Cila është politika e jashtme e Mit Romnit?

  • Heather Maher

Mit Romni

Fushata presidenciale në SHBA përfundimisht ka një kandidat zyrtar që sfidon presidentin Barak Obama në zgjedhjet e nëntorit. Mit Romni siguroi nominimin e Partisë Republikane, duke fituar në zgjedhjet paraprake të Teksasit, të cilat i dhanë delegatë të mjaftueshëm për t’u bërë i nominuari zyrtar i partisë.

Në këtë mënyrë, hedhim një vështrim mbi atë se si Romni- një biznesmen dhe ish guvernator- do të merret me disa nga çështjet thelbësore të politikës së jashtme të SHBA-së, po që se zgjidhet president.


Filozofia e përgjithshme e politikës së jashtme:


Romni ka një ekip këshillues prej më shumë se dhjetëra ekspertë të politikës së jashtme, pothuajse dy të tretat e tyre kanë mbajtur poste në fushën e mbrojtjes, të inteligjencës dhe poste diplomatike nën administratën e Xhorxh. W. Bushit.

Romni e krahason filozofinë e tij të politikës së Jashtme me atë të ish presidentit Ronald Regan.

“Rubrika e përgjithshme e politikës sime të jashtme do të jetë e njëjtë si e Ronald Reganit: d.m.th., ‘paqe përmes forcës’” pat thënë ai.

Ai gjithashtu ka thënë se një “Amerikë e fuqishme është pengesa më e mirë për secilën luftë të zbuluar ndonjëherë”.

Pra, Romni do të përballet me kërcënimin e islamik radikal duke i forcuar shërbimet amerikane të zbulimit, duke i shtuar 100 mijë trupa të reja për ushtrinë, dhe duke i “monitoruar” thirrjet nga Al-Kaida brenda SHBA-së.

Nën presidentin Romni, buxheti për ndihmën e jashtme të SHBA-së do të tkurret. Ai ka thënë se “do të ndalojë së shpenzuari para për secilin shtet që mund të kujdeset për vetveten. Dhe nuk do të shkojë asnjë ndihmë, për ato shtete që kundërshtojnë interesat amerikane.”


Mbi Iranin:


Romni e ka quajtur politikën e Obamës drejt Iranit, “një dështim”.
Në deklaratat e tij për politikën amerikane ndaj Iranit, gjithnjë është përmendur opsioni ushtarak, sikurse edhe gjatë debatit në Partinë Republikane, në nëntorin e kaluar, kur është pyetur nëse ia vlen ët shkohet në luftë me Iranin, për ta penguar atë që të pajiset me armë bërthamore.

Ia vlen që të vendosesh sanksione, ia vlen që të punosh me kryengritësit në vend për të inkurajuar ndryshimin e regjimit, dhe nëse gjithçka tjetër dështon - nëse pas të gjithë punës që kemi bërë, nuk ka asgjë tjetër që mund të bëjmë, përveç se të ndërmarrim veprime ushtarake - atëherë sigurisht që do të ndërmerren veprime ushtarake”, pat thënë Romni.

Romni kohët e fundit shkroi në “Washington Post” se ai do të shtyjë përpara sanksione të ashpra, si dhe do “të flasë në emër të kauzës së demokracisë në Iran dhe do të mbështesë disidentët iranianë ...”

Por, “më e rëndësishmja,” ka shkruar ai, “unë do të forcojë diplomacinë time me një opsion ushtarak që do t’i bindë ajatollahët të braktisin ambiciet e tyre bërthamore.” Kjo do të thotë mbajtja e aeroplanmbajtësve në Mesdheun Lindor dhe Gjirin Persik si dhe rritja e ndihmës ushtarake për Izraelin.


Mbi Afganistanin dhe Pakistanin:


Pozicioni kryesor i Romnit mbi Afganistan është kritika e tij ndaj Obamës për caktimin e datës për tërheqje në vitin 2014, gjë për të të cilën ai thotë se do t’ia mundësojë armikut, që thjesht ta presë momentin.

