Kritikat ndaj Brukselit, me vend apo patetike?

Bruksel

Ndryshimi, i cili vërehej, ditëve të fundit, në fjalorin që përfaqësues të Qeverisë së Kosovës përdornin kur flisnin për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, qasjen e këtij mekanizmi ndaj Kosovës dhe bashkëpunimin Prishtinë-Bruksel, komentohet në mënyra të ndryshme nga njohësit e integrimeve evropiane dhe zyrtarët kosovarë të angazhuar në procesin integrues.

Deklaratat optimiste për avancim në agjendën evropiane që dëgjoheshin nga ekzekutivi i vendit me bindjen se janë përmbushur kriteret e nevojshme që Kosova ta marrë udhërrëfyesin zyrtar për liberalizimin e vizave dhe të konkludojë një Studim të suksesshëm të Fizibilitetit për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, morën javëve të fundit trajtën e kritikave dhe kërkesave ndaj BE-së.

Avni Mazreku, njohës i integrimeve evropiane, shpjegoi se hezitimi i pesë shteteve anëtare të BE-së për ta njohur Kosovën ia pamundëson këtij mekanizmi të vendosë marrëdhënie kontraktuale me vendin.

Megjithatë, sipas tij, nuk i takon Qeverisë kosovare ta kritikojë Bashkimin Evropian, meqë nuk janë përmbushur në tërësi kriteret teknike të kërkuara nga ajo.
Kur dëgjojmë kritika të tilla, mua më duket paksa patetike, për shkak se e para kritikë që do të duhej të shtrohej në këtë rast do të duhej të ishte vetëkritika.


“Kur dëgjojmë kritika të tilla, mua më duket paksa patetike, për shkak se e para kritikë që do të duhej të shtrohej në këtë rast do të duhej të ishte vetëkritika. Ne e kemi një administratë publike, e cila është tejet burokratike”.

“Në fakt, vetë kjo administratë është pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe shkakton vështirësi për jetën e përditshme të qytetarëve. Kur i shohim krejt këto aspekte me një dimension pak më të gjerë, konkludimi do të duhej të ishte që Qeveria e Kosovës është e fundit që do të duhej të kritikonte Bashkimin Evropian”, tha Mazreku.

Ditë më parë, kryeministri Hashim Thaçi drejtoi një varg kritikash në adresë të Bashkimit Evropian lidhur me procesin integrues të Kosovës me vlerësimin se Brukseli po ecën me hapa të ngadaltë duke e stërzgjatur procesin.

Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, Lutfi Haziri, tha se kritikat e tilla janë të vonshme meqë edhe vetë mekanizmat evropian të angazhuar në vend nuk kanë kryer, përgjatë katër viteve të fundit, detyrat, për të cilat ishin instaluar në vend.

Haziri foli për nevojën e shtimit të veprimeve konkrete në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, por edhe në reformimin e sektorit të drejtësisë dhe të administratës publike, por tha se i takon Brukselit zyrtar t’i përmbushë premtimet e veta dhënë autoriteteve kosovare.

E tërë kjo, sipas tij, pritet të qartësohet më vonë gjatë këtij viti, pas përfundimit të punës së Komisionit fakt-mbledhës për vërtetimin e përmbushjes së kritereve të përmendura në Studimin e Fizibilitetit, me të cilin Kosovës do të mund t’i hapej rruga për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.
Nëse Kosova nuk përfshihet në këtë mekanizëm, praktikisht konfirmohet dallimi që ka Brukseli në raport me Kosovën...

“Nëse Kosova nuk përfshihet në këtë mekanizëm, praktikisht konfirmohet dallimi që ka Brukseli në raport me Kosovën, sepse është i vetmi shtet që ende nuk e ka udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave”.

“E dyta, nëse Kosova nuk përfshihet në Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, atëherë Kosova do të mbetet prapë peng i një premtimi, i cili i është konfirmuar më 2 dhjetor nga Këshilli i Ministrave, ndërsa ishte sjellë më 17 mars në Prishtinë nga Komisionari Shtefan Fyle”,
u shpreh Haziri.

Por, Mazreku theksoi se BE-ja nuk mund t’ia kryejë palës kosovare reformat e nevojshme për përfshirjen në proceset integruese.

“Qeveria e Kosovës duhet të ketë vullnet politik për të mos e përdorur administratën publike të shtetit dhe institucionet publike të shtetit në tërësi, si instrument përmes të cilit i fiton zgjedhjet e radhës, por duhet t’i ketë si instrumente që e bëjnë efikas e funksional shtetin e Kosovës”, vlerësoi Mazreku.

Me shpresën se do të mund të avancojë në agjendën evropiane, Kosova pati nisur, në mars të vitit 2011-s, dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja me Beogradin.

Derisa shteti serb, në fund të vitit të kaluar, fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, Kosovës iu kërkua më shumë përkushtim në sundimin e ligjit dhe reforma të tjera të nevojshme.