100 vjet - Pasagjeri që i shpëtoi tragjedisë

Dyqani i Riçard Hajmenit


Shumica e njerëzve nuk e lidhin Titanikun me ushqim - ndryshe nga komuniteti hebre në Mançester të Anglisë, ku emri i anijes së mallkuar është prej kohësh sinonim i sallameve të tymosura dhe turshive.

“Titanic’s” (linku: titanics.co.uk) është prej 99 vjetësh një biznes familjar, që tani drejtohet nga 42-vjeçari Riçard Hajmen. Ai është stërnipi i Xhozef Abraham Hajmenit – pasagjerit të Titanikut, i cili i ka mbijetuar tragjedisë.

Anija luksoze po lundronte nga Anglia në Nju Jork, kur goditi ajsbergun në natën e 14 prillit, 1912, dhe u përmbyt në orët e hershme të 15 prillit.

Xhozef ishte dërguar në Nju Jork me anijen e shpëtimi “Karpatia”. Atje ishte frymëzuar me dyqanet e mishit dhe kishte vendosur të nisë biznesin e tij pas kthimit në Angli.

Stërnipi i tij shpjegon:

“Vërtet, ai ishte si një celebrit i vogël në Mançester për atë që ka mbijetuar. Jo shumë njerëz kanë mbijetuar dhe janë kthyer sërish në Angli. Sa herë që është parë në rrugë, njerëzit thoshin: Ja, njeriu i Titanikut. Shumë shpejt, biznesi i tij u bë i njohur si ‘Titanic’s’”.


Your browser doesn’t support HTML5

Fundosja e Titanikut


Por, historia e mbijetesës së Xhozefit ka nisur edhe para fatkeqësisë në oqean. I lindur në vitin 1878 në Rusi, ai do të zhvendosej në Angli, pas masakrave në rritje kundër hebrenjve.

Si shumë të tjerë që kishin siguruar bileta të klasës së tretë në bordin e Titanikut, edhe Hajmen kërkonte fillimin e një jete të re. Destinacion kishte shtetin amerikan të Masaçusec, ku do t’i bashkohej vëllait të tij. Por, jo gjithçka shkoi sipas planit.

Pasi është transportuar në mënyrë të sigurt në Nju Jork, ka bërë një përshkrim të hollësishëm të përvojës së tij të hidhur për “The New York Times” (linku:http://query.nytimes.com/mem/archive-free/pdf?res=F60A11FE3E5813738DDDA00994DC405B828DF1D3) dhe “New York Herald”.

Nga varka e tij e shpëtimit ka thënë se ka dëgjuar shpërthime dhe britma.

“Klithma nuk është ndalur deri në përmbysjen e Titanikut. Ajo kumbon në veshët e mi edhe tani dhe do të kumbojë gjithmonë”, ka thënë Xhozef.

“Qëndronim të heshtur, ishim të tmerruar. Në më pak se 10 minuta ka ndodhur një shpërthim i tmerrshëm. Kam parë burra, gra dhe copa anijeje që kanë fluturuar në ajër”, ka thënë ai, duke kujtuar momentet e tmerrit.

Riçard Hajmen tregon se si stërgjyshi i tij ka arritur të shpëtojë:

“Ka pasur shumë fat. I ka rastisur të ishte pranë varkës së shpëtimit C. Stërgjyshit tim i është thënë të hyjë në të, pasi aty ndodheshin kryesisht gra dhe fëmijë dhe nuk mund të drejtonin varkën. Atë duhej ta drejtonte dikush dhe shumë nga njerëzit e klasës së parë nuk besonin ende se anija do të fundosej”, rrëfen Riçardi.

Xhozef Hajmen, i cili është kthyer përfundimisht në Angli, ka vdekur 13 vjet para se të lindte stërnipi i tij. Derisa dyqani i tij vazhdon punën, ashtu vazhdon edhe kujtimi për të. Disa nga ushqimet e “Titanic’s” vazhdojnë të bëhen me recetat e Xhozefit. Fotografia e tij madje gjendet në disa paketime.

Në 100-vjetorin e fundosjes së Titanikut, Riçardi ka ftuar klientët lokalë të vijnë dhe të ngrenë dolli për jetën e stërgjyshit të tij dhe të historisë së mbijetesës.(v.t.)​


Titaniku: Imazhi i madhështisë dhe fatkeqësisë