Maqedoni - Shfrytëzimi i energjisë alternative

Maqedoni...


Përkundër faktit se dikasteri i ekonomisë së Maqedonisë, përmes fondeve të ndryshme evropiane subvencionon 30 për qind të harxhimeve të amvisërive për vendosjen e kolektorëve diellorë, Maqedonia me kapacitet minimal shfrytëzon mundësitë e shfrytëzimit të energjisë alternative , siç është dielli, uji apo era.

Konstadin Dimitrov, ekspert i energjetikës, thotë se kërkimi i burimeve alternative nuk është i stimuluar aq sa duhet, ngase shteti, pavarësisht kostos në rritje të rrymës elektrike, mbush arkën e buxhetit duke mbledhur tatimin prej 18 për qind.

Shtrenjtimi i rrymës nuk i shkakton kokëdhembje shtetit, por qytetarëve që paguajnë faturat e rrymës elektrike, të cilët kontribuojnë në mbushjen e arkës shtetërore me 18% nga çdo faturë e paguar e rrymës elektrike, andaj parë realisht nuk është në interes të buxhetit shtetëror ulja e konsumit të energjisë elektrike”, thekson Dimitrov.

Ndërkaq, ministri i ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Abdilaqim Ademi, thotë se qytetarët e kanë vështirë të heqin dorë nga shprehia për të funksionuar përmes rrymës elektrike, por njehësh si pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit është dhe ruajtja e ambientit jetësor, që në nënkupton kërkimin e burimeve alternative që nuk paraqesin kërcënim për ambientin.

Maqedonia ka potenciale të tilla, sepse në Maqedoni ka rreth 280 ditë me diell dhe është e mjaftueshme për të shfrytëzuar potencialin e diellit, si dhe gjithashtu ka edhe parqe për të prodhuar energji elektrike nga era. Këto janë potenciale që ne duhet t’i shfrytëzojmë dhe do mund ta arrijmë këtë zëvendësim të 20%, deri me 2020”, shprehet ministri Ademi.

Derisa Ministria e Ekonomisë për të stimuluar shfrytëzimin e energjisë diellore, edhe këtë vit subvencionon 30 % të mjeteve të harxhuara për vendosje të kolektorëve diellor, me ç'rast në gjysmën e parë të vitit janë subvencionuar 300 amvisëri me kthimin e 30 % të mjeteve të harxhuara për vendosje të sistemit diellor për prodhim të energjisë.

Përveç kësaj, Ministria e Ekonomisë bën të ditur se nga shtatori qytetarët mund të aplikojnë për "kredi të gjelbra", për instalimin e paneleve diellore në shtëpitë, me çka do të përdoren dhe fondet evropiane që janë në dispozicion për këtë qëllim.

Nga ana tjetër, Zoran Ballevski, drejtor i kompanisë “Mega Sollar” e cila ka ndërtuar centralin e paneleve diellore në komunë e Novacit, thotë se bëhet fjalë për biznes profitabil, por për konsum të amvisërive është shumë vështirë i aplikueshëm, si pasojë e kostos së lartë të pajisjeve të kolektorëve diellorë .

Për momentin, ende mund të themi se teknologjia e kolektorëve diellorë është e shtrenjtë . Megjithëse pritet që në të ardhmen të ulen shpenzimet sa i përket instalimit të kësaj teknologjie dhe shfrytëzimit të diellit si alternativë e rrymës elektrike”, deklaron Ballevski.

Ndryshe, bazuar në një studim, Ministria e Ekonomisë së Maqedonisë ka përcaktuar 208 lokacione ku mund të ndërtohen hidrocentrale të vogla.

Deri më tani në Ministrinë e Ekonomisë janë nënshkruar 68 marrëveshje për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, prej të cilave 5 janë të ndërtuara, tre prej të cilave tashmë veç prodhojnë energji.