Nuk këndon himnin, Lajiq largohet nga kombëtarja e Serbisë

Tifozë serbë

Federata e futbollit e Serbisë tha se trajneri i ri i kombëtares Sinisha Mihajloviq ka larguar Adem Lajiqin nga ekipi, pasi ka refuzuar të këndojë himnin kombëtar të Serbisë.

Lajiq, një pjesëtar i pakicës myslimane të Serbisë, refuzoi të këndojë përpara miqësores së të shtunës me Spanjën, në të cilën Serbia humbi 2-0.

Lajiq, i cili luan për klubin italian të Fiorentinës tha se ai nuk do të këndojë himnin në të ardhmen për shkak të "arsyeve personale".

Mihajlloviq u shkarkua si trajner i Fiorentinës vitin e kaluar dhe u bë trajner i ekipit kombëtar të Serbisë në javën e kaluar me një kontratë dy-vjeçare.

Ai i ka shtyrë lojtarët të nënshkruajnë kodin e sjelljes, ku përfshihet zotimi për të kënduar himnin kombëtar.