Tadiq apo Nikoliq - njësoj për Prishtinën

Boris Tadiq dhe Tomisllav Nikolliq


Këtë të diele, qytetarët serbë do të zgjedhin në raundin e dytë të votimeve të preferuarin e tyre për postin e presidentit të Serbisë.

Derisa vlerësohet të jetë i rëndësishëm për politikat e ardhshme në Beograd dhe Bruksel, rezultatit i garës ndërmjet liderit të Partisë Demokratike, Boris Tadiq, dhe atij të Partisë Progresive, Tomisllav Nikoliq, nuk ka zgjuar dhe aq kureshtjen e Prishtinës e cila duket se “nuk e çan kokën” për përbërjen e re të qeverisë serbe.

Përfaqësues të ekzekutivit kosovar u patën shprehur në mbështetje të një qeverie pro-evropiane në Serbi, por patën thënë se procesi integrues i vendit nuk varet nga pushteti serb.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim i përbashkët për të dyja vendet, por dallimet dalin në pah kur bëhet fjalë për mënyrat e realizimit të këtij synimi.

Drejtori i Forumit për marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, tha se kushdo që të jetë në krye të qeverisë së re nuk do ta ketë mbështetjen e shumicës për të ndryshuar politikën ndaj Kosovës.

Serbia, sipas tij, nuk është ende e gatshme të pranojë se do të hyjë në Bashkimin Evropian pa Kosovën.

Nëse në Serbi insistoni që Kosova të jetë brenda Bashkimit Evropian, do të thotë se insistoni që Kosova të mbetet e Serbisë. Mendoj se në realitet kemi një transformim tjetër që parasheh ecjen e përbashkët të Kosovës e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Por, për këtë ide nuk do të ketë mbështetje të mjaftueshme as Tadiqi e as Nikoliqi”,vlerësoi ai.

Avancimi në procesin integrues në BE, që deri më tani është përdorur si mjet për ta nxitur Serbinë të përmirësojë raportet me Kosovën, sipas Janjiqit nuk do t’i mjaftojë qeverisë së ardhshme serbe.

Kjo e fundit, sipas tij, është e interesuar në përdorimin e “kartës së përfitimeve financiare” nga Brukseli, ndërsa është e gatshme që “në heshtje” të marrë mjete edhe nga Moska.

Megjithatë, një lëshim që Serbia ka bërë ndaj kërkesave të BE-së në raport me Kosovën, sipas kreut të Forumit për marrëdhënie Etnike në Beograd, është shpërbërja e ministrisë serbe për Kosovën.

Ky ndryshim, sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit për Politika Zhvillimore, Krenar Gashi, nuk do të ndryshojë dhe kalkulimet politike të Serbisë ndaj Kosovës.

Kësisoj, edhe fakti që mbase nuk do të ketë ministri serbe për Kosovën, nuk do të thotë shumë, për arsye se Qeveria e Serbisë vazhdimisht ka gjetur mënyra të ndryshme për të minuar rendin dhe qetësinë në Kosovë, duke i përkrahur strukturat paralele, qoftë një pjesë të tyre përmes kësaj ministrie, mirëpo edhe përmes ministrive të tjera të linjës”, theksoi ai.

Edhe pse njohja e Kosovës nga Serbia vazhdon të mbetet jashtë listës së parakushteve për progresin e shtetit serb në procesin integrues në BE, normalizimi i raporteve me palën serbe figuron në krye të kësaj liste.

Kërkesa thelbësore që qeveritë evropiane ia drejtuan përgjatë muajve të kaluar Beogradit, ishte zhbërja e strukturave paralele serbe në Kosovë.

Mirëpo, edhe kjo vlerësohet të jetë një proces që mund të marrë vite, për shkak të varësisë së deritashme që serbët, sidomos ata të veriut të Kosovës, kanë pasur nga qeveria në Serbi dhe për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj autoriteteve kosovare.