Jahjaga shpreh keqardhje për mosmiratimin e ndryshimeve në Kodin Penal

Atifete Jahjaga


Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka shprehur
keqardhjen e saj për dështimin e Kuvendit të Kosovës për të votuar
ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal të Kosovës në seancën e së premtes.

"Presidentja Jahjaga rithekson vlerësimin e saj se nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës janë antikushtetuese dhe si të tilla cenojnë lirinë e
medias dhe bien ndesh me përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të
ndërtuar rend demokratik në Kosovë",
thuhet në deklaratën e saj dërguar mediave.

Presidentja Jahjaga ka inkurajuar të gjitha palët e përfshira në këtë proces të
shqyrtojnë mundësitë ligjore dhe kushtetuese për të amandamentuar Kodin Penal
në përputhje me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.(a.i.)


Kuçi dorëhiqet, Thaçi premton riprocedim të Kodit Penal

Zijadin Gashi

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka ofruar të premten dorëheqje nga të gjitha postet qeveritare. Dorëheqja e tij pasoi vendimin e Kuvendit për mos-heqjen nga Kodi Penal të dy neneve, 37 dhe 38, të cilat kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit, në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.

Kohë më parë ai ishte zotuar publikisht se nëse këdo dy nene nuk hiqen nga Kodi Penal, ai do të dorëhiqej nga Qeveria. Në një konferencë të jashtëzakonshme, Kuçi ka njoftuar mediat për vendimin e tij.

“I kam ofruar dorëheqjen kryeministrit nga pozita e të qenët anëtar i Qeverisë së Kosovës. Kwtë e bëj për disa arsye, nuk jam i shtyrë nga askush, por besoj se fjala e dhënë, morali i përcaktuar nga vetw unë dhe pa u shtyrë nga askush tjetër, mendoj që duhet të mbahet dhe e dyta mendoj që në këtë vend duhet të punohet për lirinë e shprehjes së mediave”, ka thënë Kuçi.

Menjëherë pas, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shqyrtuar dorëheqjen e zëvendësit të tij dhe ministrit të Drejtësisë. Por, Thaçi e ka rihapur sërish riprocedimin e Kodit Penal për në Kuvend pa nenet 37, 38 madje edhe atë 39.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë, Thaçi ka deklaruar se ndjehet i turpëruar nga vendimi i Kuvendit për votimin e Kodit Penal.

“Befasisht, sot Kuvendi i Kosovës mori vendim sa i përket Kodit Penal, për çka ndjehem edhe i turpëruar, vendim i cili u votua edhe nga deputetët e PDK-së. Por, si kryeministër, asnjëherë nuk do të pajtohem me ligje që mbyllin fjalën e lirë”, ka deklaruar kryeministri Thaçi.

Kryeministri ka paralajmëruar se Kodi Penal do të ri-procedohet sërish në Kuvend pa nenet 37.38 dhe 39.

“Do të procedoj ligjin pa nenet 37, 38 dhe 39. Dhe, ajo çfarë është votuar sot në Kuvendin e Kosovë është turp. Veprimi i zotit Kuçi është leksion për gjithë spektrin politik”, ka thënë kryeministri Thaçi.

E gjithë rrëmuja në Kuvend u krijua kur kryetari i Komisionit për legjislacion, Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se Komisioni funksional ka kërkuar heqjen e këtyre dy neneve, siç kishte kërkuar edhe presidentja. Por, personalisht ishte i mendimit se nuk duhej hequr këto nene.

Ndërkohë, që ish-gazetari tani deputet i Partisë Demokratiek të Kosovës, Berat Buzhala, ishte ai i cili me fjalimin e tij fitoi përkrahjen e nevojshme që çoi deri te mos-heqja e neneve.

“Kuvendi i Kosovës nuk do të duhej të ishte adresa e duhur ku do të plotësoheshin teket e individëve, qofshin këta gazetarë, qeveritarë apo çfarëdo tjetër. Pra, ne do të votojmë kundër heqjes së këtyre neneve si Grup Parlamentar”, tha Buzhala i PDK-së.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aelanca për Ardhmërinë e Kosovës, mbështetën heqjen e neneve problematike, por votimi rezultoi me 59 vota për, 4 kundër dhe 5 abstenime.

Kryesuesi i seancës, deputeti Sabri Hamiti, tha se kërkesa e presidentes nuk miratohet, pasi që kërkohen 61 vota për.

Menjëherë pas votimit në Kuvend, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës reagoi duke konsideruar se “me këtë vendim, Kuvendi e ka fundosur lirinë e shtypit në Kosovë. Votimi i deputetëve tregon për papjekuri politike dhe tendenca diktatoriale ndaj lirisë së shtypit dhe të shprehjes në Kosovë”, thuhet në reagimin e këtij asociacioni.

Kodi Penal është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancën plenare, më 20 prill të këtij viti. Ai ka zgjuar më pas reagime e protesta të gazetarëve dhe mediave, të cilat kanë konsideruar se si i tillë, ky kod, përkatësisht këto dy nene, cenojnë dhe rrezikojnë punën e tyre.

Më pas, ishte presidentja Atifete Jahjaga, e cila kishte kërkuar rishqyrtimin e neneve duke thënë se “Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, si dhe me Nenin 22.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj".