Maqedoni: Gjetja e autorëve të krimit ul tensionet

Protestat në Shkup pas vrasjes së pesëfishtë...

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me presidentin shqiptar, Bamir Topi, në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Maqedoni, tha se ka ndarë dhembjen me presidentin shqiptar për aktin kriminel të vrasjes së pesëfishtë të të rinjve maqedonas në fshatin Smillovë të Shkupit.

"Gjykuam se bëhet fjalë për një akt të rëndë kriminal, në këto ditë të rënda ndajmë bashkë dhe dhembjen e tragjedive të këtilla, të cilat urojmë që mos të ndodhin më", deklaroi Ahmeti.

Kurse, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, as të premten nuk u prononcua lidhur me rastin në fjalë.

Ndërkaq, ambasadori i OSBE-së në Shkup, Ralf Bret, theksoi se kjo situatë e ndjeshme për Maqedoninë, në asnjë mënyrë nuk guxon të keqpërdoret për veprime të dhunshme dhe provokuese.
...mënyra më e mirë për uljen e tensioneve është që, policia sa më parë t`i gjejë autorët e vrasjes së pesëfishtë dhe të njëjtit t`i nxjerrë para organeve të drejtësisë.

"Sipas meje, mënyra më e mirë për uljen e tensioneve është që, policia sa më parë t`i gjejë autorët e vrasjes së pesëfishtë dhe të njëjtit t`i nxjerrë para organeve të drejtësisë. Njëherësh, si masë shumë e rëndësishme, për stabilitetin e vendit konsideroj se është fakti, t`u bëhet me dije të gjithëve se frikësimi dhe dhuna ndaj kujtdo qoftë nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë nga organet kompetente të vendit", theksoi për Radion Evropa e Lirë ambasadori i OSBE-së në Shkup, Ralf Bret.

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, bëri thirrje që të mos drejtohen akuza në drejtim të një populli apo etniteti të tërë, lidhur me vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Hekuranës në periferi të Shkupit.

"Në rast se vrasësit janë maqedonas, nuk mund të jenë fajtorë të gjithë maqedonasit për arsye se një, dy ose tre monstrumë kanë kryer një vrasje makabre, dhe në rast se janë shqiptarë nuk do të thotë se janë fajtorë të gjithë shqiptarët. Këtë e dëshirojnë ata që nuk ia duan të mirën Maqedonisë", tha kryeministri Nikolla Gruevski të enjten mbrëma në një tribunë të partisë së tij, VMRO-DPMNE.

Duke zbardhur disa detaje lidhur me ngjarjen, Gruevski tha se disa individë dhe politikanë po tentojnë që nga kjo tragjedi të bëjnë spekulime dhe të shkaktojnë trazira të mëdha midis qytetarëve, si dhe tensione e përleshje ndëretnike.

Nikolla Gruevski


"Do të vijë koha dhe fuqimisht besoj se do të kapen autorët, dhe pavarësisht se cilit etnitet i takojnë, ata do të përgjigjen para ligjit", u zotua Gruevski.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë mori në shqyrtim dhe kontroll të gjitha kamerat e sigurisë të vendosura nëpër rrugët dhe lokalitetet urbane të Shkupit, që lidhen me aksin rrugor që çon drejt vendit të ngjarjes ku u vranë pesë maqedonasit, me ç`rast organet hetimore kanë krijuar disa skenarë të rrugëve të mundshme, përmes të cilave kanë mundur të lëvizin autorët e krimet para dhe pas vrasjes.

"Këto rrugë do të verifikohen dhe kontrollohen përmes materialeve të siguruara nga të gjitha kamerat e sigurisë të vendosura nëpër rrugë dhe objekte të tjera. Është siguruar një numër i madh i xhirimeve dhe për momentin nuk mund të zbulojmë detaje lidhur me përmbajtjen e tyre", tha zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

Zëdhënësi Kotevski i quajti spekulime informacionet, se vetura që besohet se ka qenë në shërbim të kryesve të veprës, nuk ka të bëjë fare me këtë rast.

"Hetimet vazhdojnë dhe ajo që mund të thuhet me siguri për momentin është se, sipas analizave të bëra, ajo veturë ka qenë prezent në vendin e krimit", theksoi Kotevski.