Ligji i punës po "ngarkon" punëdhënësit

Punëtorë ndërtimtarie...


Pushimet e gjata mjekësore, pushimi i lehonisë, ditë të shumta pushim gjatë festave, cilësohen se janë vetëm disa nga arsyet kryesore që punëdhënësit nuk arrijnë të zbatojnë ligjin e punës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky ligj po i ngarkon punëdhënësit.

Megjithatë, edhe përkundër të gjitha këtyre, Shahini thekson se rreth 60 për qind e bizneseve në Kosovë po e respektojnë këtë ligj.

Po i theksoj disa arsyeje të mosrespektimit të ligjit, dhe këto janë për shkak se nuk respektohet në gjithë Kosovën, për shkak se pushimet mjekësore janë ngarkesë, për shkak se festat, orari i punës dhe pushimi i lehonisë janë ngarkesë. Këto janë arsyet që bizneset deklarohen se nuk e respektojnë ligjin”, thekson ai.

Kritikë për moszbatimin e punës, vazhdimisht janë shprehur përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, mekanizëm ky i cili mbron të drejtat e punëtorëve.
...që nga hyrja në fuqi e këtij ligji nuk janë vërejtur rezultatet e duhura.
Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi ka thënë se ligji i punës nuk po gjen zbatim në Kosovë dhe se punëtorëve kosovarë po iu shkelen të drejtat.

Nuk ka zbatim të ligjit në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji nuk janë vërejtur rezultatet e duhura”, ka thënë Arifi.

Hulumtime rreth zbatimit të ligjit të punës ka bërë edhe Instituti për Studime të Avancuara GAO.

Jeton Mehmeti nga ky institut thotë për Radion Evropa e Lirë se ligji i punës nuk është duke u respektuar nga kompanitë privatë, pasi që institucionet publike qëndrojnë mjaft mirë në respektimin e këtij ligji.

Ai thotë se ligji i punës nuk është duke u respektuar te pushimi i lehonisë, orari punës, mos bërja e kontratave të punës dhe të tjera.

Një nga nenet ku është shkelur ligji i punës është te pushimi i lehonisë, ku bizneset private të vogla janë deklaruar se nuk kanë kapacitete financiare që të paguajnë pushimin e lehonisë punëtorëve të tyre. Një shkelje tjetër është tek orari i punës, punëtorët vazhdojnë të punojnë me orar të stërzgjatur, mbi 40 orë, dhe puna mbi 40 orë paraqet shkelje të ligjit të punës, e për këtë ligji janë paraparë gjoba që janë deri në 5 mijë euro”, thekson Mehmeti.

Ai thotë se nuk është bërë sensibilizimi i duhur i opinionit apo punëtorëve me të drejtat e tyre që ia garanton ligji i punës.

Ligji i punës, i cili rregullon raportin mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, edhe sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahinit, nuk është promovuar në nivel të duhur te bizneset, dhe si të tilla, këto biznese janë shumë pak të informuar për këtë ligj.

Ai thekson se në bazë të një analize që kanë bërë, deri më tani, inspeksioni i punës nuk ka gjobitur asnjë përfaqësues të biznesit që janë anëtarë të Aleancës Kosovare të Biznesit.
Edhe pse ky ligj nuk është i përkryer, megjithatë është një ligj që disiplinon marrëdhëniet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit...
Deri më tani, thotë Shahini, këto biznese kanë marrë vetëm vërejtje me shkrim.

Edhe pse ky ligj nuk është i përkryer, megjithatë është një ligj që disiplinon marrëdhëniet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, krijon avantazhe dhe obligime. Por, duhet të jetë më shumë i promovuar nga institucionet shtetërore në mënyrë që bizneset dhe punëtorët të mos bien ndesh me këtë ligj”, thekson Shahini.

Së fundi, komisioni parlamentar për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale, ka filluar monitorimin e zbatimit të ligjit të punës.

Anëtarët e këtij komisioni, nga fillimi i këtij muaji, deri në muajin qershor, do të zhvillojnë takime me sindikata, por edhe punëtorë në terren, për të marrë informata rreth shkallës së zbatimit të këtij ligji.

Ndryshe, ligji i punës në Kosovë ka filluar të zbatohet në fillim të vitit 2011.