Bizneset “fantome” rrisin korrupsionin

Ilustrim


Korrupsioni ka mbërthyer edhe bizneset private, madje për të mbijetuar dhe për të pasur sukses në veprimtarinë e tyre, kompanitë e mëdha në Kosovë janë të ndërlidhura ngushtë partitë politike, duke i krijuar favore të ndërsjella njëra tjetrës, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin “Riinvest” konsideron se disa nga bizneset kosovare nuk mund të mbijetojnë pa mbështetjen e qeverisë.

Ai thotë se dhënia e tenderëve kompanive të preferuara të ekzekutivit, është kushti kryesor që po krijon rritjen e korrupsionit në rrafshin ekonomik.

Po, ka forma të ndryshme të korrupsionit, ka ndërmarrje ‘fantome’, që nuk ekzistojnë, e të cilat regjistrohen dhe krijohen vetëm për marrjen e tenderëve qeveritarë, kryerjen e këtyre punëve shpejtë”.

Në anën tjetër, ka firma të cilat shuhen menjëherë pas përfundimit të këtyre punëve. Por, them në përgjithësi, kemi të bëjmë më një paqëndrueshmëri totale të kryerjes se punëve të këtyre firmave, pasi po them edhe një herë se ato janë firma fantome”, thotë Abdixhiku.

Edhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, vlerësojnë se partitë politike dhe biznesi në Kosovë, janë të ndërlidhura bashkërisht në botën korrupsionit, duke ofruar shërbime njëra tjetrës.

Sipas tyre, kompani të ndryshme private financojnë fushatat e partive politike, ndërsa këto të fundit pas ardhjes në pushtet, kompani të caktuara i shpërblejnë më tenderë, edhe nëse nuk i plotësojnë kushtet e kërkuara sipas ligjeve.

Avni Zogiani, udhëheqës i Organizatës për Demokraci, Anti Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, thekson se sektori privat nuk ka ambient të punojë, nëse nuk është i lidhur me politikën, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal.

Momentalisht kemi të bëjmë me një parti më të fortë që po ndikon në përgjithësi në tenderë publikë. Po e njëjta situatë qëndron në nivele të tjera qeverisëse, gjegjësisht në komunat që nuk janë të PDK-së”.

E njëjta klimë ekziston edhe në komunën e Prishtinës, ku kryesisht kompanitë e afërta që kanë financuar LDK-në, marrin tenderë”, shprehet Zogiani.

Sipas një raporti të mëhershëm të kësaj organizate, rezulton se 43 subjekte të ndryshme, kryesisht kompani ndërtimore, biznese dhe persona fizikë që kanë financuar Partinë Demokratike të Kosovës në dy fushatat e fundit elektorale, kanë përfituar mbi 100 milionë euro nga tenderët publikë.

Lumir Abdixhiku, ndërkaq, thekson se konkurrenca jo e drejtë në këtë sektorë, rezulton me mbijetesën e kompanive të caktuara, por edhe më shuarjen e bizneseve tjera.

Është e qartë se konkurrenca jo e drejtë, sjellë shumë pasoja, pasoja e parë: i largon nga tregu të gjitha kompanitë që nuk kanë efiçiencë të lartë; e dyta: i jep punë dhe para firmave që nuk e kanë për qëllim fitimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës, por kanë për qëllim shpëlarjen e parasë”.

Pra, në aspektin ekonomik, një interaksion i tillë mes qeverise përmes tenderëve dhe firmave, është jashtëzakonisht i dëmshëm dhe nuk krijon vlerë. Dhe kjo është një ndër arsyet pse në Kosovë, rritja ekonomike nuk po krijon vlerë dhe nuk po krijon vende të reja të punës”, thotë Abdixhiku.

Shqetësuese, sipas Abdixhikut dhe Zogianit, mbet fakti se kjo dukuri nuk është duke u luftuar, por dita ditës po gjen hapësirë më të madhe në vend.

Por, zyrtarët e Kosovës, tashmë kanë deklaruar se qeveria nuk ka lidhje me komunitetin e biznesit.

Sipas tyre, ekzekutivi ka krijuar ambient të përshtatshëm për zhvillimin e veprimtarive të tyre, dhe në asnjë mënyrë dhe në asnjë kompani nuk ka interesa të caktuara.