Me vlerësimin se është ende në fillim të procesit integrues për në Bashkimin Evropian, Kosova shënoi me një varg aktivitetesh 9 Majin - Ditën e Evropës.
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuell Zhbogar, i tha Radios Evropa e Lirë se, ndonëse e fundit në rajon, Kosova është në rrugë të mbarë në procesin e integrimit evropian.
Zhbogar shfaqi shpresën që në vjeshtën e këtij viti të Kosova të jetë në gjendje ta nënshkruajë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE-në, por theksoi se i takon palës kosovare t’i zbatojë reformat e kërkuara në sundimin e ligjit, procesin e demokratizimit, atë të reformave ekonomike dhe të tjera.
Diplomati slloven theksoi rëndësinë për një përkushtim më të madh në dialogun për sundimin e ligjit, që pritet të lansohet në fund të këtij muaji, dhe për krijimin e një agjende gjithëpërfshirëse për veriun e Kosovës.
Rëndësia për vendosjen e një dialogu më politik për problemin e veriut është theksuar përgjatë muajve të kaluar vazhdimisht nga diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë.
Një dialog i tillë thuhej se do të mund të niste në vjeshtën e këtij viti pas formimit të qeverisë së re në Serbi, por Zhbogar u shpreh në mbështetje të një dialogu të brendshëm që do të zhvillohej ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve lokalë të veriut të Mitrovicës.
I pyetur për rolin eventual të Beogradit zyrtar në këtë proces, ai theksoi:
Kur bëhet fjalë për përfshirjen e Serbisë: për këtë duhet të vendosin njerëzit në Kosovë...
“Kur bëhet fjalë për përfshirjen e Serbisë: për këtë duhet të vendosin njerëzit në Kosovë - pra, në momentin kur ata mendojnë se duan të flasin me Serbinë për disa nga çështjet ku ata mund të jenë të angazhuar, si edukimi dhe gjërat e tjera që përmenden në Planin Ahtisari. Ajo që mendoj se duhet të fillojmë është dialogu këtu në Kosovë me komunitetin në veri”.
Integrimi i veriut të Mitrovicës në jetën shoqërore e institucionale të vendit vlerësohet të jetë në mesin e sfidave në procesin e integrimit evropian të Kosovës, ku po ashtu figurojnë, luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar, depolitizomi i sistemit gjyqësor, reforma e administratës publike dhe të tjera.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, tha se në vitin e ardhëm 9 Maji do të hiqet nga kalendari i festave zyrtare. Për të hyrë në BE, sipas saj, duhet të punohet në drejtim të zbatimit të reformave.
“Unë e kuptoj këtë demonstrim të sotëm si një mundësi e jona për të dërguar sinjale të forta në Bruksel që ne duam të jemi pjesë e familjes evropiane, por përfundimisht pjesë e BE-së do të bëhemi atëherë kur t’i përmbushim reformat dhe detyrimet”, u shpreh Çitaku.
Vendet e Bashkimit Evropian më 9 Maj rikujtojnë nismën e ministrit të Jashtëm francez, Robert Schuman, për themelimin e mekanizmit, pjesë e të cilit janë.