Përmbyllet pjesa legjislative për fundin e mbikëqyrjes

Kosova

Qeveria e Kosovës miratoi propozimin për ndryshimin e kushtetutës së Kosovës me 22 amandamente duke përfunduar, siç thuhet, punën legjislative për t’i dhënë fund pavarësisë së mbikëqyrur dhe për t’i bartur përgjegjësitë e caktuara nga autoritetet ndërkombëtare tek ato vendore.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, bëri të ditur se me amendamentet në fjalë parashihet ndryshimi i përgjegjësive të përfaqësuesit civil ndërkombëtar dhe përfaqësuesve të tjerë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, ndërsa theksoi se ndryshimet do të kenë për qëllim edhe krijimin e “masave të ruajtjes së të drejtave të komuniteteve”.

Kuçi theksoi përkushtimin e ekzekutivit të vendit që ndryshimet e nevojshme legjislative të ndodhin para muajit gusht e më së largu deri në shtator.

Këto amendamente janë të përcaktuara qartë në kushtetutën e Kosovës dhe mundësojnë që tani të procedohen në Kuvendin e Kosovës dhe sipas procedurave të tjera për ndryshim të plotë të kushtetutës së Republikës. Besojmë se e gjithë kjo do të kryhet para shtatorit të këtij viti-respektivisht qeveria do të punojë që kjo të kryhet para pushimit të verës”, u shpreh ai për të shtuar se, në rast të nevojës, Gjykata Kushtetuese do ta japë vlerësimin e saj nëse ndryshimet janë në përputhje me planin Ahtisaari apo jo.

Neni 143 i kushtetutës së Kosovës parasheh që “Kushtetuta, ligjet dhe aktet tjera ligjore të Republikës së Kosovës interpretohen në pajtueshmëri me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të datës 26 mars 2007.

Në rast se ka papajtueshmëri midis dispozitave të kësaj Kushtetute, ligjeve dhe akteve të tjera ligjore të Republikës së Kosovës dhe dispozitave të marrëveshjes, kjo e fundit do të mbizotërojë”.

Me përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur do të zhbëhej mbizotërimi i propozimit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës ndaj kushtetutës së vendit.

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë, si mekanizëm mbikëqyrës i zbatimin e dokumentit në fjalë, njoftoi se është konsultuar nga ekzekutivi vendor për ndryshimet e bëra deri tash dhe për ato që planifikohet të bëhen.

Zëdhënësi i ICO-së, Kristian Palme, foli për nevojën e miratimit të disa ligjeve që vlerësohen të jenë të rëndësishme si ligji për Radio Televizionin Publik të Kosovës dhe ai për Hoqën e Madhe të Prizrenit.

Palme tha se pa i përfshirë të gjitha parimet kryesore të planit Ahtisaari në kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës, nuk mund të përmbyllet pavarësia e mbikëqyrur për vendin.

Pavarësia e mbikëqyrur do të përfundojë vetëm kur pjesët kryesore të propozimit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës të jenë përfshirë në kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës”, i tha Palme Radios Evropa e Lirë.

Jashtë zbatimit të planit Ahtisaari, megjithatë, mbeten çështjet që ndërlidhen me veriun e Kosovës.

Plani në fjalë parashihte krijimin e komunës së Mitrovicës Veriore për ta integruar atë pjesë në jetën shoqërore e institucionale të vendit, mirëpo, qysh kohë më parë, është sinjalizuar mundësia për largimin e ICO-së nga Kosova pa e përmbushur këtë obligim të planit Ahtisaari.