Pozita e tij mbi tërheqjen është e paqartë. Ai kohët e fundit i tha Fox News se “para se unë të marrë një qëndrim se si të veprojë, dua të marrë të dhëna nga njerëzit që janë atje”, duke aluduar në komandantët ushtarakë në terren.

Politika mbi Afganistanin dhe Pakistanin e Romnit përfshin qëllimin e gjetjes së një marrëveshjeje nga Kabuli dhe Islamabadi.
Në intervistën e njëjtë për Fox News, ai sugjeroi që të përdoret më shumë shkopi sesa karota.

Shtetet e Bashkuara gëzojnë një ndikim të rëndësishëm mbi të dyja këto vende”, tha ai.

Ne nuk duhet të jemi të rezervuar që ta përdorim atë.”

Romni gjithashtu tha se do t’ia bëjë të qartë presidentit afgan Hamid Karzai se çfarë duhet të bëjë një lider afgan, për të ndihmuar përfundimin e luftës.

Unë do të flas me presidentin Karzai. Do të flas me presidentin Karzai rregullisht, ditë-për-ditë. Trupat tanë atje janë të rrezikuar. Pothuajse 1 mijë e 800 burra dhe gra na janë vrarë në Afganistan. Është në interesin tonë që të sigurohemi që kjo të përfundojë mirë dhe se misioni ynë është i suksesshëm atje, se kemi një Afganistan që është në gjendje të ruajë sovranitetin e tij kundër talebanëve, e gjithashtu edhe kundër Al-Kaidës”, ka thënë Romni.


Mbi Rusinë:


Romney tërhoqi shumë vëmendje në fillim të këtij viti kur në një intervistë në CNN-in e tha këtë për Rusinë:

Ajo është pa dyshim, armiku ynë numër një gjeopolitik”.

Planprogrami i tij zgjedhor, mbi Rusinë, paralajmëron se “vendi është një forcë destabilizuese në skenën botërore,” dhe rendit arsyet pse:

Ndikimi i Kremlinit mbi furnizimet energjetike të Evropës Qendrore dhe Evropës Perëndimore, rezervat e armëve bërthamore, e kaluara r ndërhyrjeve agresive ushtarake, dhe fuqinë që e ka në institucionet multilaterale si Kombet e Bashkuara.

Romni thotë se ai do të ndryshojë politikën e Obamës, që synonte “shkurajimin e sjelljeve agresive ose ekspansioniste.”

Kjo, për fillim, nënkupton rishikimin e zbatimit të traktatit të ri START.

Po ashtu, kjo nënkupton se Romni si president do të përpiqet që të reduktojë ndikimin e Rusisë në sferën ish-sovjetike duke forcuar lidhjet e SHBA-së me shtetet e Azisë Qendrore me anë të trajnimeve ushtarake dhe ndihmës si dhe pakteve të reja tregtare dhe shkëmbimeve arsimore.

E fundit por jo më pak e rëndësishmja, Romni thotë se administrata e tij do të jetë “e hapur për t’u përballur me qeverinë ruse mbi praktikat e saj autoritare” si dhe për të inkurajuar rrjedhën e informacioneve që promovojnë vlerat demokratike dhe mundësitë ekonomike.

Lista e zgjedhur e këshilltarëve të Romnit për politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare:

Ndër emrat më të shquar përfshihen Kofer Bllek, ish koordinator i Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër terrorizmit; Majkëll Hajden, ish drejtor i CIA-s dhe drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë; Erik Edelman, ish nënsekretar i mbrojtjes, Paula Dobrianski, ish nënsekretare e shtetit për demokraci dhe çështje globale; Majkëll Çertof, ish sekretar i sigurisë kombëtare dhe Robert Xhosef, ish nënsekretar për kontrollin e armëve dhe sigurinë kombëtare.(a.i.)

E tërë lista gjendet në këtë link:

http://www.mittromney.com/blogs/mitts-view/2011/10/mitt-romney-announces-foreign-policy-and-national-security-advisory-team