Thellohen dallimet në shtresa

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës


Kohëve të fundit të rinjtë kosovarë në ambiente të ndryshme po e ndjejnë diskriminimin social. Disa nga ta thonë se edhe në studime, lokale e në përpjekjet për punësim, tash po vërehet shtresa e pasur dhe e varfër. E, në të gjitha këto raste, pavarësisht aftësisë profesionale, po fitojnë ata të cilët janë të pasur materialisht.

Kështu thonë disa të rinj për rubrikën tonë të përjavshme VOX.



Po, kush bën pjesë në shtresën e pasur dhe të varfër?

Në kategorinë e pasur, sipas tyre, janë fëmijët e politikave dhe bizneseve që mbështesin pikërisht politikanët në Qeveri. Ndërsa, në kategorinë e varfër, janë ata që punojnë me nga tetë orë në institucionet shtetërore, por dhe private, por që punojnë në mënyrë të dinjitetshme, paguajnë taksat, obligimet komunale, pra jetojnë mbi bazën e të ardhurave të tyre.

Samir Misini, nga Mitrovica, është absolvent në Fakultetin e Edukatës Fizike në Universitetin e Prishtinës. Samiri thotë se kohëve të fundit, në masë të madhe po vërehet kategorizimi i shoqërisë në klasë të varfër dhe të pasur.

Siç thotë ai, fëmijët e “baballarëve” të pasur, e që kryesisht punojnë në institucionet vendimmarrëse në Republikën e Kosovës, kanë shtëpi të bukura, bëjnë pushime në bregdete të njohura botërore, shkollohen në kolegje të shtrenjta private në Kosovë dhe jashtë vendit. Dhe në fund, në ndonjë konkurs për vende pune, “të pasurit” punësohen më lehtë, pavarësisht aftësisë së tyre profesionale:

“Fëmijët e personave të pasur, sidomos të këtyre të Qeverisë, shkojnë në universitete private dhe dihet se pa dituri po i marrin notat. Dhe, kur vjen puna për të punësuar, edhe pse ne, nëse e kemi përfunduar me vështirësi fakultetin, edhe pse kemi mësuar dhe studiuar, prapë na rrezikohet vendi i punës. Ndoshta ehde nuk mund të punësohemi fare, për arsye se nuk kemi të njohur dhe nuk jemi fëmijë të qeveritarëve”, thotë Samiri.

Samiri, madje tregon se ka raste kur edhe në Universitetin Publik, studentët ngasin vetura të shtrenjta. Por, ka studentë nga rajone të ndryshme të Kosovës, që për shkak të çmimit të lartë të biletës të autobusit, nuk kanë mundësi që vikendin ta kalojnë me familjet e tyre.

“Vërehen me vetura shumë të mira, luksoze. Ndërkaq, të tjetër nuk kanë para për biletë të autobusit. Unë jetojë në Mitrovicë, çmimet e autobusëve për qytetin tim janë lirë. Por, unë kam shokë dhe shoqe që kanë treguar se nuk po mund të shkojnë në Deçan dhe Prizren, sepse duhet të paguhet bileta deri në 6 euro për një drejtim. Me këtë çmim bileta kthyese është 12 euro, vlerë kjo shumë e lartë për studentët”, tregon Samiri.

Por, Gresa, studente në Fakultetin Juridik, thotë se në ligjërata nuk vërehen shumë, pasi, sipas saj, fëmijët nga shtresa e pasur shkojnë në kolegje private.

“Unë konsideroj se në këtë shtresë hyjnë fëmijët e politikanëve. Në fakultet shumë pak njohim, sepse ata nuk vijnë në Universitet të Publik, por shkojnë në kolegje private, sepse mendojnë se është më lehtë për nota dhe më lehtë gjejnë punë. Këta më ndryshe po e kanë jetën...”, shprehet Gresa.

Kjo dukuri vërehet edhe në shkollat e mesme. Lirije Bektashi është nxënëse në Shkollën e dizajnit “Shtjefën Gjeçovi”. Ajo thotë se nxënësit e pasur dallohen në përdorimin e telefonave dhe gardërobave të firmave të shtrenjta.

“Janë më mendjemëdhenj, i bëjnë reklamë vetes me gardërobë, telefona.
Vërehen, sepse i neglizhojnë të varfrit, i lënë anash, nuk shoqërohen me ta, nuk i ndihmojnë nëse kanë nevojë”
, tregon Lirija.

Edhe shoqja e Lirijes, Blerta, thotë se fëmijët, prindërit e të cilëve kanë më shumë mjete materiale, nuk shoqërohen shumë me nxënësit që jetojnë në kushte më të vështira.

“Po, sigurisht edhe unë e kam vërejtur. Të pasurit nuk u afrohen fëmijëve të varfër, nuk i shikojnë. Kjo nuk është mirë që t’i nënçmojnë të tjerët, duke i larguar nga vetja. Tekefundit më e rëndësishme është aftësia që tregon në shkollë, sesa gjërat që blihen me para. E, në të shumtën e rasteve, nxënës të shkëlqyeshëm janë ata që nuk kanë as kushte mesatare për jetë”, pohon Blerta.

Ndërkaq, i riu tjetër, Kushtrim Gashi, studion në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës, thotë se shumicën e shoqërisë e ka nga shtresa e mesme. Por, megjithatë, ai tregon se si ka raste ku studentët ndahen nga shoqëria për shkak se nuk kanë para as për të paguar një kafe.

“Ndodh kur jemi në studime. Krejt dalin për pirë kafe, kurse ai i varfëri largohet, sepse nuk ka para dhe thotë se po shkoj në shtëpi. Por, në realitet ai ndihet keq dhe largohet. Shoh shumë njerëz të tillë. Shokët e mi janë të shtresës së mesme. Nuk janë as të pasur dhe as të varfër. Secili e ka nga një punë, kam shok që punon konduktor, shankist etj”, thotë Kushtrimi.

E, ajo që mbetet shqetësuese për të rinjtë, është se në Kosovë, të varfrit po bëhen edhe më të varfër, ndërsa të pasurit edhe më të pasur.