Prodhuesit kosovarë kërkojnë më pak taksa

Fotografi ilustruese

Prodhuesit kosovarë ballafaqohen më probleme të ndryshme në zhvillimin e veprimtarive të tyre.

Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, që bën prodhimin dhe përpunimin e patates, kërkon nga autoritete kompetente që të eliminohet taksa doganore për lëndën e parë prej 10 për qind, dhe të përshkallëzohet tatimi mbi vlerën e shtuar.

Aplikimi i kësaj takse, thotë Kosumi, ka bërë që prodhimet e kompanisë “Pestova” të jenë më të shtrenjta në treg, se sa mallrat e importuara nga vende të ndryshme të rajonit.

E kam fjalën për vajin që përdori për çipsa dhe melmesat, pasi të gjitha janë më prejardhje nga Bashkimi Evropian. Unë paguaj 10 për qind taksë, 16 për qind TVSH , mirëpo kur futet taksa dhe transporti ato bëjnë 27.5 për qind”.

Ndërsa konkurrentët e mi prezent në tregun kosovar nuk e kanë taksën e importit të lëndës se parë. Edhe përshkallëzimin e TVSH-së, mundësisht që mos të jetë krejt i njëjtë për çdo produkt, por ta kenë siç e kanë vendet në rajon për rreth”, tha Kosumi.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, thonë se sektori i prodhimit përballet me barriera të shumta doganore dhe administrative.

Eksperti Ibrahim Rexhepi, përmend mungesën e përvojës, mungesën e politikave favorizuese dhe konkurrencën jo të drejtë në treg.

Këto probleme, sipas tij, paraqiten si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal.

Në kufi kontrollet duhet të jenë shumë më të ashpra, qoftë për nga cilësia, për nga çmimi, për nga afatet e qëndrueshmërisë materialeve. E kam këtu posaçërisht për produktet ushqimore, të cilat nuk duhet të vijnë si mbeturina, të cilat gjejnë vend në tregun e Kosovës dhe shkatërrojnë biznesin e brendshëm”, shprehet Rexhepi.

Në anën tjetër, zyrtarë të qeverisë pohojnë se një ndër prioritetet kryesore është edhe përkrahja e bizneseve të vogla dhe të mesme.

Arta Istrefi, këshilltare në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se ka raste të shumta ku kjo ministri ka ndërmarrë veprime për mbrojtjen e prodhuesve vendorë.

Ajo thekson se kanë përgatitur bazë të duhur ligjore dhe kanë bërë reforma në të bërit biznes, që lehtësojnë punën edhe në sektorin e prodhimit

Kemi pasur raste të shumta ku ministria ka ndërmarrë për mbrojtjen e prodhuesve vendorë. Kemi dy ligje në të cilat bazohemi për mbrojtjen e prodhuesve vendor, njëri është ligji për masat mbrojtëse në importe”, thekson Istrefi.

Por, eksperti Ibrahim Rexhepi i quan reforma deklarative dhe asgjë konkrete.

Nëse analizojmë statistikat dhe shohim deklarimet e asociacioneve të biznesit, atëherë del se ato politika më tepër mund të jenë në formë deklarative se sa që vërehen për mes reformave, qoftë të nivelit komunal apo qendror”.

Ndoshta mund të ketë ndryshime në të ardhmen, mirëpo tash për tash nuk duket se ka ndonjë lehtësi sa i përket zhvillimit të biznesit”, thekson Rexhepi.

Sidoqoftë, edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, tashme disa herë kanë kërkuar nga institucionet shtetërore që t’i subvencionojnë në mënyra të ndryshme prodhuesit vendorë, pasi që, sipas tyre, me rritjen e shitjes së prodhimeve vendore përpos që përfiton biznesi, përfiton konsumatori me prodhime më cilësore dhe njëkohësisht përfiton shteti nga mbledhja e tatimeve dhe punësimi