Pirja e duhanit shkakton kancerin dhe miliona vdekje në vit në mbarë botën.
Zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, thonë se sipas hulumtimeve të bëra, rreth 500 mijë njerëz në Kosovë e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.
Ligji kundër pirjes së duhanit në Kosovë është miratuar në shkurt të vitit të kaluar, por ai asnjëherë nuk është zbatuar në tërësi.
Këtë e thonë zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët si rrjedhojë kanë ri-draftuar këtë ligj, për shkak të, siç thonë ata, mangësive për zbatim.
Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, pohon se vështirësitë në zbatimin e ligjit janë një mësim i mirë për zyrtarët që merren me këtë çështje, që ligji i ri të përmirësohet dhe të gjejë zbatueshmëri.
“Sa i përket ligjit aktual, i cili është në fuqi, ka pasur telashe në zbatimin e tij, si për shkak të kapaciteteve të kufizuara të inspektorëve, edhe rezistencës së subjekteve për ta zbatuar ligjin, pasi që në ligjin aktual nuk është përcaktuar çartë ndarja fizike që duhet të bëhet për hapësirën e dedikuar për duhan, 30 për qind për të, dhe 70 për qind pa duhan”.
“Sidoqoftë vështirësitë që ekzistojnë kanë qenë një mësim i mirë, që në ligjin e ri të korrektohen, dhe ligjin ta bëjnë më të zbatueshëm dhe të futen masa që do të ndikojnë në uljen e prevalencës së duhanpirjes”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.
Zyrtarët shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare bëjnë thirrje te duhanpirësit që të ndalojnë tymosjen, për shkak se, siç thonë ata, askush më tepër se klinicistët nuk ballafaqohet me sëmundjet që sjellë duhani, si kanceri i mushkërive dhe shumë të tjera.
Sipas tyre, shpenzohen me qindra miliona euro për blerjen e barnave dhe vetëm sa i zgjasin ato vuajtje dhe nuk kanë ndonjë sukses përfundimtar. Prandaj, ata deklarojnë disa herë që të merren iniciativa për ndalimin e duhanit.
Derisa zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, theksojnë se në moszbatimin e ligjit aktual në fuqi, ka ndikuar mosvullneti politik.
Skënder Syla, udhëheqës i kësaj organizate shpjegon:
“Deri më tani nuk ka ekzistuar një vullnet politik nga vendimmarrësit e nivelit më të lartë për zbatimin e ligjit kundër duhanit, si dhe ekziston një nivel i ulët i vetëdijes së përgjithshme për pasojat e duhanit, sepse ne jemi dëshmitarë se duhani tymoset edhe në prani të fëmijëve, pleqve, grave shtatzëna, si në ambiente familjare apo edhe hapësirta publike, dhe nuk ka pasur një përkushtim dhe një mbikëqyrje drejt zbatimit të ligjit”.
Faik Hoti pohon se gjobat për ata që tymosin në vendet e ndaluara do të rriten me hyrjen në fuqi të ligjit të ri.
Sipas tij, edhe importuesit që shkelin rregullat do të gjobiten me shuma të majme parash.
“Dënimet janë paraparë të shumëfishohen. Për shembull, për personat fizikë ka qenë 20 euro dënimi, do të bëhet 100 euro, derisa për subjektet e ndryshme afariste dhe importuesit që shkelin rregullat e importit, gjobat do të shkojnë deri në 30 mijë euro”.
Ndryshe, Skënder Syla thotë se duhet të merren më seriozisht me këtë çështje të gjithë zyrtarë të lartë qeveritarë, duke u nisur nga zyra e kryeministrit, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të jetojnë pa tym duhani në ambientet e mbyllura.
“Ne mendojmë se ligji aktual që pritet të kalojë në Parlament, do të rregullojë aspektin e kontrollit të duhanit, ku 100 për qind hapësirat e mbyllura do të jenë pa duhan, edhe pse kjo varet nga vullneti politik”.
“Këtë po e them nga përvoja nga vendet e jashtme, ku janë krijuar mekanizma nga zyra e kryeministrit, ku secila ministri dhe secili resor i caktuar ka marrë pjesën e caktuar të mbikëqyrjes së ligjit”, bën të ditur Syla.
Sido që të jetë, sipas hulumtimeve të OBSH-së, në botë nga 5 infarkte, 4 shkaktohen nga pirja e duhanit, kurse çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit.