Suksese edhe në kushte të vështira

Katërnjakët e lindur në QKUK.

Klinika e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ballafaqohet me shumë vështirësi në punë.

Por, pavarësisht kushteve jo të mira, mungesës së hapësirës, mungesës së stafit profesional, po arrihet që foshnjat e lindura me peshë shumë të ulët, të mbijetojnë.

Rasti i fundit është një foshnje e lindur në këtë klinikë me peshë 860 gramë, e cila është në gjendje të mirë shëndetësore.

Doktoresha Hilmije Fazliu-Morina, neonatologe, e cila njëherësh është kujdesur për foshnjën në fjalë, jep më shumë hollësi:

“Foshnja ka lindur në javën e 29, me peshë 860 gramë. Për shkak të peshës së ulët, është dërguar në kujdes intensiv. Ajo ka pasur vështirësi në frymëmarrje dhe reflekse të thithjes”.

“ I kemi pasur dy probleme shumë të mëdha. Gjatë qëndrimit këtu, foshnja është trajtuar edhe për seps, por tani foshnja është pavarësuar nga oksigjeni, ka kaluar afër nënës dhe është në gjendje stabile”.


Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Mujë Shala, thotë se klinika në fjalë ka nevojë për ndihmë nga institucionet gjegjëse të vendit, në mënyrë që të avancohet më shumë.

“Kushtet nuk janë të mira, sepse ne kemi hapësirë jo të mjaftueshme, derisa aparatura, me të cilën punojmë, është e vjetruar dhe nuk është e tipit modern, me ato që sot punojnë në botë. Gjithashtu na mungon stafi i mesëm dhe stafi i lartë profesional. Kemi nevojë për ndihmë që ne të avancohemi më tej”, thotë Shala.

Por, në të njëjtën klinikë, pavarësisht kushteve jo të mira, kanë lindur edhe katërnjakët, të cilët tashmë janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore, me gjithë problemet posnatale.

Doktoresha Melihate Çekaj, neonatologe, e cila gjatë gjithë kohës ka qëndruar pranë foshnjave, bashkë me stafin shëndetësor, deklaron se pavarësisht kushteve të vështira në Klinikën e Neonatologjisë, si dhe rrezikshmërisë së lindjes së katërfishtë, me kujdes dhe përkushtim maksimal, kanë arritur që foshnjat të jenë në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

“Lindën foshnjat katërnjakë. Lindja ishte e parakohshme. Tri vajza dhe një djalë me peshë nga 1790 deri 1500 gramë. Pas lindjes i kemi vendosur në oksigjen dhe në terapi, por pastaj gjendja shëndetësore ka qenë stabile. Kemi një sukses, sepse tashmë ato do të shkojnë në shtëpi”.

“Vështirësitë kanë qenë të mëdha, pasi që lindja e katërnjakëve është me rrezikshmëri të madhe, dhe kjo është një meritë e madhe për gjithë stafin, pasi që tashmë foshnjat janë në gjendje të mirë”
, tregon neonatologia Melihate Çekaj.

Sa i përket barnave dhe materialit shpenzues, nga lista esenciale, sipas doktor Mujë Shalës, klinika në përgjithësi i posedon ato materiale, por thekson nevojën edhe për më shumë barna.

“Shumica e barnave ekzistojnë, por shumica e barnave që nuk janë në listën esenciale, mungojnë, dhe prindërit e fëmijëve duhet t’i blejnë. Meqë trajtimi i popullatës është gratis, është shumë e vështirë të mbajmë atë kosto të shpenzimeve në tërësi”, thekson Shala.

E, zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, thonë se vazhdimisht angazhohen që ta trajnojnë stafin për përkujdesje për të porsalindurit.

Sami Uka, zyrtar në këtë organizatë, thotë se pavarësisht kësaj, cilësia e shërbimeve shëndetësore nuk ka pësuar ndonjë ngritje të dëshirueshme.

“Edhe përkundër përkushtimit të punonjësve shëndetësorë, që e kanë kaluar trajnimin për neonatologji, ata shpeshherë janë përballur me vështirësi në zbatimin e tyre. Andaj nuk është vërejtur ndonjë ndryshim pozitiv në këtë klinikë, derisa kushtet aty janë shumë të vështira, sidomos gjatë stinës së dimrit, ku ata përballen me mungesë ngrohjeje”, thotë Uka.

Ndërkaq, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, tashmë kanë deklaruar se
ankesat e stafit i marrin si të arsyeshme dhe me ato mundësi që i ka ky institucion, po mundohen t’i përmirësojnë kushtet aty.

Ata kanë pohuar se ministria është në hartim të planit strategjik për shkak se shëndeti i nënës dhe fëmijës është një indikator shumë i rëndësishëm dhe e kanë si prioritet.

Your browser doesn’t support HTML5

Katërnjakët në QKUK