Dobruna: Pa luftimin e korrupsionit, nuk ka investitorë të huaj

Kujtim Dobruna, president në organizatën Nisma Ekonomike për Kosovë, me seli në Vjenë - foto Ridvan Slivova©

Autoritetet kompetente në Kosovë duhet të luftojnë korrupsionin, krimin e organizuar dhe të promovojnë stabilitetin ekonomik në mënyrë që të joshin investitorët e huaj, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kujtim Dobruna, president në organizatën Nisma Ekonomike për Kosovë, me seli në Vjenë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dobruna, cili është misioni i Nismës Ekonomike për Kosovën dhe në çfarë formash përkrahni zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, pasi selia e organizatës suaj gjendet në Vjenë?

KUJTIM DOBRUNA
Nisma Ekonomike e Kosovës ka hyrë në vitin e dhjetë të aktiviteteve të veta për promovimin e Kosovës. Është një organizatë austriake me seli Vjenë, që nga Vjena e shtrinë aktivitetin e vet në Evropën Perëndimore, para se gjithash në rajonin e gjermano folës.

Orientimi ynë kryesor shkon në dy drejtime: drejtim i parë është tërheqja e investimeve dhe promovimi i Kosovës si destinacion atraktiv për investimet e huaja dhe aspekti i dytë është promovimi dhe mbështetja e sektorit privat në Kosovë, sidomos të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe institucionet e Kosovës po përpiqen të tërheqin investimet e huaja. Por, mungesa e një stabiliteti ekonomik shpesh përmendet si një nga shkaktarët që pengon këtë proces. Çka duhet bërë për të ndryshuar këtë imazh?

KUJTIM DOBRUNA
Realisht, stabiliteti, qoftë ai politik apo ekonomik, është një ndër faktorët kryesorë për një vend për të tërhequr investimet e huaja. Kjo nuk vlen vetëm për Kosovën , vlen edhe për vendet e rajonit dhe të botës.

Më këtë dua të them se njëra ndër mesazhet kryesore të qeverise dhe institucioneve tjera që merren më promovimin e investimeve duhet të jetë promovimi i stabilitetit këtu.

Stabiliteti ekonomik në një masë të caktuar është i dhënë për shkak se ekonomia e Kosovës është duke u rritur në vazhdimësi edhe përkundër krizës. Edhe stabiliteti politik është pjesërisht i dhënë, për shkak se njëri ndër faktorët kryesorë që ndikon në mungesën e stabilitetit politik janë telashet e vazhdueshme që kemi në veri të vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mundeni të përmendeni ndonjë investitor ndërkombëtar që ka ardhur në Kosovë më ndihmën e organizatës suaj?

KUJTIM DOBRUNA
Nisma Ekonomike për Kosovën prej vitit 2006, me mbështetje të qeverisë austriake, të agjencisë austriake për zhvillim, është duke përfaqësuar Agjencinë Kosovarë për Promovimin e Investimeve në regjionin gjermano-folës përmes zyrës në Vjenë.


Në kuadër të këtij bashkëpunimi më këto institucione dhe më financim të vazhdueshëm nga qeveria austriake, ne kemi arritur të realizojmë 23 projekte investive në Kosovë, të cilat kanë sjellë më shumë se 50 milionë euro investime, dhe kanë krijuar rreth 1000 vende të reja pune.

Janë këto rezultate që unë do ti quaja modeste në krahasim më mundësitë ekzistuese në tregun kosovarë.
RADIO EVROPA E LIRË
Për cilët sektorë në Kosovë është interesimi i gjermano-folësve?

KUJTIM DOBRUNA
Interesimi është i larmishëm, Kosova për shkak të rezervave të mëdha natyrore është gjithnjë interesant për sektorin energjetik, por edhe sektorë tjerë, siç janë minierat dhe mineralet. Këtu do të veçoja investimin e një kompanie austriake, në kapacitet energjetike gjeneruese për mes ujit.

Por natyrisht ka interes edhe në sektorë tjerë, siç është teknologjia informatike. Interesimi jonë është që të zhvillohen edhe sektorët e atillë që kanë potencial edhe për të ardhmen, jo vetëm sektorët tradicionalë, siç është energjia, minierat ose bujqësia edhe pse kjo e fundit është e rëndësishme.

