Shoqëria civile: Projektligji për konfiskimin e pasurisë - i pakuptimtë

Ilustrim

Projektligji për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale, apo versioni i fundit i këtij projektligji i quajtur Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale, është bërë temë debati në mes shoqërisë civile dhe përfaqësuesve institucionalë.

Për këtë projektligj, Lëvizja “Fol” ka mbajtur një debat me përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Petrit Zogaj, nga kjo Lëvizje, i rekomandoi autoriteteve kompetente që të ndryshojnë emrin e draft-ligjit “pasuritë e fituara me kryerjen e veprës penale”, të ndryshohet me “pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme”

Siç e dimë të gjithë, ne kemi problem më kompletimin e kornizës anti- korrupsion në përgjithësi, dhe kemi problem, po ashtu, edhe më pasuritë e paligjshme që janë krijuar në vazhdimësi”.

Ne themi se duhet ët diskutohet pasuria e fituar nga vitet e pasluftës e këndej, ndërsa Ministria e Drejtësisë, nuk e ka një mendim të ngjashëm, dhe për këtë arsye ne kemi reaguar herë pas here me deklarata, konferenca të përbashkëta dhe debate”, tha Zogaj.

Edhe Instituti Demokratik i Kosovës ka qenë pjesë e grupit punues të këtij projektligji.

Driton Selmanaj, nga ky institut, konsideroi se ky projektligj, në këtë formë, është i panevojshëm dhe i pakuptimtë.

Nëse ky ligj nuk ka efekt retroaktiv, është i pakuptimtë. Nëse ky ligj barrën e provës nuk e bartë te i dyshuari, prapë nuk ka kuptim. Nëse ky ligj kufizohet vetëm tek ata që kanë bërë vepra penale, e unë them se ata të cilët kanë ditur të bëjnë miliona euro brenda natës, dinë të mos bëjnë kurrë vepra penale. Dhe si të tillë kurrë nuk mund të ndiqen ata”.

Dhe këtu e vërejmë se shihet një tendencë e qeverisë për të kamufluar opinion publik, gjoja se ne po bëjmë diçka, e në fakt nuk po bëjnë asgjë”, u shpreh Selmanaj.

Në debat morën pjesë edhe deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Albulena Haxhiu, anëtare e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje tha se autoritetet kompetente në vend, që miratojnë ligje për luftimin e korrupsionit, ata hartojnë ligje të “amnistojnë” personat që pasurinë e përfitojnë në mënyrë të paligjshme.

Ky ligj të ketë fuqi prapavepruese, pra, të vlejë për pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme, edhe në kohën kur nuk ka pasur ligj”.

Ne kemi praktika të shumë vendeve tjera, dhe dimë mirë që ato ligje i rregullojnë edhe në kohën kur nuk ka pasur ligj. Dhe jo të amnistohet kjo pasuri e fituar në mënyrë të paligjshme, kur e dihet niveli i kësaj pasurie”, tha Haxhiu.

Në anën tjetër, Halit Krasniqi, anëtar i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës nga Partia Demokratike, tha se grupi parlamentar i kësaj partie është duke diskutuar për këtë çështje dhe se shumë shpejtë do të dal më një qëndrim.

Ne jemi në debat të brendshëm për të ndryshuar vendimin e qeverisë edhe në formë edhe në përmbajtje . Nuk pajtohemi krejtësisht se si e ka konceptuar Ministria e Drejtësisë. Mirëpo krejt këtë ne do të themi individualisht dhe në grup në seancën kryesore kur do të diskutohet”, u shpreh Krasniqi.

Sidoqoftë, organizatat që përbëjnë Forumin Këshillues të OJQ-ve për pakon Ligjore Kundër-korrupsion, e që kanë qenë pjesë e grupit punues të Ministrisë së Drejtësisë (MD) për Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, në fund të muajit të kaluar janë tërhequr nga ky grup pasi që, siç kanë thënë , ata aty kanë qenë vetëm formalisht.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, më herët patën thënë për Radion Evropa e Lirë, se projektligji për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, në pjesën e parë të muajit qershor, do procedohet në qeveri edhe pse një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.