Dy ushtarë të KFOR-it dhe të paktën tre serbë lokalë janë plagosur gjatë aksionit të Forcës Paqeruajtëse për heqjen e barrikadave në Rudarë afër Zveçanit. Aksioni për heqjen e barrikadave në rrugë të vendosura nga serbët e veriut është përcjellë me tensione.
Që në orët e hershme të mëngjesit, njësi të KFOR-it kanë përdorur makinerinë e rëndë dhe ekskavatorët me qëllim të heqjes së barrikadës në Rudarë.
Por, me të nisur aksionin, strukturat paralele të pushtetit serb kishin lëshuar alarmet, me çka i sinjalizuan banorët serbë që të dalin në mbrojtje të barrikadës së ngritur.
Për heqjen e barrikadës në Rudarë, KFOR-i është detyruar të përdorë edhe gazin lotsjellës për shpërndarjen e turmës së njerëzve të revoltuar. Me rritjen e tensioneve, KFOR-i ka përfshirë në aksion edhe helikopterët.
Përmes një komunikate, KFOR-i konfirmon se ka kryer me sukses largimin e barrikadës në rrethinë të fshatit Rudarë në veri të Mitrovicë, ndërsa konfirmon edhe një herë “plagosjen e 2 ushtarëve gjatë operacionit të largimit të barrikadës nga sulmi i dhunshëm ndaj ushtarëve të KFOR-it”.
Të dy ushtarët janë plagosur nga të shtënat e armëve, thuhet në njoftimin e fundit të KFOR-it.
Njëri nga ushtarët e plagosur është evakuuar për në spitalin ushtarak në Bondstill dhe më vonë është lëshuar nga spitali.
Duke e dënuar fuqishëm këtë akt të dhunës, paqeruajtësit kanë bërë të ditur se “veprimet e KFOR-it janë gjithmonë të udhëhequra nga parimi i përdorimit të forcës sa më të vogël që është e mundur. KFOR-i është përgjigjur në vetëmbrojtje sipas rrethanave duke përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome”.
KFOR-i nuk lejon që situata të përshkallëzohet më tej dhe është ende i gatshëm për të përdorur nivelin proporcional të forcës minimale për të mbajtur një “ambient të qetë dhe të sigurt”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Millena Cvetkoviq i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë për të paktën tre serb të plagosur. Njëri prej tyre në gjendje të rënë.
“Pacienti i tretë është me plagët më të rënda. Ai është pranuar në spital me plagë mbi gju, me kockën e thyer dhe i plagosur me armë zjarri”, ka thënë doktoresha Cvetkoviq. Kurse dy të plagosurit e tjerë, ka nënvizuar ajo, kishin marrë plagë më të lehta nga plumbat e gomës.
Gjatë këtij aksioni, KFOR-i ka arrestuar disa serbë lokalë që po pengonin atë në detyrë dhe të njëjtit njoftohet se ua ka dorëzuar misionit të EULEX-it për trajtim të mëtutjeshëm.
Në përpjekje për të qetësuar situatën, koloneli Xhozef Linç nga Forca e KFOR-it, ka takuar gjatë ditës kryetarin ilegal të Zveçanit, Dragisha Milloviq. Ky i fundit ka thënë se aksioni i KFOR-it ishte arsyetuar me krijimin e kushteve për liri të lëvizjes. Por, një aksion i tillë, sipas tij, ishte i panevojshëm pasi që KFOR-i ka mundur të lëvizë lirshëm në veri.
“I kam thënë kolonelit se a keni ardhur këtu si mision paqeruajtës apo mision okupues”, ka thënë Milloviq. Ai ka kërkuar reagimin e Beogradin edhe strukturave të BE-së. Kurse, reagimin e serbëve, e ka cilësuar si shpërthim pas padrejtësive 13-vjeçare që, sipas tij, u bëhen serbëve të atjeshëm.
Edhe sekretari në largim në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviq, ka thënë se KFOR-i ka ndërmarrë një “veprim shumë të rrezikshëm”, duke bërë përpjekje për të hequr barrikadën në Rudarë të Zveçanit.
“Më duket se Prishtina dhe KFOR-i shfrytëzojnë vakuumin institucional në Serbi për të ndryshuar gjendjen në terren”, ka deklaruar Ivanoviq.
Pas largimit të barrikadës në Rudarë afër Zveçanit, forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë zvogëluar numrin e ushtarëve të tyre në atë pjesë.
“Kemi ende prani të KFOR-it, por e kemi zvogëluar numrin e ushtarëve në atë pjesë”, ka thënë zëdhënësi Marko Marsegan.
Përndryshe, serbët e veriut kishin vendosur barrikada në rrugë qysh në fund të korrikut të kaluar, kur Qeveria e Kosovës pati ndërmarrë aksionin për shtrirjen e kontrollit të saj në pikat kufitare 1 dhe 31.
http://www.youtube.com/embed/QJo0GiMIdsw?rel=0