Shuarja e bizneseve në Kosovë duhet të jetë sinjal alarmues për institucionet kosovare, thonë njohës të çështjeve ekonomike.
Sipas tyre, me shuarjen e bizneseve, po shuhen shumë vende të punës, çka rrjedhimisht ndikon edhe në rritjen e shkallës së varfërisë në vend.
Haki Shatri, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë se dukuria e falimentimit të bizneseve në Kosovë është shkaktuar nga ambienti i pafavorshëm biznesor, mungesa e kapitalit qarkullues dhe problemet që janë paraqitur në ngrirjen e fondeve publike.
“Buxheti, si burim i kryesor i financimit të investimeve kapitale në Kosovë, çdo pengesë e tij reflektohet drejtpërdrejtë në problemet tek kompanitë të cilat shpeshherë përfundojnë edhe në falimentim”.
“Ne e dimë se shkalla e borxheve të bizneset është shumë e lartë. Ato i obligohen njëra tjetrës në mënyrë zinxhirore, me hua të ndryshme, për arsye të mungesës së mjeteve qarkulluese”, thekson Shatri.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, konfirmojnë se që nga fillimi i këtij viti deri më tani, në Kosovë janë regjistruar 3,385 biznese, dhe prej tyre janë shuar 269.
Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi shprehet:
“Sipas agjencisë për regjistrimin e bizneseve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, nga 1 janari i këtij viti, deri më 24 mars, janë regjistruar 3,385 biznese, ndërsa janë shuar 269 prej tyre”, thotë Istrefi.
Për të eliminuar këtë dukuri të shuarjes së bizneseve, Istrefi bën të ditur se në Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë reformat të shumta.
Ajo thotë se është eliminuar leja e punës, është reduktuar numri i dokumenteve për eksport - import, që janë nevojitur deri në 8 dokumente, ndërsa tani nevojiten vetëm dy dokumente.
Po ashtu, njëra nga lehtësirat që iu është bërë bizneseve, thekson Istrefi, ka të bëjë edhe me regjistrimin e bizneseve, i cili tani bëhet pa pagesë.
“Ne kemi aprovuar një sërë ligjesh deri më tani, që kanë për qëllim lehtësimin e ambientit për të bërë biznes, dhe këto janë reforma që do të vazhdojnë edhe më tutje”.
“Deri sa të kemi një rezultat shumë më të mirë, dhe deri sa të kemi një rezultat që Kosova të jetë vendi më i mirë në rajon për të bërë biznes, ne do të bëjmë reforma”, thekson Istrefi.
Falimentimi i bizneseve ka pasoja të mëdha në ekonominë e Kosovës, thotë Haki Shatri. Për këtë, sipas tij, duhet të merren masa konkrete.
Falimentimi i një firme, përveç tjerash, siç thotë Shatri, rritë papunësinë në Kosovë.
“Në rast të falimentimit të një kompanie, pasojat e para janë se ata njerëz që kanë punuar aty mbesin pa punë dhe pa të ardhura personale".
"Çdo zvogëlim i punësimit sjellë pasojën tjetër - zvogëlimin e kërkesës për konsum; mungesa e konsumit i sjellë probleme kompanive që merren me tregti me pakicë. Rezultatet financiare të këtyre kompanive janë të ulëta, dhe edhe këto pastaj mund të falimentojnë”, thekson ai.
Ndryshe, ekspertët e ekonomisë thonë se edhe kamatat e larta mund të vlerësohen që janë njëra ndër barrierat që çojnë në vështirësi të mëdha, dhe të cilat mund të jenë si faktorë kontribuues në falimentimin apo krijimin e vështirësive të shumë ndërmarrjeve, qofshin ato të mesme, të vogla apo edhe të mëdha.