Bojkoti ndaj Ukrainës prek Poloninë

Ukrainë...

Projekti ambicioz i Polonisë dhe Ukrainës për të organizuar Kampionatin e Futbollit Euro 2012 ka pasur qëllim të nxisë integrimin më të shpejtë të Ukrainës në Evropë. Tani, vetëm një muaj larg turneut, politikat duket se kërcënojnë këtë synim.

Politikanët e Evropës Perëndimore, duke dashur të shprehin pakënaqësinë e tyre me ndjekjen penale të ish-kryeministres ukrainase, Julia Timoshenko, kanë vendosur të bojkotojnë ndeshjet që do të luhen në territorin ukrainas.

Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso, ka thënë se do të injorojë pjesën e Ukrainës në kampionat. Komisionari për drejtësi i Bashkimit Evropian, Vivian Reding, do të ikë nga ceremonia e hapjes. Zyrtarët e Qeverisë austriake do të jenë të padukshëm, ashtu si edhe ata të Holandës dhe ministri i Jashtëm belg. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë po ashtu se po shqyrton bojkotin.

Vendimet e tyre janë shprehje solidariteti me Timoshenkon, e cila, në tetor të 2011-ës, është dënuar me shtatë vjet heqje lirie për “shpërdorim të detyrës zyrtare”.

Presioni vjen përkrah bojkotit të samitit të krerëve shtetërorë të Evropës Lindore dhe Qendrore, që do të mbahet në Jalta të Ukrainës më 11 dhe 12 maj. Së paku shtatë udhëheqës evropianë kanë thënë se nuk do të marrin pjesë.

Megjithatë, pozicioni zyrtar i Varshavës është se bojkoti politik i ngjarjeve sportive në përgjithësi është kundër-produktiv dhe se injorimi i Euro 2012-ës nuk do të bëjë asgjë për të ndihmuar Timoshenkon.

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka hedhur poshtë thirrjet për bojkot, duke thënë se vetë Timoshenko nuk do të donte të shkonin poshtë vitet e përgatitjes.

Ambasadori i Polonisë në BE, Jan Tombinski, thotë për Radion Evropa e Lirë se është i zhgënjyer me “nivelin e lartë të politizimit” të ngjarjes ndërkombëtare sportive.

Nuk jam tifoz i bojkotimit të ngjarjeve sportive në një mënyrë të tillë selektive. Ne kemi probleme në vende të ndryshme të botës dhe mund të jemi shumë kritikë ndaj vendeve të tjera. Nëse aplikojmë këtë rregull në mënyrë simetrike dhe të barabartë kundër çdokujt, atëherë do të ishim vërtet në telashe”, thotë Tombinski.

Sipas tij, përvoja e bojkotimit të Lojërave Olimpike në Moskë më 1980 dhe atyre në Llos Angjelles më 1984 ka treguar se përzierja e politikës me atletikë është gabim.

Ligjvënësi polak dhe anëtari i Parlamentit Evropian, Pavel Zalevski, pajtohet, duke thënë se ndjekja penale e ish-oligarkut rus, Mikhail Khodorkovski, nuk ka prodhuar thirrjet e BE-së për të bojkotuar Moskën.

Kur të drejtat e njeriut janë shkelur në Rusi, kur Khodorkovski është mbyllur në burg për arsye politike, unë nuk i kam dëgjuar këta të ashtuquajtur kampionë të lirisë të sugjerojnë bojkotimin e Rusisë. Në të kundërtën, ata kanë pasur marrëdhënie shumë intensive me Rusinë. Kjo qasje, si duket selektive, në çështjen e të drejtave të njeriut, nuk do ta ndikojë situatën në Ukrainë”, thotë Zalevski.

Krahasimet me bojkotimin e Olimpiadave në vitet 1980 nuk janë të përshtatshme, thotë Majkëll Emerson, analist pranë Qendrës për Studime të Politikave Evropiane në Bruksel, sepse politikanët evropianë kanë thënë se personalisht nuk do të ndjekin ndeshjet e Euro 2012-ës në Ukrainë.

Një përshkallëzim i asaj që të kujton Olimpiadën e Moskës në vitet 1980 do të ishte sikur shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të tërhiqnin ekipet e tyre nga loja, por kjo nuk është çështja në këtë moment, apo jo”, shprehet Emerson.

E gjithë kjo kujton edhe planet e Federatës Ndërkombëtare të Hokejit për të mbajtur Kampionatin Botëror të Hokejit 2014 në Bjellorusi. Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje federatës t’i anulojë ato, për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut që bën presidenti bjellorus, Aleksander Likashenko.(v.t.)