Në Ditën e Lirisë së Shtypit, më 3 Maj, mediat kosovare do ta bojkotojnë në tërësi punën e institucioneve në shenjë pakënaqësie me miratimin e Kodit të ri Penal nga Kuvendi i Kosovës.
Ky kod, nga gazetarët është vlerësuar se jo vetëm që rrezikon punën e tyre, por edhe i penalizon ata gjatë kryerjes së temave hulumtuese.
Qëndrimi i gazetarëve dhe medieve lidhur me Kodin Penal i është prezantuar të mërkurën edhe presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Ajo ka pritur një delegacion të Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës dhe përfaqësuesve të medieve të shkruara dhe elektronike, kurse theksi i diskutimeve është përqendruar te nenet 37 dhe 38, të cilat, nga mediat kosovare janë cilësuar të papranueshme.
Kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti, tha pas takimit se presidentja ende nuk e ka marrë në shqyrtim Kodin e ri Penal, por ajo u ka premtuar gazetarëve se zyra ligjore do t’i shqyrtojë të gjitha vërejtjet e paraqitura.
“Ajo që e kemi transmetuar te presidentja dhe tash po e themi edhe publikisht është që ekziston një koordinim dhe pajtim i të gjitha medieve, që më 3 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, të ketë bojkotim të përgjithshëm të punës së institucioneve të Kosovës nga ana e medias, si shenjë pakënaqësie për votën që e kanë dhënë deputetët e Kuvendit të Kosovës, e që është votë kundër lirisë së shtypit”, ka thënë Ahmeti.
Në delegacionin e mediave që u prit nga presidentja Jahjaga, e pranishme ishte edhe kryeredaktorja e të përditshmes Kosova Sot, Margarita Kadriu.
Ajo beson se presidentja ka vullnet që të ndërmarrë diçka pozitive në lidhje me kërkesat e gazetarëve.
Heqja e nenit 37 dhe modifikimi i nenit 38 janë kërkesat kryesore të gazetarëve, thotë Kadriu.
“Jemi dakorduar që atë ditë (më 3 Maj) në shenjë proteste dhe pakënaqësie me vendimin e Kuvendit të Kosovës, të mos i mbulojmë aktivitetet e institucioneve, me theks të veçantë Kuvendit të Kosovës, që ta kenë të qartë se mediat nuk do jenë zëdhënëse të institucioneve, por ne do të merremi me gazetari investigative dhe do t’i bëjmë të publike, të botërishme të gjitha shkeljet e ligjit që ata eventualisht do të mund t’i bëjnë”, thotë Margarita Kadriu.
Në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, thuhet se delegacioni i gazetarëve i ka dorëzuar kërkesat e tyre edhe me shkrim, më të cilat Jahjaga tashmë është e njoftuar.
Presidentja Jahjaga ka vlerësuar se bashkëbisedimi me përfaqësuesit e mediave po bëhet me qëllim që të dëgjohen argumentet e tyre për shqetësimet, në mënyrë që të gjenden zgjidhje të cilat do të ndihmojnë avancimin e praktikave demokratike në vend.
Ajo e ka vlerësuar të domosdoshme hapjen e temave që kanë të bëjnë me përparimin e vendit dhe proceseve demokratike, lirinë e shprehjes, si dhe të gjitha çështjet që konsiderohen me interes të përbashkët.
Presidenca njofton po ashtu se, Kodi Penal, i votuar në Kuvendin e Kosovës javën e kaluar, ende nuk ka arritur në Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Nga dita kur presidentes i dorëzohet kodi, rrjedh afati ligjor prej tetë ditëve për ta nënshkruar, mos e nënshkruar apo rikthyer në ri-amandamentim atë.
Gazetarët e kërkojnë zgjidhjen e tretë, atë të rikthimit në ri-amandamentim, pasi që dy opsionet e para e fuqizojnë me automatizëm ligjin.
Kodi Penal, në nenin 37, definon përgjegjësinë penale për vepra penale me anë të mediave.
Përderisa neni 38, parasheh që gazetarët do të duhet ta zbulojnë burimin e tyre për të parandaluar ndonjë sulm që përbën kërcënim të pashmangshëm për jetën dhe integritetit trupor.
Gazetarët mendojnë se të dyja nenet janë të shkruara dhe definuara keq, dhe lënë hapësira për interpretime nga më të ndryshmet që mund t’i sjellë ata prapa grilave në rast të shkrimeve hulumtuese.