Kriza i pamundësoi Kosovës marrjen e donacioneve

Ilustrim


Gjatë konferencës së donatorëve në vitin 2008, u premtuan 1.2 miliardë euro ndihmë e jashtme për Kosovën. Deri më tani, 864 milionë e mjeteve financiare janë shpenzuar nga donatorët relevantë.

Ekspertët për çështje ekonomike, thonë se kriza ekonomike globale dhe mungesa e kapaciteteve administrative, ka bërë që Kosova të mos mund të absorbojë më shumë mjete nga konferenca e donatorëve.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Lekë Musa, thotë për Radion Evropa e Lirë se premtimet e dhëna në konferencën e donatorëve, nuk do të thotë që të realizohen në tërësi.

Planet e vendit i cili i pranon këto donacione, sipas tij, zakonisht nuk përputhen me planet e vendit që i jep këto donacione.

Sa i përket situatës së Kosovës, mendoj se një shumë e madhe e mjeteve që jepen donacione shkojnë në formën e këshillave për Qeverinë e Kosovës apo administratën. Duke pasur parasysh që aftësitë e këshillave janë mjaft të limituara te Qeveria e Kosovës, nuk ka qenë e mundur të implementohet më shumë”, thekson Musa.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës ka mjaft punë për të bërë në ngritjen kapaciteteve në administratën publike, sidomos në aspektin e dizajnimit të projekteve infrastrukturore, të cilat për momentin janë larg kritereve dhe standardeve që aplikohen nga Bashkimi Evropian.

Administrata në Kosovë endë është larg aftësisë për të absorbuar në një shpejtësi të tillë për t’i mbledhur të gjitha këto donacione që janë premtuar”, shprehet Musa.

Në anën tjetër, drejtori i Instituti Riinvest, Lumir Abdixhiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se arsyeja thelbësore për mosabsorbimin e këtyre mjeteve të donatorëve ka qenë kriza ekonomike globale.

Duhet të kuptojmë se në Evropë dhe më gjerë ka pasur një krizë financiare në vitin 2008 dhe 2009, pikërisht në kohën kur janë premtuar këto donacione. Rrjedhimisht, efekte të krizës globale dhe tash efekte në eurozonë, kanë bërë që shtetet të jenë më respektove në dërgimin e këtyre donacioneve në Kosovë”, thekson Abdixhiku.

Përveç krizës ekonomike globale, Abdixhiku nuk përjashton edhe mundësinë që ka pasur mungesë të projekteve konkrete për tërheqjen e këtyre donacioneve.

Deri më tani, sipas Abdixhikut, me këto mjete të donacioneve, nuk ka pasur investime kapitale.

Donacioni është ndihmë që në çdo moment, është i mirëseardhur. Ne kemi pak rezultate pozitive prej këtyre parave, pasi që një pjesë e madhe e tyre janë kthyer mbrapa te shtetet që i kanë ofruar”.

Në anën tjetër, ne nuk kemi pasur investime kapitale nga këto ndihma, por shumica kanë qenë në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, trajnimeve, etj.”, thekson ai.

Ndërkohë, në Forumin e Tretë të Nivelit të Lartë, të mbajtur ditë më parë, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se mosshpenzimi i të gjitha mjeteve është influencuar nga kriza globale financiare, dhe se një pjesë e konsiderueshme e mjeteve financiare janë në procese të ndryshme të zbatimit.

Sipas tyre, sektorët që kanë përfituar më së shumti nga ndihma e jashtme janë qeverisja dhe sundimi i ligjit.

Ndërsa, shpenzimet në sektorin e transportit, arsimit dhe bujqësisë janë dy herë më të mëdha se zotimet fillestare.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania kanë qenë tre donatorët më të mëdhenj në Konferencën e Donatorëve për Kosovën.

Konferenca e Donatorëve është vlerësuar të jetë shpresa kryesore për rritjen e numrit të të punësuarave dhe uljen e shkallës së varfërisë në Kosovë.