Shkup: Të zbardhet rasti pa presion

Shkup (Foto nga arkivi)

Ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, pas mbledhjes së Shtabit Operativ, ku mori pjesë dhe kryeministri Nikolla Gruevski, tha se prioritet i dikasterit që drejton mbetet gjetja e autorëve të këtij akti, duke i quajtur spekulime informacionet se tashmë janë arrestuar katër persona lidhur me këtë rast.

“Hetimet mbi vrasjen po përparojnë, por dhënia e detajeve para opinionit, nuk shkon në të mirë të hetimeve”, deklaroi Jankullovska, duke shtuar se MPB-ja është e angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj për të zbardhur rastin.

“Bëhet fjalë për vdekjen e njerëzve të pafajshëm, ndërsa gjetja e autorëve është sanksionim i tyre. Edhe pse nuk ekziston dënim që do t’i kthente të vdekurit, prioritet mbetet që t’i zbulojmë autorët”, porositi Jankullovska.

Ndërkohë, krerët e misionit të Bashkimit Evropian, NATO-s, OSBE-së dhe SHBA-së, përmes një deklarate të përbashkët, të mërkurën edhe një herë dënuan vrasjen e pesë personave pranë Liqenit të Hekuranës në periferi të Shkupit. Ata kanë apeluar te të gjithë qytetarët për gjakftohtësi dhe përmbajtje nga spekulimet që qarkullojnë.

"Ne dënojmë vrasjet e tmerrshme që ndodhën në afërsi të fshatit Smilkovë dhe shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e viktimave. Jemi në dijeni se autoritetet po e hetojnë këtë krim dhe janë në kërkim të autorit apo autorëve. Ne mbështesim përpjekjet e Qeverisë që t’i vazhdojë procedurat hetimore dhe juridike në mënyrë sa më të shpejtë të mundshme dhe inkurajojmë bashkëpunimin e qytetarëve në grumbullimin e të gjitha informacioneve në dispozicion lidhur me këto vrasje. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të qëndrojnë të qetë, të përmbahen nga spekulimet apo pohimet e pabazuara, dhe të tregojnë durim për rrjedhjen e procesit hetimor. Kur qytetarët inkuadrohen në dhunë apo bëjnë përpjekje për të marrë ligjin në duart e tyre, kjo vetëm se largon policinë nga hetimi dhe e bën më të vështirë nxjerrjen e vrasësve para drejtësisë“, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadorëve të BE-së, NATO-s, OSBE-së dhe SHBA-së.

Ndryshe, situata e sigurisë në Shkup, pas zhvillimeve të fundit, është e qetë. Derisa nata ka kaluar pa incidente, vërehet prani e shtuar e forcave policore, kryesisht në pikat më të ndjeshme ku më parë janë regjistruar incidentet ndëretnike.

Nënkryetarja e Parlamentit, të Maqedonisë nga radhët e BDI-së, Suzana Salihu, shpreh besimin se institucionet e Maqedonisë disponojnë me kapacitete të mjaftueshme, që në mënyrë të pavarur, profesionale dhe argumentuese, ta ndriçojnë rastin.

“Në terren vërehet një pasiguri e madhe e qytetarëve, aq më shumë kur ka tendencë që paragjykimet stereotipe si dhe mosbesimi i ndërsjellë ndëretnik, që ekziston mes dy etniteteve më të mëdha, shqiptarëve dhe maqedonasve, pra ka tendencë që ky mosbesim t`i paraprijë opinionit publik, t`u paraprijë institucioneve për hetim dhe zbulim dhe kjo assesi nuk guxon të ndodhë në një atmosferë sensitive, në të cilën ndodhet Maqedonia”, thotë Salihu.

Ndërsa, ekspertët e pavarur janë të një mendimi se institucionet e shtetit janë ato, të cilat duhet që pa presion të punojnë në zbardhjen e vrasjes së pesëfishtë. Çdo involvim i politikës, sipas tyre, mund të çojë në drejtime të padëshirueshme stabilitetin e vendit. Politikologu maqedonas, Jovan Donev, nuk e përjashton mundësinë që raportet ndëretnike të manipulohen për interesa të qarqeve të caktuara në rajon.

“Në Ballkan, po edhe në Evropë ekzistojnë qendra, të cilat mendojnë se është i mundshëm ridefinimi i kufijve në funksion të interesave të caktuara për të pasur një hartë të re politike në rajon”, thekson Donev, sipas të cilit institucionet e shtetit duhet të tregohen shumë syçelë në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, për Nazmi Maliqin, ekspert për çështje të sigurisë, është shumë e rëndësishme që institucioneve të shtetit t`u krijohet hapësirë që të punojnë pa presion në zbardhjen e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Hekuranës.

“Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet e rendit duhet të tregojnë vijën dominuese të tyre të profesionalizmit, dhe pa luhatje duhet të jenë të fokusuara në zbardhjen e këtij krimi. Por, kuptohet se në situata të këtilla jorrallëherë ka edhe qarqe politike, po edhe media të caktuara që situatat e këtilla tentojnë t`i keqpërdorin për t`u dhënë kahe shumë të padëshirueshme”, vlerëson Maliqi.

Edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, ka apeluar që të gjitha mediat të raportojnë me përgjegjësi për zhvillimet lidhur me vrasjen e pesëfishtë të ndodhur në fshatin Smillkovë, duke kërkuar që mediat të mos publikojnë informacione të paverifikuara dhe të mos spekulojnë për përkatësinë etnike të autorëve dhe motivet eventuale të kësaj vepre.

“Ajo që vihet re në Maqedoni është mungesa e balancimit etnik, do të thosha unë, në raportime. Shumica e mediave maqedonase pothuajse pa përjashtim kur raportojnë, raportojnë vetëm për atë se çka thotë pala maqedonase, flas për situatën e fundit, ndërkohë që mediat shqiptare janë më të balancuara. Kjo ndoshta, sepse publiku shqiptar i di të dyja gjuhët, dhe detyrimisht gazetarët shqiptarë e dinë këtë dhe praktikisht ky lloj mentaliteti i 'detyron' ata të jenë më të balancuar”, shprehet Nazim Rashiti, anëtar i Shoqatës së Gazetarëve Maqedonas, njëherësh i përfshirë edhe në grupin e gazetarëve, të cilët negociojnë me Qeverinë për përmirësimin e lirisë së shprehjes në Maqedoni.