ekipit amerikan të hockey-it shkarravitën dhomat e tyre në Nagano të Japonisë, për shkak se ishin eliminuar nga garat pas një varg humbjesh.

Të gjitha këto momente të papritura kanë shënuar Lojërat Olimpike deri më tani.

Ato mund të mos kenë qenë momente inspiruese në të cilat shikon bota, por gara s’do të ishte e plotë pa ato.(e.p.)