SHBA e shqetësuar për rastin "Bytyçi"

Lamtumira e fundit për vëllezërit Bytyçi, Prishtinë, 27 shkurt 2002

SHBA-ja është shumë e shqetësuar që deri më sot askush nuk është dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999 dhe e fton qeverinë serbe që “pa vonesë t’i vërë përgjegjësit para drejtësisë”, i është thënë agjencisë Beta në Ambasadën Amerikane në Beograd, pas shfajësimit të të pandehurve në këtë rast.

“Vendimi i sotëm, në gjykimin e përsëritur kundër dy të akuzuarve se kanë dërguar vëllezërit Bytyçi në një kamp në Serbinë Lindore, ku edhe janë vrarë, tregon se ata që kanë ndihmuar dhe kryer këto vrasje, ende nuk janë arrestuar dhe s’janë sjellë para drejtësisë”, ka thënë ambasada amerikane.

“Presim që autoritetet serbe, pa vonesa tjera, të sjellin para gjyqit të gjithë indivdët të të gjitha niveleve, që janë përgjegjës për këto vdekje. Ky mbetet prioritet i lartë në marrëdhëniet tona dypalëshe”, citohet të ketë thënë Ambasada Amerikane.

Kjo e fundit, ka thënë se vëllezërit Agron, Ylli dhe Mehmet Bytyçi në Serbi janë kapur si robër të luftës, derisa kanë bërë përpjekje që t’ia shpëtojnë jetën një familjeje rome nga Kosova dhe, siç thuhet, “janë ekzekutuar” pa gjykimin e duhur.


Rasti "Bytyçi": Gjykata shfajëson të akuzuarit

Dhoma për krime lufte e Gjykatës së Lartë në Beograd ka shfajësuar sërish Sreten Popoviqin dhe Millosh Stojanoviqin, nga akuzat se kanë ndihmuar në vrasjen e vëllëzërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, në Petrovo Sello në vitin 1999.

Lajmin e kanë dhënë mjetet serbe të informimit.

Duke e arsyetuar aktgjykimin, kryetari i panelit, Rastko Popoviq, ka thënë se "gjatë përsëritjes së procedimeve, nuk është vërtetuar se Popoviq dhe Stojanoviq kanë ndihmuar pesonat X në vrasjen e vëllëzërve Bytyçi".

“Nuk është vërtetuar se kanë kryer vepër penale dhe nuk mund të vërtetohet se me cilat vepra kanë kontribuuar në kryerjen e veprës penale”, ka thënë gjykatësi Popoviq.

Zëvendësprokurori për krime të luftës, Dragolub Stankoviq, në fillim të muajit prill, në fjalën përfundimtare, kishte thënë se për veprën penale, për të cilën akuzoheshin dy pjesëtarët e ministrisë së brendshme të Serbisë, parashihej dënimi prej së paku pesë vitesh burg.

Procesi gjyqësor për ndihmë në vrasjen e vëllëzërve Bytyçi, ka filluar në vitin 2006 dhe janë dëgjuar 105 dëshmitarë.

Gjykata e Apelit në Beograd e kishte anuluar vendimin e shkallës së parë të këshillit të dikurshëm për krime të luftës të Gjyqit të Qarkut në Beograd, sipas së cilës të akuzuarit Popoviq dhe Stojanoviq ishin liruar nga akuzat dhe ka urdhëruar proces të ri, raportojnë mediat beogradase.

Pas këtij vendimi, në vitin 2009 ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd pati shprehur shqetësimin se askush nuk është dënuar për vrasjen e Agron, Ylli dhe Mehmet Bytyçit.

“Presim që autoritetet të sjellin para drejtësisë përgjegjësit për vrasjen e vëllezërve Bytyçi”, thuhej në deklaratën e Ambasadës amerikane në Beograd.


Aktakuza

Sipas aktakuzës, i akzuari i parë Sreten Popoviq i njohur me emrin “Pop”, më 8 korrik të vitit 1999, e ka urdhëruar të akuzuarin e dytë, Millosh Stojanoviq, që t’i burgos vëllëzërit Bytyçi, pas lirimit nga burgu në Prokuple, ku të tre vëllëzërit e kishin vuajtur dënimin për shkak të hyrjes ilegale në Serbi nga Shqipëria.

Siç thuhet në aktakuzë, Stojanoviq, sipas urdhërit të Popoviqit, vëllëzërit Bytyçi i ka dërguar në një qendër të ministrisë së brendshme të Serbisë në Petrovo Sello, ku i ka mbyllur, ndërsa të nesërmen, më 9 korrik 1999, në orët e vona të mbrëmjes, i ka dorëzuar te pjesëtarët e MUP-it të Serbisë, të cilët i kanë vrarë.

Vëllëzërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, janë vrarë me plumb në pjesën e prapme të kokës, ndërsa trupat e tyre të pajetë janë gjetur në vitin 2001, në varrezën masive në Petrovo Sello.

Vëllëzërit Bytyçi ishin shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova.(f.b.)