Akademia e Shkencave në Afganistan gjen formulën për konflikte etnike

Afganistan...

Dokumentimi i përbërjes diverse të Afganistanit në aspektin etnik do të dukej si një përpjekje e pafajshme, por pas tentimit të fundit për të bërë këtë, një grup akademikësh do të mund të përballen me padi penale.

Burimi i problemit është publikimi i emëruar në mënyrë të paqëllimshme me titull “Atlasi Etnografik i Grupeve Etnike Jo-Pashtune në Afganistan”, i cili u publikua në muajin e kaluar nga Akademia e Shkencave në Afganistan - një akademi që mbështetet nga qeveria.

Disa pjesë të publikimit kanë fyer minoritetin Hazara të Afganistanit.

Hazarët janë gënjeshtarë, të pandershëm dhe njerëz të pandërgjegjshëm”, thuhet në një nga pasazhët të cilin e citon gazeta afgane “Daily Outlook Afganistan”.

Trupat e grave të tyre janë s’kanë qime përveç në kokë. Hazarët janë bijtë e Mongolëve Khan që jetojnë në malet e Afganistanit. Këta njerëz nuk dinë asgjë tjetër pos përleshjeve”, vazhdon pasazhi.

Sipas gazetës, libri të cilin Radio Evropa e Lirë nuk pati mundësi ta sigurojë, Hazarët përshkruhen si “rafizi”-një term që përdorët për të definuar diçka që shkon përtej të qenit “i pafe”.

Ankesat e politikanëve Hazara mjaftuan për të shtyrë presidentin Hamid Karzai ta ndalojë më 19 qershor atlasin duke përjashtuar nga puna katër akademikë të shkencave dhe duke urdhëruar zhvillimin e hetimeve rreth arsyeve për publikimin e komenteve.

Katër akademikët tani përballen me padi penale për rritjen e tensioneve etnike duke zvarritur publikimin e një pyetësori të gjatë të cilit ata është dashur t’i përgjigjen.

Zëvendës-noteri gjeneral, Enejatullah Kamal, i cili po mbikëqyr hetimet, kishte thënë më 20 qershor se në rast se verifikohet se ofendimet ishin të qëllimshme, akademikët do të duhet të përgjigjen për veprimet e tyre.

Nxitja e dallimeve ndërmjet grupeve etnike në Afganistan është e ndaluar. Kushdo që shkel këtë duhet të përballet me ligjin”, tha ai.

Karzai e ka cilësuar përmbajtjen e librit “tejet ofenduese” dhe “një fyerje për të gjitha etnitë rezidente dhe rrjedhimisht për të gjithë popullin afgan”.

Said Amin Muxhid, autori i atlasit, ka mbrojtur librin e tij duke thënë se pasazhet më të kontestuara janë të bazuara në shkrimet e historianit Hazara, Faiz Muhamad Kateb.

Muxhid tha se çdo gjëje që ka shkruar i është referuar në mënyrë të qartë dhe se përmbajtja është shtrembëruar për arsye politike.

Një çështje akademike është shndërruar në një çështje politike. Po e them këtë, sepse në raste të caktuara, njerëzve u transmetohet vetëm një pjesë e së vërtetës, ndërsa pjesa tjetër nuk u tregohet”.

Akademia e Shkencave në Afganistan edhe më herët është përballur me polemika rreth Hazarasëve. Në fund të vitit 2011, liderët e grupit minoritar Shi’a u ofenduan për vlerësimet, siç i quajtën ata, të nivelit të ulët të popullatës Hazara që u publikuan në kuadër të një almanaku të publikuar nga akademia.

Sipas atyre të dhënave, Hazarët përbëjnë 9 për qind të popullatës 26 milionëshe të Afganistanit. Kjo, siç thanë pjesëtarët e Shi’as, shkonte kryesisht në favor të Pashtunëve, të cilët thuhej se përbënin 60 për qind të popullatës.

Politikanët Hazara përmendin 20 për qindëshin kur flasin për numrin e banorëve të këtij grupi etnik në Afganistan.

Të dhënat e sakta, megjithatë, mbesin të panjohura për shkak se ende nuk është zbatuar një regjistrim i duhur i popullsisë në Afganistan.

Përpjekja e fundit për të bërë këtë, në fund të viteve të 70-ta, nuk ishte realizuar asnjëherë, ndërsa planet për një regjistrim të ri nuk janë jetësuar ende.

Të dhënat e pranuara nga të gjithë e që përdoren në dokumentet e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare e listojnë popullin Pashtun në krye të përbërjes së popullit Afgan me 40 për qind, pasuar nga Taxhikët me më pak se 30 për qind dhe Hazarët e Uzbekët me më pak se 10 për qind. Minoritetet e tjera thuhet se përbëjnë pjesën e mbetur të popullatës.

Madhësia thuhet se është një çështje e rëndësishme në mesin e minoriteteve, të cilat mund të përdorin shifra të fryra me synimin për një ndikim më të madh politik. Vëzhguesit thonë se politikanët stërmadhojnë numrin e pjesëtarëve të grupit etnik të cilit i takojnë.

Hussain Yasa, një redaktor Hazara i gazetës "Daily Outlook Afghanistan" në Kabul, tha se polemikat e fundit nuk ndjellin asgjë të mirë për të ardhmen e vendit.

Ai tha se nuk do të jetë e lehtë t’i jepet fund mosmarrëveshjeve rreth përbërjes etnike të Afganistanit, por se një regjistrim gjithëpërfshirës do të ishte një fillim i mirë në këtë drejtim.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me atë se cili komunitet është më i madh se tjetri. Regjistrimi është i një rendësie të veçantë për zhvillimin dhe sigurinë tonë”, u shpreh ai.(e.p.)