Evazioni fiskal, problem për sektorin privat

Dyqan në Prishtinë (Foto nga arkivi)

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), dhe Instituti “Riinvest”, të hënën publikuan raportin e shtatë të Zhvillimit Njerëzor, i titulluar Sektori Privat dhe Punësimi.

Ky raport thekson nevojën e përqendrimit më të madh të autoriteteve kompetente në zgjerimin e sektorit privat, në mënyrë që të rritet edhe numri i të punësuarve.

Me këtë rast, Osnat Lubrani, koordinatore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, theksoi se ky raport adreson një nga sfidat më të thella të pas-konfliktit në Kosovë – kapacitetin e ekonomisë për të ofruar vende pune dhe rritje.

“Sektori privat ka një rol krucial dhe vendimtar në krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Lubrani, duke shtuar se për përmirësimin e kësaj fushe nevojitet zbatimi i ligjeve.

“Dëshira për punë të denjë është njëra nga më kryesoret e të gjitha nevojave njerëzore. Për një familje mesatare kosovare, puna e denjë do të thotë më shumë ushqim kalorik në tavolinë, shtëpi më e mirë për banim, shëndet më i mirë dhe më shumë liri”.

“Përtej këtyre thelbësoreve, do të thotë dinjitet dhe fuqizim, mundësi për të ndërtuar dhe shkëmbyer dituri, për t’u bërë më të aftë dhe për t’i transferuar ato aftësi te të tjerët - në veçanti te fëmijët”, theksoi Lubrani.

Ndërsa, Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”, tha se sektori privat nuk po arrin të jetë forcë gjeneruese e zhvillimit ekonomik në vend, për shkak të evazionit fiskal, nivelit të lartë të korrupsionit dhe mungesës së forcimit të ligjeve.

Ky ambient biznesor, thotë ai, sektorin privat nuk po e lejon të marrë frymë.

Me qëllim që zhvillimi ekonomik të varet nga sektori privat, Abdixhiku kërkoi nga institucionet vendore, ndërkombëtare, shoqëria civile dhe akterët tjerë që të drejtojnë një strategji që stimulon zhvillimin ekonomik përmes sektorit privat.

Ndërsa, zyrtarë qeveritarë theksuan angazhimet që po bëjnë në këtë drejtim. Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari- Lila, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë, tha se me qëllim të përmirësimit të kushteve në këtë sektor, kjo ministri tashmë ka bërë disa reforma në të bërit biznes.

“Me gjitha faktin se ju, në raportin tuaj, thoni se ne sot kemi një sektor publik që duket i pandjeshëm ndaj përpjekjeve të bizneseve, më duhet të them se ne sot po bëjmë punë dhe përpjekje për ta ndryshuar këtë realitet”.

“Ndryshimet tashmë janë të matshme dhe përfshijnë reforma në reduktimin e një numri të konsiderueshëm të procedurave, kohës dhe shpenzimeve për fillimin e biznesit”
, u shpreh Kusari- Lila.