Kosovë - Kriteret për vizat brenda dy muajve

Pasaporta e Kosovës

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kanë shprehur gatishmërinë që të punojnë intensivisht në përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Në një takim takimin me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave është theksuar se deri më 15 shtator të këtij viti, institucionet e Kosovës do të përgatisin raportin e gatishmërisë, raport ky i cili t’i dorëzohet Komisionit Evropian.

Ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku tha se ky dokument duhet t’i ofrojë KE-së informata të hollësishme të gjendjes aktuale të legjislacionit, institucioneve përgjegjëse, kapaciteteve njerëzore, të dhënave dhe statistikave tjera për katër blloqet e procesit të liberalizimit.

Nga ne kërkohet që deri më 15 shtator të dorëzojmë te Komisioni Evropian raportin e gatishmërisë. Kjo datë nuk është larg, janë më pak se dy muaj dhe kjo tregon se sa intensivisht duhet të punojmë ne, në përmbushjen e detyrimeve tona”, theksoi Çitaku.

Sa i përket planit të veprimit për zbatimin e udhërrëfyesit për liberalizmin e vizave, Kosova ka një plan aktual, por sipas ministres Çitaku, ky plan do të rifreskohet më së largu deri në shtator.



Ministrja Çitaku ka theksuar se plani i ri do të përmbajë veprime konkrete të afatizuara dhe të ndara sipas institucioneve përgjegjëse.

Roli i komunave në këtë drejtim do të mbetet shumë i rëndësishëm, sidomos në ri-integrimin e personave të riatdhesuar. I gjithë procesi do të menaxhohet përmes takime të nivelit të lartë që do të mbahen ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian. Gjithashtu në të ardhmen nuk presim një mision vlerësues siç e kemi pasur vitin e kaluar, por më shumë misione vlerësuese nga ekspertë të KE-së dhe shteteve anëtare të BE-së”, theksoi Çitaku.

Qeveria e Kosovës, po ashtu të mërkurën ka marrë vendim për themelimin e strukturave institucionale për koordinimin e zbatimit të udhërrëfyesit për liberalizmin e vizave.

Sekretariatin e liberalizimit të vizave do të përbëjnë Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka folur për disa nga kriteret e liberalizmit të vizave. Ai është fokusuar në sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e integruar të kufijve dhe migracionit.

Rexhepi ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të bëjnë një punë të mirë dhe intensive në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave.

Realisht ky është një moment dhe proces në prioritet shumë të lartë në agjendat e të gjitha institucioneve dhe një projekt nacional në të mirë të qytetarit dhe këtu të gjithë i kemi obligimet e veta në mënyrë që të dalim faqe bardhë dhe procesin e liberalizmit të vizave ta përfundojmë në kohën më të shpejtë të mundshme”, theksoi Rexhepi.

Qeveria e Republikës së Kosovës në qershor të këtij viti ka pranuar udhërrëfyesin për liberalizmin e vizave.

Sundimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, tashmë janë disa nga kriteret për Kosovën krahas parakushteve tjera, si siguria e dokumenteve personale, menaxhimi i integruar i kufirit dhe ri-integrimi dhe riatdhesimi.

Kosova dhe qytetarët e saj aktualisht mbeten më të izoluarit në Evropë, sa i përket lirisë së lëvizjes, kurse një faktor që ka ndikuar në këtë aspekt ka qenë edhe droja e vendeve evropiane se nëse i heqin vizat për kosovarët, shumë të rinj do t’ia mësynë Evropës për strehim dhe punë, për shkak të kushteve të rënda ekonomike në vend.