(S')Ka trysni për të biseduar për veriun

Veriu i Kosovës (Foto nga arkivi)

Kosova nuk ka presion ndërkombëtar për të hyrë në dialog me Serbinë për çështjen e veriut, ka thënë pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ai ka theksuar se çdo zgjidhje do të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisarit.

“Unë besoj që Kosova ka dhënë qëndrimin e vet, edhe dje presidentja e Kosovës e ka shprehur qëndrimin e qartë se çdo zgjidhje do të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, Pakos së Ahtisarit dhe asaj që ne e quajmë rend dhe ligj në vendin tonë”, ka deklaruar Kuçi.

Sipas tij, Kosova është e interesuar për një fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, fqinjësi kjo që e respekton sovranitetin e njëri-tjetrit, tërësinë territoriale të njëri-tjetrit dhe që respekton identitetin nacional dhe shtetëror të Kosovës.



Ai ka folur edhe për vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, që pritet të realizohet javën e ardhshme.

”Çështja e vizitës së Ban Ki-Mun është një lajm i mirë për Kosovën, është një lajm i mirë për rajonin, është një përqendrim i tij dhe i OKB-së për zhvillimet politike që ndodhin në Kosovë dhe besoj që nuk duhet të ndërlidhet me ndonjë paragjykim tjetër”, ka theksuar Kuçi.

Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike, Skënder Hyseni, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë krejt çka mund të bisedohet me Beogradin është çështja e respektimit të drejtave të pakicave, të drejtë këtë që e gëzon çdo shtet.

Por, të bisedosh për veriun si territor me Beogradin, ka theksuar Hyseni, kjo është e papranueshme.

Sipas Hysenit, gjendja në veri kërkon trajtim, por nuk pajtohet që zgjidhja të kërkohet në kuadër të bisedimeve me Serbinë.

“Kosova, Qeveria e Kosovës duhet të dalë me ofertë konkrete, duhet të dalë me vizion dhe me plan konkret dhe të qartë se çfarë synon të bëjë në veri të vendit, për të normalizuar situatën. Duke marrë iniciativë, njeriu gjithmonë amortizon skenarët apo thirrjet e ndryshme që vijnë nga kudo qoftë”, ka vlerësuar Hyseni.

Të bisedosh nuk do të thotë që duhet të bësh edhe negociata në dëm të interesave të vendit, ka theksuar në vijim Hyseni. Ai ka shprehur besim se thirrjet e Brukselit për dialog me Serbinë nuk duhet kuptuar menjëherë se ato kanë të bëjnë me një zgjidhje të veçantë për veriun, kështu që e fton Qeverinë që zgjidhjen ta propozoj vetë.
Qeveria e Kosovës e ka për obligim që vetë t’i analizojë veprimet, përkatësisht projektet që ka ndërmend t’i zbatojë në veri, për të normalizuar gjendjen.

“Ne duhet t’i pranojnë dhe t’i marrim si qëllimmirë kërkesat e Brukselit dhe Uashingtonit, mirëpo ato kërkesa nuk mund të jenë të menduara mirë në emër të Kosovës. Qeveria e Kosovës e ka për obligim që vetë t’i analizojë veprimet, përkatësisht projektet që ka ndërmend t’i zbatojë në veri, për të normalizuar gjendjen”, është shprehur Hyseni.

Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian kanë rezultuar me pesë marrëveshje të prezantuara si konkluzione. Këto bisedime janë në pauzë për shkak të zgjedhjeve e më vonë konsolidimit të institucioneve të reja të Serbisë.

Ditëve të fundit, zyrtarët e lartë evropianë i kanë shtuar kërkesat për vazhdimin e bisedimeve, kurse risi e këtyre thirrjeve është apostrofimi i çështjes së veriut si temë e këtij dialogu.