KNKK ua dorëzon vendorëve të dhënat e personave të pagjetur

Foto nga Dita Kombëtare e Personave të Zhdukur, Prishtinë, 27 prill, 2012

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) i dorëzoi sot Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) softuerin e bazës së të dhënave të dizajnuar për menaxhimin, arkivimin dhe standardizimin e të dhënave mbi personat e zhdukur. Kjo bazë e të dhënave lehtëson identifikimin e mbetjeve mortore duke bërë përputhjen e të dhënave ante mortem me ato post mortem, thuhet në një njoftim për media të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

"Softueri thuhet se do të jetë në pronësi të KQPZh-së dhe do të menaxhohet së bashku me Departamentin e Mjekësisë Ligjore (DML), i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Komisioni dhe DML do t’a mirëmbajnë bazën e të dhënave të azhurnuar duke futur të dhënat të cilat i posedojnë lidhur me personat e zhdukur dhe mbetjet mortore para dhe pas identifikimit", thuhet në njoftim.

Në bazën e të dhënave do të përfshihet edhe lista publike e KNKK-së me emrat e personave të zhdukur në Kosovë nga 1 janari 1998 e deri me 31 dhjetor të vitit 2000.

“Me këtë pranim të softuerit, Komisioni Qeveritar po ndërmerr një hap pozitiv drejt themelimit të Regjistrit Qendror për personat e zhdukur”, ka thënë Agim Gashi, shefi i Misionit të KNKK-së në Kosovë.

“Qëndrueshmëria e këtij procesi do të varet nga sigurimi i resurseve të domosdoshme, për të cilën gjë janë zotuar të dy institucionet”, ka thënë ai.

Nga gjithsejt 6 mijë e 24 persona të raportuar nga familjet e tyre në KNKK si të zhdukur në lidhje me ngjarjet në Kosovë, ende 1 mijë e 775 persona mbeten të zhdukur.