“Loja politike” me të pagjeturit

Emrat e personave të pagjetur (Foto nga arkivi)

Familjarët e personave të pagjetur i kërkuan Kuvendit të Kosovës të mos e rikthejë në votim mocionin e miratuar të enjten që parasheh kushtëzimin e bisedimeve me Serbinë me çështjen e të pagjeturve në Kosovë.

Me synimin që, siç thuhej, të trokasin në ndërgjegjen e deputetëve, disa përfaqësues të familjeve të mbi 1700 personave të pagjetur në Kosovë, mbajtën një konferencë për media para ndërtesës së legjislativit të vendit, ku theksuan rëndësinë që mocioni i së enjtes të mos pësojë ndryshime.

Duke shfaqur dyshime për prapavijën e propozimit të Partisë Demokratike të Kosovës që mocioni në fjalë të rishqyrtohet, kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova, Nysrete Kumnova, kërkoi këmbënguljen e institucioneve përgjegjëse për kushtëzimin e bisedimeve me Serbinë.
Sikur të kishin qenë këmbëngulës gjithmonë (e sikur të kishin qëndruar) prapa familjarëve, sot situata në Kosovë do të ishte krejt ndryshe.

“Këta duhet të jenë këmbëngulës. Sikur të kishin qenë këmbëngulës gjithmonë (e sikur të kishin qëndruar) prapa familjarëve, sot situata në Kosovë do të ishte krejt ndryshe. Ne jemi duke u kthyer prapa me shekuj e lëre më që njerëzit tanë nuk kërkohen”, tha Kumnova.

Në seancën plenare të së enjtes, ligjvënësit kosovarë kishin kërkuar që bisedimet me Serbinë të mos vazhdojnë pa zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur.

Mocioni ishte votuar edhe nga anëtarët e PDK-së, e cila një ditë më pas kërkoi rishqyrtimin e mocionit në fjalë. Kishte pasuar braktisja e seancës nga përfaqësuesit e partive opozitare dhe shtyrja e saj për javën që vjen.

Halit Berisha nga shoqata “Shpresimi” në Suharekë, shfaqi drojën që mocioni që parasheh kushtëzimin e bisedimeve me palën serbe me çështjen e të pagjeturve të “zhvleftësohet” siç ishte “zhvleftësuar” mocioni për reciprocitet me Serbinë - i miratuar disa muaj më parë me iniciativën e partisë Vetëvendosje.

“Partia më e madhe do t’i bëjë votat dhe jemi plotësisht të bindur se do ta votojnë dhe do ta rrëzojnë, mirëpo ne, si familjarë, po i falënderojmë të gjithë deputetët që kanë diskutuar e që e kanë votuar këtë mocion. Të tjerët të cilët votojnë kundër vetëm Zoti ju bëftë çfarë di ai më së keqi”, theksoi Berisha.

Organizatat për të drejtat e njeriut në Prishtinë, ndërkaq, vlerësuan se po luhet politikisht me fatin e të pagjeturve në Kosovë.

Prishtina në Ditën kombëtare të Personave të Pagjetur, 27 prill 2012.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala, e quajti të kotë nismën e Kuvendit që bisedimet me palën serbe të kushtëzohen me çështjen e personave të pagjetur. Ai tha se do të bëhet presion nga ndërkombëtarët që të mos mbështetet një veprim i tillë.

“Pavarësisht se çfarë rezolute apo çfarë qëndrimi merr Kuvendi për kushtëzimin e bisedimeve me Serbinë, ai nuk vlen ‘pesë para’, sepse mjafton të vijë një zyrtar i një ambasade të huaj në Prishtinë e t’i mbledhë ose shefat e grupeve parlamentare ose dikë tjetër dhe automatikisht ata do ta rrëzojnë atë vendim, ose do ta shtyjnë projektin e tyre”, theksoi Shala.

Autoritetet vendore, që nga paslufta, kanë përsëritur vazhdimisht kërkesën për presion të shtuar ndaj Beogradit zyrtar rreth zbardhjes së fatit të personave të pagjetur në Kosovë.

Zotimin që çështja e të pagjeturve të futet në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd e pati dhënë, qysh kohë më parë, kryetarja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, mirëpo kritikat për mungesë rezultatesh në këtë drejtim i janë drejtuar edhe kësaj të fundit.