Korrupsion në mekanizmat anti-korrupsion (?)

Ilustrim

Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, shprehu “indinjatën e thellë” për shkak se “një prokuror i sistemit prokurorial dhe njëherësh udhëheqës i Task - forcës anti-korrupsion, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka rënë në kundërshtim me ligjin dhe dyshohet të ketë kryer vepra penale, për luftimin e së cilave vepra kishte pozitë kyçe në sistemin prokuroria”.

“Padyshim, kjo është një goditje për sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, por gjithashtu, jam i bindur se për këtë sistem do të ishte goditje edhe më e rëndë sikur të mos e merrnim me seriozitet dhe përkushtim të plotë hetimin e këtij rasti që nga momenti kur kemi pranuar informatën e parë”, u shpreh Kabashi në një komunikatë dërguar mediave.

Komenti i tij pason arrestimin e së hënës të kreut të task-forcës anti-korrupsion, Nazmi Mustafi dhe bashkëpunëtorit të tij të dyshuar, Reshat Zherka, që të dy të dyshuar për përfshirje në afera korruptive.

Kabashi inkurajoi EULEX-in për zbardhjen e rastit, ndërsa ofroi mbështetjen për hetimet që ky mekanizëm po i zhvillon ndaj të arrestuarve.

“Kam informata se ekzistojnë edhe raste të tjera të natyrës së njëjtë, me të njëjtin prokuror, andaj i ftoj publikisht të gjithë ata që kanë prova apo informata lidhur me këtë rast, që të na ndihmojnë duke i paraqitur informatat që i kanë te kryeprokurori i Shtetit, prokurori i rastit në Prokurorinë Publike të Qarkut në Pejë apo në Policinë e Kosovës”, citohet të ketë thënë Kabashi.

Mësohet se, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, Kabashi të ketë kërkuar nga Zyra e Inspektoratit Gjyqësor dhe Prokurorial dhe nga Komisioni Disiplinor i Këshillit Prokurorial të Kosovës që menjëherë të fillojnë procedurën disiplinore kundër prokurorit Nazmi Mustafi, si dhe ta trajtojnë këtë rast me prioritet absolut.

Veprimet e prokurorit, sipas Kabashit, “paraqesin në të njëjtën kohë edhe shkelje të Kodit të Etikës për Prokurorë, që mund ta vënë në pikëpyetje integritetin e sistemit prokurorial të vendit”.


Ndërkohë, pritet të mbahet seanca për shqyrtimin e masës së burgimit për Mustafin dhe Zherkën.

Seanca pritej të niste në orën 13, mirëpo ende nuk dihet se cilët kanë qenë hapat e mëtejmë që prokurorët e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë kanë ndërmarrë lidhur me këtë çështje.

Zëdhënësi i EULEX-it, Nikollas Hotën, tha se deri në marrjen e një vendimi nga trupi gjykues nuk mund të flitet për detaje të tjera të procesit.

“Nuk ka asgjë të re për momentin. Nuk ka ndonjë risi nga zhvillimet e djeshme derisa të kemi ndonjë konkluzion nga seanca dëgjimore për masën e burgimit dhe zhvillimet e tjera”, u shpreh Hotën.

Mustafi dhe Zherka u arrestuan një ditë më parë nga Policia e Kosovës me urdhër të një prokurori të EULEX-it, ndërsa “veprat që janë duke u hetuar përfshijnë: Shpërdorim i detyrës ose autoritetit zyrtar dhe ushtrim i ndikimit”.

“Këto akuza lidhen me keqpërdorimin e pretenduar nga ana e një prokurori vendas të PSRK-së dhe të dy të tjerëve, të cilët pretendohet se kanë zhvatur shuma parash nga një i dyshuar në një rast”, thuhej në komunikatën e së hënës të misionit evropian për sundimin e ligjit.

Mustafi ishte emëruar në krye të Task-forcës kundër korrupsionit nga kryeministri Hashim Thaçi, në vitin 2010.

Shoqëria civile shprehu shqetësimin e saj për arrestimin e kreut të Task-forcës kundër korrupsionit dhe bashkëpunëtorit të tij të dyshuar.

Petrit Zogaj nga lëvizja FOL, theksoi rëndësinë për një sqarim të Qeverisë për këtë çështje.

“Një prononcim i Qeverisë së Kosovës karshi zotërisë në fjalë, do të ishte me shumë interes për opinionin publik për të kuptuar më qartë se çfarë ka bërë dhe si i ka besuar një Qeveri e Kosovës një njeriut të tillë”, tha Zogaj.

Ndaj arrestimit të Mustafit dhe Zherkës reagoi dhe Instituti Demokratik i Kosovës KDI.

“Ky rast dëshmon edhe njëherë për dështimin e mekanizmave të shumëfishtë të krijuara nga Institucionet politike në Kosovë (Presidenca, Qeveria dhe Parlamenti), për luftimin me efikasitet të korrupsionit duke e vënë seriozisht në pikëpyetje nevojën për ekzistencën e mëtutjeshme të tyre. Sepse këto “supermekanizma” janë krijuar vetëm për efekte mediatike për konsum të brendshëm politik”, thuhet në komunikatën për media të KDI-së.

Lexoni edhe këto:
Anti-korrupsion: Luftë me dokumente
Për korrupsionin vetëm fjalë