Sektori i prodhimit mbetet një nga sektorët më të pazhvilluar në Kosovë, thonë njohës të çështjeve ekonomike.
Ata thonë se ky sektor ka mbetur i pazhvilluar në mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe financiare.
Për të hapur një fabrikë prodhuese, thonë ata, duhet të ketë kapital, gjë që në Kosovë mungon.
Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri konsideron se prodhimtaria në Kosovë është shumë e ulët dhe Kosova mbetet shteti me nivelin më të ulët të prodhimtarisë në rajon.
Ai thekson se Kosova ka potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e sektorit të prodhimtarisë, por që sipas tij, politikat ekonomike në Kosovë nuk janë në favor të këtij sektori.
“Faktor kryesor për moszhvillimin e sektorit të prodhimtarisë, është ajo se që nga paslufta e më tutje popullata është e varfër, qoftë nga aspekti financiar dhe po ashtu parapërgatitor, që të krijojnë ndërmarrje të vogla, të mesme apo të mëdha. Po ashtu, nuk kanë qenë kushtet e mira për të investuar në këtë sektor, pasi që këto kushte nuk janë bërë nga shteti i Kosovës”, thekson Tahiri.
Në bazë të të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, sektori i prodhimit në Kosovë shfrytëzon 63.9 për qind të kapaciteteve prodhuese, ndërsa 36.1 janë kapacitete të pashfrytëzuara.
Sipas këtyre të dhënave të BQK-së në nivel të industrive, industria e plastikës dhe gomës ka nivelin më të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve, e cila arrin në 83.0 për qind të kapaciteteve prodhuese.
Më pas, kjo industri pasohet nga industria e përpunimit të ushqimit që përdorë 76.5 për qind të kapaciteteve të saj prodhuese.
Sipas raportit të BQK-së, prodhimi i industrisë ushqimore përbën gjithashtu një industri në rritje.
Industria me normën më të ulët të shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese është ajo e mineraleve dhe produkteve jometalike.
Eksperti i ekonomisë Milazim Abazi, thekson se Kosova ka një prodhimtari të nivelit shumë të ulët dhe të pazhvilluar.
Ai thotë se Kosova ka trashëguar fabrika prodhuese jo funksionale e të cilat nuk kanë arritur të hyjnë në funksion.
“Për t’u marrë me prodhim të duhet më shumë dije, duhet më shumë kapital sesa të merresh me tregti. Me tregti, me pak para, me pak përvojë mund të fillosh një biznes të vogël, ndërsa në prodhim, përveç dijes duhet edhe kapital, gjë që në Kosovë mungon. Po ashtu, edhe çmimi i kapitali për një proces të prodhimit mbetet i lartë”, shprehet Abazi.
Abazi thekson se ekzistojnë hapësira të shumta që të zhvillohet sektori i prodhimtarisë.
Ai thotë se ka mjaft fusha ku mund të orientohen investimet në prodhimin vendor, në veçanti në bujqësi.
“Për të zhvilluar bujqësinë, shteti duhet të ketë subvencione. Pastaj, për të pasur një prodhim vendor të mirëfilltë, duhet të ulen kamatat në treg, sidomos për sektorin e prodhimit. Por, duke pasur parasysh që kemi vetëm banka private të cilat e shikojnë vetëm interesin e vet, atëherë shteti duhet të ndërhyjë në subvencionimin e kamatave në procesin e prodhimit”, thekson ai.
Ndërkohë, edhe profesori i ekonomisë Isa Tahiri thotë se për të përmirësuar këtë gjendje, qeveria duhet të marrë masa konkrete për zhvillimin e këtij sektori.
“Duhet të bëjë lehtësira të mëdha për të investuar. Duhet të falë tokë, dhe jo të shesë toka. Nëse dikush dëshiron të ndërtojë fabrikë, të ketë truallin e gatshëm dhe vetëm të investojë, të heq tatimet për 3 vjet, të mos qesë kushte për të marrë vërtetim, por vetëm ta kushtëzojë sa njerëz do t’i punësojë”, thekson Tahiri.
Ndryshe, sektori i prodhimtarisë është cilësuar si njëri nga sektorët që do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës.