OSBE: S'lehtësojmë zgjedhjet lokale serbe

Serbi...


Rreth 500 anëtarë të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian do të jenë të angazhuar në lehtësimin e procesit zgjedhor më 6 maj gjatë të cilit për presidentin dhe parlamentin e Serbisë do të kenë të drejtë vote mbi 109 mijë qytetarë serbë të Kosovës, bënë të ditur përfaqësues të OSBE-së.

Në një konferencë për media, ata njoftuan se këtë mëngjes kanë arritur në vend të gjitha fletëvotimet dhe materiali tjetër zgjedhor, ndërsa sqaruan mënyrën se si do të votohet këtë të diel në 28 lokacione dhe 90 vendvotime në tërë territorin e Kosovës.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Uerner Almhofer, hodhi poshtë mundësinë që në vendvotime të jenë të pranishëm zyrtarë të shtetit serb duke thënë se në secilin vendvotim do të ketë vetëm pjesëtarë të stafit të OSBE-së.

Ne do t’i vendosim diku pesë njerëz në dhomë-tre janë qytetarë vendas. Të gjithë janë të angazhuar nga OSBE-ja; kjo është çështje që i takon ekskluzivisht OSBE-së. Në përbërjen tonë tre do të duhej të ishin serbë lokalë dhe ne do t’i sjellim dhe nga dy ndërkombëtarë si koordinues dhe përkthyes”, tha ai.

Marrëveshja e arritur për lehtësimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë ishte arritur më në fund të muajit të kaluar-marrëveshje kjo që nuk vlen dhe për zgjedhjet lokale të kundërshtuara nga Prishtina zyrtare dhe bashkësia ndërkombëtare.

Mirëpo, serbët e pjesës veriore të Kosovës janë zotuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale pavarësisht mungesës së mbështetjes nga qeveria serbe.

Almhofer foli për reagimin e parashikuar të OSBE-së në rast të zbatimit të një skenari të tillë në ditën e zgjedhjeve.

Është esenciale që zgjedhjet të mbahen në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe duke respektuar plotësisht rolin e OSBE-së. Nëse nuk ndodh kjo, OSBE-ja ia ka rezervuar vetës të drejtën që të tërhiqet nga roli i tij lehtësues”, u shpreh ai.

Në ndërkohë, u ritheksua se për të pasur mundësi për pjesëmarrje në votime, serbëve kosovarë do t’u duhet vetëm një dokument i vlefshëm i Serbisë dhe që emri i votuesit të figurojë në listat e votuesve.

OSBE-ja është zotuar se rolin lehtësues për zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale e parlamentare serbe në Kosovë do ta zbatojë në përputhje me rolin e saj me rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.