Mirëpo, për ne me rëndësi është që të mendojmë për sektorët e të ardhmes, e sektori i të ardhmes është teknologjia informative.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dobruna, Kosova vazhdon të ketë përpara sfida të shumta në rrafshin e përmirësimit ekonomik. Cila do të ishte primare sipas jush?

KUJTIM DOBRUNA
Kjo varet se nga cilin këndvështrim e shikon, nëse e shikojmë nga këndvështrimi i zhvillimit makroekonomik, natyrisht që këtu do të ishte e domosdoshme të investohet shumë në forcimin e sektorit privat, në mënyrë që të rritet prodhimi vendor, të rritet eksporti dhe të zvogëlohen importet, në mënyrë që të kemi një bilanc tregtar më të mirë, i cili do të shtynte përpara edhe rritjen ekonomike.

Sfidë tjetër, siç e dimë, mbetet papunësia shumë e lartë dhe ekonomia joformale. Ndërsa nëse e shohim nga aspekti i investimeve të huaja, natyrisht që çështja e imazhit mbetet sfidë shumë madhe.

Ne këtë e kemi të qartë dhe për këtë arsye ne jemi të interesuar dhe jemi duke punuar në vazhdimësi që të njoftojmë posaçërisht opinionin gjermano- folës, për zhvillimet pozitive në Kosovë, përmes aktiviteteve të drejtpërdrejta që bëjmë më vendimmarrësit në politikë, ekonomi, mediat apo edhe drejtpërdrejt me investitorët potencialë.

Ardhja e më shumë se 20 kompanive zvicerane, në misionin që kemi pasur në Kosovë ditën e mërkurë, është një shenjë se edhe përkundër krizës dhe vështirësive, megjithatë interesimi dhe gatishmëria e investitorëve të huaj ekziston.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit është përfolur shumë për krizën që ka përfshirë eurozonën, dhe rrjedhimisht edhe mundësinë e ndikimit në Kosovë. Cilat janë në fakt efektet e kësaj krize në Kosovë?

KUJTIM DOBRUNA
Efektet e kësaj krize në Kosovë mund të jenë të shumëllojshme. Por, për shkak të gërshetimit të vogël të ekonomisë kosovare në ekonominë ndërkombëtare, deri më tani efektet kanë qenë relativisht të vogla.

Në aspektin e investimeve të huaja është vështirë që shumë projekte të realizohen për shkak të mungesës se gatishmërisë se institucioneve financiare për të financuar sektorin privat. Por, kjo nuk është vetëm karakteristikë për tregun e Kosovës, por për gjithë rajonin.

Mendoj se varësisht prej zhvillimeve me euro, do të thotë nëse kjo valutë dobësohet, ekonomia kosovare do të ballafaqohet me ngritjen e çmimeve të importeve. Kështu që efektet do të jenë të llojllojshme, por ato kryesore janë rënia e investimeve ndërkombëtare dhe dërgesave nga diaspora

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni se të gjitha këto procese, qoftë privatizimin apo joshjen e investimeve të huaja, po e pengojnë fenomenet për të cilat tashmë dihet, siç është korrupsioni dhe krimi i organizuar?

KUJTIM DOBRUNA
Mendoj se stabiliteti është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e një shoqërie, jo vetëm për zhvillimin e saj ekonomik dhe për tërheqjen e investimeve. Me stabilitet nënkuptohet edhe sundimi i ligjit dhe mendoj se ky është elementi kryesor.

Besoj se jo vetëm Kosova, por edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim. Fundja, përgjegjësinë në Kosovë për siguri edhe sundimin e ligjit, nuk e kanë vetëm vendorët, por kjo deri vonë ka qenë kryekëput përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare.

Tashmë, është përgjegjësi e ndarë dhe më një vullnet politik më të mirë të bashkësisë ndërkombëtare edhe të Qeverisë se Kosovës do të mund të bëhet shumë më shumë në ngritjen e sundimit të ligjit. Duke filluar nga zgjidhja e problemeve në veri, deri te luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të thotë, këto janë parakushte pa të cilat nuk do të ketë investime të mjaftueshme dhe stabilitet të qëndrueshëm ekonomik.