Bankat, shitblerja dhe punësimi, synimet kryesore në internet

Ilustrim

Transkasionet bankare dhe financiare, shitblerja dhe punësimi janë detyrat kryesore të shfrytëzuesve të internetit në mbarë globin, njofton agjencia e lajmeve Reuters, duke u bazuar në një hulumtim ndërkombëtar të kryer nga Ipsos Global Public Affairs.

Rreth 60 për qind e njerëzve në 24 vende shfrytëzojnë internetin për të kontrolluar xhirollogaritë bankare dhe asetet financiare. Shitblerja ka arritur në 48 për qind, kurse
punësimi në 41 për qind.

“Është e lehtë. Mund ta bësh kurdo dhe kudo, meqë pjesa dërmuese e transaksioneve janë pa pagesë”, shpjegon Keren Gotfrid nga Ipsos Global public Affairs, duke folur për mundësitë që ofron një system elektronik banker.

Suedezët më së shumti shfrytëzojnë shërbimet on-line të bankave, të pasuar nga francezët, kanadezët, australianët, etj.

Britanikët dhe gjermanët gjenden në krye të listës për shitblerje në internet, me një shkallë prej 74 për qind, të pasuar nga suedezët, amerikanët dhe koreano-jugorët.

Polakët janë të parët për të kërkuar punë në internet, në një shkallë prej 61 për qind. Pas tyre vijnë hungarezët, afrikano-jugorët dhe meksikanët.

Hulumtuesit në Ipsos thonë se të gjitha këto të dhëna mund të shihen edhe si pasqyra në ç’gjendje janë vendet, ku është zhvilluar anketimi. (a.v.)