Ivanoviq: Pa UNMIK-un, zgjedhjet lokale të pamundshme

Zgjedhjet në Serbi - foto: moja.rs

Beogradi zyrtar paralajmëron heqjen dorë nga organizimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë. Javën vijuese, paralajmërohet mundësia që Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi të marrë vendim për hapat që do të ndiqen në lidhje me zgjedhjet lokale, sidomos lidhur me organizimin e tyre në Kosovë.

Trysnia ndërkombëtare dhe refuzimi i administratës së UNMIK-ut që t’i organizojë këto zgjedhje, duket të kenë qenë vendimtare që Beogradi të mos mbajë këto zgjedhje brenda territorit të Kosovës.

Sekretari në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi ende nuk është marrë, por mund të pritet ditëve në vijim.

“Nëse UNMIK-u nuk i përkrah zgjedhjet lokale, teknikisht mbajtja e tyre do të jetë gati e pamundur”, tha Oliver Ivanoviq.

Megjithatë, me mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale, Qeveria në Beograd nuk ka hequr dorë edhe nga mbështetja e mëtutjeshme për strukturat komunale që ka ngritur nëpër komunat me shumicë serbe në Kosovë, të cilat për institucionet e Kosovës njihen si ilegale.

Ivanoviq tha se organet serbe nëpër komunat e Kosovës do të marrin mandat shtesë duke u bazuar në ligjin serb për vetëqeverisje lokale.

“Në rast nuk mbahen zgjedhjet, sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale të Republikës së Serbisë është e mundur të emërohen këshillat e përkohshëm dhe mendoj se do të gjenden zgjidhje ligjore edhe për ato komuna ku qeverisjes lokale i ka skaduar mandati”, sqaron Ivanoviq.

Ndërkohë, Beogradi po i vazhdon konsultimet me praninë ndërkombëtare në Kosovë për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Mirëpo, Parlamenti i Kosovës, përmes një rezolute, i ka shpallur ilegale dhe të ndaluara zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se këto zgjedhje janë ilegale dhe ata që merren me organizimin e tyre do të ballafaqohen me pasoja ligjore. Ai megjithatë e pranon se në veri të vendit, autoritetet janë më shumë të sfiduara që të veprojnë dhe parandalojnë aktivitetet e tilla, të shpallura ilegale.

“Qeveria e Kosovës i ka shpallur ilegale ato zgjedhje dhe natyrisht që organizatorët e tyre apo testuesit për organizim do të trajtohen për veprimet e tyre ilegale sipas ligjit, kudo që ata takohen, në cilëndo pjesë të territorit të Kosovës. Natyrisht në veri jemi të sfiduar pak më tepër sesa në pjesët tjera, por kur ka mundësi Policia e Kosovës, EULEX-i dhe organet tjera kanë mandatin e plotë për veprim”, deklaroi Kuçi.

Në përpjekje të parandalimit të organizimit të këtyre zgjedhjeve, autoritetet kosovare kanë ndaluar katër persona që po bartnin material zgjedhor, duke u shqiptuar atyre masën e arrestit shtëpiak.

Përderisa autoritetet më të larta ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Serbisë që të heqë dorë nga organizimi i zgjedhjeve lokale, kurse për ato parlamentare Serbia është ftuar që të ndjekë shembullin e mbajtjes së zgjedhjeve mbi parimet evropiane që njohin dyshtetësinë e qytetarëve me të drejtë vote.