Daçiq nën llupën e Uashingtonit

Ivica Daçiq


Në javën e ardhshme, plot dy muaj pas zgjedhjeve, do të formohen organet udhëheqëse në Kuvendin e Serbisë, përfshirë edhe kryetarin, ka thënë mandatari i qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq.

Shumë shpejt, premton ai, do të formohet edhe qeveria e përbërë nga koalicioni, që ka mbledhur afër vetes përparimtarin Aleksandër Vuçiq dhe Mlagjan Dinkiqin nga Rajonet e Bashkuara të Serbisë.

Dukej se çdo gjë shkonte pa probleme, sikur të mos ishte ankthi që shkaktoi vizita nga Uashingtoni.

Tri ditë para vendimeve thelbësore për të ardhmen e Serbisë, në Beograd erdhi zëvendës-ndihmësi i sekretares amerikane të Shtetit Hillari Klinton.

Filip Riker, nuk iu dha detaje gazetarëve për vizitën e tij.

Për lojtarët kryesorë të koalicionit të sapokrijuar Daçiqin dhe ish radikalin Aleksandër Vuçiqin, marrja e pushtetit në Serbi, do të ishte kurora e marrëveshjes së krijuar, pasi që Daçiqi ia ktheu shpinën demokratëve dhe ish-presidentit Boris Tadiq. Tash punën mund ta komplikojë vetëm ndërhyrja ndërkombëtare.

Analisti, ish ambasadori Ognjen Pribiçeviq, beson se Uashingtoni është i interesuar për situatën në Serbi, kryesisht për shkak të interesave të veta.

Është sigurisht vetëm një interes, e ai është Kosova. Natyrisht, deklaratat e disa politikanëve të ekipit që do ta formojnë qeverinë nuk janë pranuar mirë në Uashington. Me sa duket ata erdhën këtu për të kontrolluar situatën”, vlerëson Pribiçeviq.

Duke u nisur nga spekulimet e mediave se Uashingtoni zyrtar është në kërkim të ndonjë deklaratë të favorshme të Daçiqit, Mllagjan Dinkiq dhe vetë Daçiç thonë se për këtë ka pak arsye. Daçiq thotë se të gjithë ato që qeveria e Mirko Cvetkoviqit ka rënë dakord më parë në nivel ndërkombëtar, do të zbatohen. Por, Daçiq hedh disa dyshime.

Shumë shpesh ka marrëveshje, por që nuk janë të nënshkruara, apo interpretohen në mënyra të ndryshme. Mes tjerash, është çështja e regjistrimit të tabelave. Nuk dihet a vlen kjo dhe për veriun e Kosovës apo jo. Pastaj është mënyra e përfaqësimit të fusnotës dhe të tjera,” tha Daçiq.

Përveç kësaj, Daçiç siguron se mundësia që të hiqet dorë nga ajo që është rënë dakord më parë, “nuk hapet rastësisht”.

Megjithatë, mos vetë Daçiqi i ka dhënë shkas bashkësisë ndërkombëtare për këtë lloj ankthi? A mos partnerët në Shtetet e Bashkuara mund të imagjinojnë propozimin e tij të mëhershëm për ndarjen e Kosovës?

Unë këtë ia kam propozuar Milloshevqit kur ka qenë marrëveshja e Dejtonit”.

Këto janë fjalët e Daçiqit në majin e vitit të kaluar, të cilat kujtojnë periudhën në të cilën Daçiqi ishte bashkëpunëtori i afërt i Millosheviqit.

Partnerëve në Uashington mund t’i ketë penguar edhe kërcënimi për dërgimin e forcave të sigurisë në Kosovë.

“Serbia nuk mund në mënyrë të qetë ta shikojë Thaçin se si po kryen sulm të armatosur në veri. Çka thashë keqe këtu?”, pat thënë vitin e kaluar Daçiq.

Ose mund t’i ketë penguar betimi për Vidovdan i pjesëtarëve të Xhandarmërisë Serbe: “Pa Kosovë nuk ekziston Serbia. Pa Kosovë, nuk ekzistoj as unë”.

Daçiç u distancua nga teksti i betimit.

Në media serbe, ndërkaq, flitet edhe për një koalicion të madh, por, një gjë të tillë e hedh poshtë Daçiqi.

Në ditët në vazhdim, pritet të zhvillohen bisedimet me shefen e diplomacisë evropiane, por askush nuk e di se çka do jetë në rend dite. Por, nuk është fshehtësi se faktori ndërkombëtar nuk është i kënaqur me politikën serbe karshi Kosovës.

Ky është thelbi i ankthit amerikan thotë Ognjen Pribiçeviq, për të shtuar se qeveria e përparimtarëve dhe socialistëve mund të jetë më bashkëpunuese.

Ekziston një mënyrë e të menduarit sipas së cilës gjithmonë është më lehtë që me partitë e djathta të zgjidhen çështjet e mëdha shtetërore e kombëtare. Për shkak se ato nuk mund të akuzohen si tradhtare, dhe kështu me radhë”, tha Pribiçeviq.(a.i.)