Maqedoni: Bie numri i shqiptarëve të punësuar në institucione

Shkup...

Përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore konform Marrëveshjes së Ohrit shënon rënie, veçanërisht në dikasterët ku drejtuesit nuk janë shqiptarë, gjegjësisht në disa ministri apo institucione shtetërore, me largimin e udhëheqësve shqiptarë ulet edhe numri i shqiptarëve.

Kjo ndodhë sepse të punësuarit shqiptarë në këto institucione bëjnë kërkesë që edhe ata të transferohen në institucione tjera ose në njësitë rajonale, thekson sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Apdylaqim Ademi.

Sipas tij, kjo paraqet shqetësim jo vetëm për kualitetin e shërbimeve të qytetarëve, por edhe për kualitetin e reformave në administratë.

Nuk duhet pasur qasjen se aty ku kemi ministër shqiptar dhe duhet punësohen shqiptarë dhe të ndjehen komod në një far mënyre. Përkundrazi, ata do duhet të jenë të përfshirë në të gjitha institucionet, përkundrazi në institucionet ku udhëhiqen nga shqiptarët ata duhet të jenë edhe me përgjegjës”.

Në këtë mënyrë, të dëshmojnë kulturë institucionale dhe kërkesën e shqiptarëve për të pasur përfaqësim të drejtë, është e drejtë dhe e arsyeshme dhe kështu të dëshmojmë dhe arsyetojmë jo vetëm kërkesën, por edhe luftën për të cilën dikush tjetër ka sakrifikuar shumë më shumë se ne”, thekson Abdylaqim Ademi.

Nga ana tjetër, Lidija Dimova nga Qendra për Arsim Evropian, konsideron se mosbesimi ndaj institucioneve shtetërore është një nga çështjet më të ndjeshme në shtetet multietnike, që drejtpërdrejt varet jo vetëm nga kualiteti i shërbimeve të qytetarëve, por edhe gjuha me të cilën mund të komunikohet me administratën.

Dimova thotë se po për këtë arsye BE ndan mjete për trajnimin dhe ngritjen e vetëdijes së punonjësve administrativë për vendet që synojnë integrimin në familjen evropiane.

Qeveria e Maqedonisë është e obliguar të promovojë agjendën e evropiane në Maqedoni, do të thotë të promovojë vlerat evropiane dhe njëherësh të realizojë reformat në administratë, për të qenë ajo efikase”.

Dhe, duke respektuar rregullat e avancimit, shkallë pas shkalle, në bazë të rezultateve në punë si dhe përgatitjes profesionale, pikërisht për mos respektimin e këtyre parimeve, Maqedonia kritikohet nga Brukseli”, thotë Dimova.

Ndryshe, me largimin e ministrit shqiptar nga dikasteri i punës dhe politikës sociale dhe atij të shëndetësisë, të punësuarit shqiptarë kanë bërë kërkesa që të largohen nga vendi i punës së tyre në qendrat rajonale.

Duke komentuar këtë veprim të administratorëve shqiptarë, Albert Musliu, drejtues i asociacionit për zhvillim të demokracisë, që ka monitoruar jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit, thotë se sfidë për administratorët shqiptarë është dëshmimi i profesionalizmit ndikohet nga politizimi i skajshëm i administratës.

Sistemi meritor, përkatësisht sistemi i karrierës, nuk është prezent aspak. Pra, në Maqedoni ka një proces të partizuar, që nënkupton mbushjen e administratës që nuk është karakteristikë e shqiptarëve. Jemi dëshmitarë se kemi një numër të madh të të punësuarve shqiptarë në administratë, të cilët nuk kanë përshkrim të saktë të vendit të punës, konform ligjit për marrëdhënie pune”.

Pra, ata paguhen pa marrë obligim dhe përgjegjësi konkrete. Është shumë gabim, shihet ajo se ata mund të jenë të kënaqur që marrin rrogë e nuk punojnë, sepse ka shumë të rinj shqiptarë, të cilët kanë përgatitje të shkëlqyer profesionale dhe është shumë e disfavorshme për avancimin e tyre profesional, që atë dije të mos e praktikojnë në vendin e punës”, vlerëson Musliu.

Ndryshe, transformimi i administratorëve nga pushteti qendror në atë lokal, apo departamente që drejtohen nga shqiptarët, ka ndikuar që të shuhet përdorimi i gjuhës shqipe në ueb faqet e ministrive apo institucioneve tjera, të cilat deri sa drejtoheshin nga shqiptarët, ishin në dy gjuhë, e tani të njëjtat të jenë vetëm në gjuhën maqedonase.