KQZ: Gati për zgjedhjet në Ferizaj

Posterë nga zgjedhjet e kaluara parlamentare (Foto arkiv).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se gjithçka është gati për mbajtjen e zgjedhjeve të së dielës të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Ferizajt.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha përgatitjen janë kryer me kohë, në mënyrë që të dielën, më 29 prill, të gjitha qendrat dhe vendvotimet të hapen në ora 7 të mëngjesit dhe mbyllen në ora 19:00.

Valdete Daka

“Të gjitha përgatitjet, ashtu siç parashihen me Ligj për zgjedhjet lokale janë bërë nga ana e KQZ-së. Janë 25 qendra të votimit, kurse 124 vendvotime me gjithsej 95.449 votues, aq sa i përmban lista votuese. Pritjet tona janë që me siguri se nuk do të ndryshojë dalja e votuesve, krahasuar me zgjedhjet paraprake”, bën të ditur Daka.

Kryetarja e KQZ-së, thotë po ashtu se për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve janë certifikuar 1.514 vëzhgues, prej të cilëve vetëm 6 janë ndërkombëtarë, kurse të tjerët u përkasin partive politike dhe organizatave joqeveritare.

Si zakonisht, zgjedhjet pritet të vëzhgohen nga koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.

Besnik Ramadani nga Demokracia në Veprim thotë për Radion Evropa e Lirë se ky koalicion ka monitoruar gjithë javën e fushatës dhe ka vërejtur disa parregullsi, por të cilat nuk kanë qenë të natyrës që do ta dëmtonin procesin zgjedhor.

“Ka qenë një fushatë shumë e qetë, pa presione, pa incidente të mëdha. Megjithatë, ne i kemi evidentuar edhe disa parregullsi, të cilat janë më shumë vazhdimësi e përvojës së kaluar si përdorimi i fëmijëve në fushatë, pjesëmarrja e fëmijëve nëpër takime, pastaj parregullsi shqetësuese ka qenë shfrytëzimi i resurseve publike, si dhe vendosje të posterëve në objekte publike dhe dëmtim të posterëve”, sqaron Ramadani.

Sa i përket ditës së diel, Demokracia në Veprim do ta ketë si synim parësor monitorimin e ecurisë së zgjedhjeve, shton Ramadani, duke e vënë në plan të dytë çështjen e shpalljes së shpejtë të rezultateve, siç veprojnë zakonisht organizatat që merren me vëzhgim.
Ne jemi mobilizuar dhe shpresojmë që dita e zgjedhjeve të shkojë në frymën e fushatës elektorale.
“Demokracia në Veprim ka akredituar gjithsej 34 vëzhgues, Pra, vëzhguesi ynë do të jetë në çdo qendër të votimit në Ferizaj. Ne jemi mobilizuar dhe shpresojmë që dita e zgjedhjeve të shkojë në frymën e fushatës elektorale”, thekson Ramadani.

Ndryshe, zgjedhjet për kryetar të Ferizajt pasuan dorëheqjen e kryetarit Bajrush Xhemajli për shkak të një procesi gjyqësor ndaj tij.

Në garë për kryetarin e Ferizajt marrin pjesë gjashtë kandidatë të partive politike, një nga iniciativat qytetare dhe një kandidat i pavarur.