Siria në luftë sektare?!

Damask (Foto nga arkivi)

Derisa dhuna në Siri sa vjen e intensifikohet, të shumtë janë ata që paralajmërojnë një luftë sektare.

“Nëse gjërat nuk ndryshojnë, e ardhmja ka të ngjarë të jetë një represion brutal, masakër, dhunë sektare e madje edhe luftë civile. Të gjithë sirianët do të humbasin”, ka thënë i dërguari ndërkombëtar për krizën në Siri, Kofi Anan, më 7 qershor.

Por, shenjat e një konflikti të tillë tashmë ekzistojnë. Më i qarti nga ta është dukshmëria e milicisë Shabiha. Si pjesë e sektit Alavit, të cilit i përket edhe familja në pushtet, ajo dyshohet për kryerjen e masakrës në Houla, e cila ka lënë 108 persona të vdekur – në mesin e tyre 49 fëmijë.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë shprehur “dyshime të forta” në lidhje me rolin e milicisë në masakër, për shkak të dëshmive të të mbijetuarve. Dëshmitarët thonë se vrasjet në fshatin e vogël sunit kanë nisur me ardhjen e qindra civilëve të armatosur nga fshatrat përreth alavitë.

Fabris Balonsh, drejtor në institutin francez për kërkime “Gremmo”, thotë se nëse dëshmitë e tilla konfirmohen, ato do të ishin prova më e fortë për përcaktimin e luftës.

“Që nga shtatori i vitit 2011 në Homs, ne kemi parë luftë sektare. Pra, keni ushtrinë siriane që lufton kundër opozitës, por opozitën e përbën vetëm popullatë sunite. Ka fare pak njerëz jo-sunitë në Ushtrinë e Lirë Siriane – nuk ka as alavitë, as të krishterë”, thotë Balonsh.

Alavitët, të cilët janë ndarë nga dega shiite e Islamit në shekullin e nëntë, përbëjnë rreth 12 për qind të popullsisë siriane, por janë me ndikim për shkak të dominimit të tyre në qeveri dhe ushtri.

Balonsh, i cili ka studiuar rritjen e alavitëve në pushtet, thotë se tensionet shoqërore janë më të mëdha përgjatë vijave kufitare.

Por, edhe në qytetet e mëdha, Shabiha luan rol në forcimin e regjimit. Anëtarët e saj, të cilët zakonisht veshin bluza të bardha dhe janë të armatosur, rrahin dhe qëllojnë protestuesit edhe pse nuk kanë kompetenca zyrtare.

Shabiha, që do të thotë “fantazmë”, daton që nga koha e babait të presidentit të tanishëm sirian, i cili ka marrë pushtetin me grusht-shtetin e vitit 1970, duke vendosur sundimin alavit.

Njëra nga arsyet përse regjimi sirian e konsideron Shabihan të vlefshme, është pasiguria e tij në lidhje me besnikërinë e të gjitha njësiteve të ushtrisë.

Balonsh thotë se këto shqetësime bëjnë që Damasku të përdorë vetëm një njësi ushtarake – atë të Divizionit të Katërt që udhëhiqet nga vëllai i presidentit Bashar al-Asad – për të kryer luftimet në provincën e trazuar të Homsit.

“Divizioni i Katërt, i udhëhequr nga Maher Asad, është ekskluzivisht alavit - nuk ka as sunitë, as të krishterë, as druzë... Ky divizion përdoret nga regjimi kundër rezistencës shumë rigoroze. Batalionet sunite janë në zonat e tjera, ku ka më pak rrezik, sepse regjimi nuk është i sigurt në besueshmërinë e ushtarëve sunitë”, thekson Balonsh.

Arsyeja tjetër përse Shabiha është e dobishme, është se ajo i ofron qeverisë distancën nga mizoritë.

Derisa vëzhguesit ndërkombëtarë kanë fajësuar milicinë për masakrën në Houla, Damasku ka thënë se vrasjet janë kryer nga civilët, duke fajësuar provokatorët antiqeveritarë.(v.t.)