Veriu i integruar apo nën 12 44?

Ilustrim

Qasja neglizhente e autoriteteve qeveritare në Prishtinë mund t’i shtojë ambiciet e pjesës veriore për autonomi, tërheqin vërejtjen deputetë opozitarë.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, Komisionari për Zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle, ka ripërsëritur kërkesën e Brukselit, sipas së cilës, Kosova duhet të ketë një agjendë gjithëpërfshirëse për veriun.

Me atë rast, kryeministri Hashim Thaçi pati deklaruar publikisht se është i gatshëm të bisedojë me serbët e asaj pjese, por duke përjashtuar mundësinë që veriu të trajtohet ndaras nga pjesët tjera të vendit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi mendon se deklarata e komisionarit Fyle ishte pozitive për faktin se ai ka sqaruar edhe njëherë se nuk ka agjendë të fshehtë për veriun e Kosovës.

Hajredin Kuçi

“E para, ka qenë mirë që komisionari Fyle e ka treguar se nuk ka plan sekret për veriun, siç është supozuar, dhe besoj se kjo ishte e qartë. E dyta, e ka thënë dhe besoj me të drejtë që është në dorën e Kosovës se si e mendon atë plan. Ne mendojmë që Plani i Ahtisarit, Kushtetuta e Kosovës, bashkëpunimi ynë me qytetarët lokalë serbë atje, është zgjidhja më e mirë për atë pjesë të Kosovës”, deklaron Hajredin Kuçi.

Ndërkohë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se Kosova duhet të ketë strategji, por e cila përfshin investimet ekonomike, një fond zhvillimor për këtë pjesë, dialogun me qytetarët e atjeshëm dhe plan për luftimin e dukurive negative, sidomos në drejtim të luftimit të krimit, korrupsionit dhe kontrabandës.

Ai thotë se strategjia nuk do të duhej të përpilohej për territorin e veriut, por për banorët e atjeshëm. Ndërkaq, qasja aktuale e institucioneve, sipas Ramadanit, mund të prodhojë pasoja negative që rrezikojnë t’i rrisin ambiciet e veriut, të banuar me shumicë serbe, për autonomi.

“Vazhdimësia e kësaj lloj qasjeje neglizhente, mund të sjellë probleme më të mëdha, si ambicie për autonomi apo edhe ndonjë marrëveshje politike që e lë veriun nën Rezolutën 12 44 dhe pjesën tjetër të Kosovës si shtet i pavarur e sovran. Këto rreziqe janë të mundshme dhe adresa e përgjegjësisë për këtë është neglizhenca e institucioneve të Kosovës”, thotë Ramadani.

Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, thotë se është vështirë të parashikohet se çfarë mund të ngjajë në të ardhmen në veri, por ajo që nuk guxon të ndodhë, atje, sipas tij, është pikërisht ikja e veriut nga Plani i Ahtisarit dhe trajtimi i kësaj pjese si territor me ndonjë lloj statusi të veçantë.

“Nuk guxon të ndodhë absolutisht asnjë lëndim i karakterit unitar të Republikës së Kosovës. Kjo nënkupton që territori i Kosovës është unik dhe i pandashëm dhe asnjë lloj aranzhimi tjetërfarë për cilëndo pjesë të Kosovës nuk duhet dhe nuk guxon të lejohet, sepse Kosova edhe ashtu është një vend shumë i vogël dhe nuk e ka luksin e eksperimenteve të çfarëdo lloj natyre”, shprehet Hyseni.

Sidoqoftë, veriu i Kosovës vazhdon të mbetet jashtë kontrollit të autoriteteve të shtetit të Kosovës, përderisa me vite atje po funksionojnë struktura të pushtetit të Serbisë.

Përfaqësues ndërkombëtarë po adresojnë gjithnjë e më tepër nevojën që edhe për veriun të ketë një zgjidhje. Kjo zgjidhje, sipas Prishtinës zyrtare është shtrirja e kushtetutshmërisë së shtetit të Kosovës në atë pjesë, por kjo zgjidhje deri më tash është refuzuar ashpër jo vetëm nga serbët e atjeshëm, por edhe nga Beogradi zyrtar.