Të gjenden alternativa për mbushjen e arkës!

Ilustrim

Dy institucionet më të rëndësishme të Kosovës, për mbledhjen e të hyrave buxhetore, janë Doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës. Mbushja e buxhetit nga këto dy institucione, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, nuk është mundësi nga më të mirat për një buxhet të qëndrueshëm.

Derisa Kosova po ecën drejt procesit integrues, sipas ekspertëve, një ditë do të jetë pjesë e familjes evropiane dhe në momentin që do të nënshkruhet procesi i stabilizim-asociimit, atëherë të hyrat nga taksat doganore për mallrat dhe produktet që vijnë nga Bashkimi Evropian, do të eliminohen.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thotë se të bazuarit në taksë doganore, është joqëndrueshmëri financiare dhe fiskale.
Mbushja e buxhetit nga të hyrat e taksave doganore nuk është një mundësi ideale për një buxhet të qëndrueshëm brenda një shteti.

“Mbushja e buxhetit nga të hyrat e taksave doganore nuk është një mundësi ideale për një buxhet të qëndrueshëm brenda një shteti. Zakonisht, duhet bërë një dallim se në pikat doganore nuk grumbullohet vetëm taksa doganore, por grumbullohet edhe TVSH-ja në import dhe akciza”.

“Sa i përket TVSH-së në import dhe akcizës janë të hyra më stabile në ekonomi të qëndrueshme, mirëpo sa i përket të bazuarit në taksat doganore, atëherë kjo është jo e qëndrueshme në aspektin financiar”,
thotë Gashi.

Sipas tij, derisa bruto-produktit të brendshëm varet nga importi i produkteve, i mallrave dhe shërbimeve, atëherë kryesisht, siç thotë Gashi, të ardhurat do të vijnë nga pikat doganore dhe stabiliteti buxhetor afat-gjatë nuk do të jetë i sigurt.

Për ekspertin e ekonomisë, Gashi, ekzistojnë mënyra më efikase dhe më të mira për mbushjen e buxhetit.

“Ekzistojnë mënyra. Mënyra më e mirë për të pasur sukses në rritjen e të hyrave është rritja e inkasimit të brendshëm përmes Administratës Tatimore ku aty përfshihen TVSH-ja e brendshme, të ardhurat nga pagat, nga qiratë, të ardhurat nga fitimi etj. Mirëpo rritja e të hyrave buxhetore brenda kufjeve shtetërorë bëhet vetëm nëpërmes rritjes ekonomike, zhvillimit ekonomik”, thekson Gashi.

Aktualisht, në Kosovë mbi 90 për qind e të hyrave që mbushin buxhetin e Kosovës, vijnë nga dy burimet kryesore - Doganat e Kosovës dhe ATK-ja.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Mejdi Bektashi, kjo formë e mbledhjes së të hyrave është një formë që i karakterizon zakonisht shtetet e pazhvilluara.
Bektashi konsideron se kjo paraqet një rrezik për mbushjen e buxheteve të viteve të ardhshme.

Si në shumicën e shteteve tjera që kanë kaluar këtë fazë, gjithmonë ekzistojnë variante të tjera apo burime të tjera plotësuese, nga të cilat mund të mbushet buxheti i Kosovës, siç është tatimi i TVSH-së, rritja ose shtimi i vlerës së TVSH-së, që nuk është edhe aq shumë praktike sepse rrit shkallën e inflacionit”.
Mundësia tjetër është luftimi i ekonomisë joformale që në Kosovë është në shkallën më të lartë në rajon.

“Mundësia tjetër është luftimi i ekonomisë joformale që në Kosovë është në shkallën më të lartë në rajon”, vlerëson Bektashi.

Një burim tjetër alternativ për mbushjen e buxhetit të shtetit, sipas Bektashit, janë edhetatimet në paga, si dhe tatimet nga fitimi i korporatave.

Deri në fund të vitit, Doganat e Kosovës dhe ATK-ja sipas parashikimeve të Qeverisë, duhet të grumbullojnë mbi 1 miliard e 100 milionë euro.

Ekspertë e ekonomisë thonë se kjo shumë është e arritshme dhe se kjo vlerë do të realizohet

“Po unë besoj se me fillimin e aplikimit të CEFTA-s, por edhe të nënshkrimit të marrëveshjeve për tregti të lirë me shumë shtete të rajonit, buxheti i Kosovës do të ketë shkurtime të mëdha të të hyrave që vijnë nga dogana. E vetmja mundësi shtesë për ta rritur buxhetin ose edhe për ta mbajtur në nivel të njëjtë me shumën që është tani, do të ishte shtimi apo zgjerimi i bazës tatimore në Kosovë”, potencon Bektashi.

Sidoqoftë, ekspertët vlerësojnë se Kosova nuk bën të presë edhe në vitet e ardhshme të ketë këtë strukturë të njëjtë, sepse mund të bjerë në një krizë financiare, nga e cila, siç thonë ata, shumë vështirë mund të dilet.