‘Deja vu’ i zgjedhjeve serbe

Serbi

Qytetarëve serbë, më 6 maj, do t’iu kërkohet shumë. Në një ditë, ata do të votojnë për presidentin, deputetët e Parlamentit dhe përfaqësuesit e këshillave lokalë.

Por, nëse kjo tingëllon si recetë për ndryshime të thella, atmosfera në Serbi duket më shumë si ‘deja vu’ sesa si pritje.

Arsyeja është se gara për presidencë përmban dy kandidatë, të cilët përballen tri herë radhazi që nga viti 2004.

“Pro-evropiani” Boris Tadiq lufton për mandatin e tretë kundër sfidantit shumëvjeçar, nacionalistit Tomisllav Nikolliq. Edhe më 2004, edhe më 2008, Tadiqi ka shënuar fitore të ngushtë kundrejt rivalit.

Edhe këtë herë, ata janë shumë afër në sondazhet e opinionit.

Si njëri, ashtu dhe tjetri, premtojnë anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe ruajtjen e, siç thonë, sovranitetit të Serbisë në Kosovë, pavarësisht rregullave të BE-së se shtetet që synojnë anëtarësimin, nuk duhet të kenë konflikte kufitare me fqinjët e tyre.

Tadiqi, i cili kryeson Partinë Demokratike, u ka thënë mbështetësve së fundmi:

“Miqtë e mi, me gjithë sulmet dhe kërcënimet, me gjithë sulmet që kanë ardhur nga skena e brendshme politike, ne kemi arritur të ruajmë politikën tonë ‘Edhe Evropa, edhe Kosova’. Dhe, ne nuk do të heqim dorë as nga Evropa, as nga Kosova, sepse nuk duam të vëmë në dyshim integritetin territorial të asnjë pjese të vendit tonë”.

Me gjithë refuzimin e Beogradit për të pranuar pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, atë e kanë njohur 90 shtete.

“Edhe Evropa, edhe Kosova” premton edhe Nikolliqi, i cili kryeson Partinë Progresive Serbe.

“Serbia ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo është një gjë e mirë dhe ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Rruga për në BE është e gjatë dhe e vështirë - do të na duhen vite. Në Serbi, qytetarët janë të etur për ndryshime dhe ato do të ndodhin”, ka thënë Nikolliq.

Fakti se Tadiqi dhe Nikolliqi tingëllojnë ngjashëm, në mesin e qytetarëve serbë shkakton ndjenjën se asnjëri nuk mund ta nxjerrë Serbinë nga vështirësitë e tanishme politike dhe ekonomike.

Serbia ka lëvizur më pranë BE-së me marrjen e kandidaturës evropiane dy muaj më parë, por ajo vazhdon të mbetet larg integrimit në tregun evropian dhe ekonomia e saj është goditur rëndë nga kriza ekonomike globale. Gazeta britanike “Economist”, së fundmi, ka shkruar se papunësia në shtetin serb është 24 për qind.

Zemërimi i publikut me status quo-në, i ka dhënë peshë një lëvizjeje protestuese, e cila do të hedhë fletëvotime “të bardha” ose të paplotësuara të dielën.

Vesna Peshiq, deputete e pavarur në Parlamentin e Serbisë, thotë se “fletëvotimet e bardha” do t’iu dërgojnë mesazh palëve që kanë lëshuar rrënjë.

“Mesazhi është i qartë - një grup i qytetarëve nuk është i kënaqur me qeverinë, e cila ka proklamuar veten e saj si pro-evropiane, ndërsa rezultatet e saj janë shumë të këqija. Kështu, si votues, nëse doni ta ndëshkoni atë parti ose koalicion, por nuk doni të votoni për partitë opozitare, sepse ndjeni se ato nuk janë më të mira, atëherë me vota ‘të bardha’ ju mund të shprehni protestën tuaj, që nuk doni të votoni për partitë e korruptuara”, thotë Peshiq.

Edhe Partia Demokratike në pushtet, edhe rivalja e saj - Partia Progresive - i hedhin poshtë akuzat për korrupsion.

Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, më 6 maj do të votojnë edhe serbët e Kosovës, bazuar në marrëveshjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe të Qeverisë së Kosovës.(v.t.)