Pro dhe kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri

Siri...

Me mbi 8,000 të vrarë në Siri, si rezultat i shtypjes që po i bën qeveria kryengritjes popullore, ithtarët e ndërhyrjes ushtarake pyeten se edhe sa kohë do të rrijë bota mënjanë.

“Ajo për çfarë unë bëj thirrje është koalicioni, jo Shtetet e Bashkuara të vetme, por një koalicion, përfshirë disa vende të Lindjes së Mesme, si Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe të tjerët. Fushata ajrore është e vetmja mënyrë për t’i ndaluar këto tanke dhe artileri. Masakra po vazhdon dhe është një luftë jo e drejtë”.

Kështu thotë senatori amerikan, Xhon Mekejn, njëri nga zërat kryesorë që favorizon ndërhyrjen ushtarake.

Këshilli Sirian Kombëtar, organizata e opozitës siriane, u ka bërë thirrje vendeve të armatosin kundërshtarët e regjimit. Asnjëra nga qeveritë nuk është pajtuar publikisht për të bërë një gjë të tillë, ndonëse Arabia Saudite dhe Katari e kanë quajtur një ide të shkëlqyer.

Në zemër të argumentit “pro” është ideja e një urdhri moral për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Kris Bellami, profesor në Institutin “Greenwich Maritime” të Anglisë, thotë se ideja se shqetësimet humanitare shkelin sovranitetin, është ngritur qysh në vitet 1990, kur Kombet e Bashkuara kanë intervenuar në Bosnjë.

“Në vitet e fundit, ka pasur një numër intervenimesh nga koalicionet, që nuk janë drejtuar nga Kombet e Bashkuara ose që nuk kanë qenë të mandatuara me rezolutë të OKB-së”, thotë ai.

Por, ata që bëjnë thirrje për ndërhyrje ushtarake në Siri, mund të përballen me një betejë të vështirë.

Në Shtetet e Bashkuara – vendi që nxiti NATO-n të ndërmerrte aksione në Bosnjë dhe Kosovë – publiku është lodhur nga konfliktet, pas Irakut dhe Afganistanit.

Në Evropë, Londra vetëm se ka quajtur opozitën siriane “përfaqësuese të ligjshme” të popullit sirian, ndërsa Franca, e cila ka udhëhequr ndërhyrjen në Libi, ka kundërshtuar armatosjen e kundërshtarëve.

Megjithatë, argumenti “pro” mund të fitojë në terren në muajt e ardhshëm.

Nëse gjakderdhja në Siri vazhdon të rritet, ajo mund të krijojë të njëjtin lloj efekti që çoi NATO-n, që fillimisht kundërshtonte ndërhyrjen, të ndryshojë kursin dhe të mbrojë civilët nga bombat e forcave të Gadafit, nën mandatin e OKB-së.

Por, ata që argumentojnë kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri, brengosen se një gjë e tillë mund të ketë pasoja të paparashikueshme.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, më 16 mars, ka dhënë këtë deklaratë për Televizionin Alhurra:

“Njerëzit që kërkojnë veprim ushtarak duhet të dinë se përpara se të ndërmarrësh një hap të tillë, ku do të të çojë ai”.

Ashtu si edhe në Libi, ekziston frika se armatosja e luftëtarëve të panjohur mund të çojë në luftë civile.

Por, ekziston edhe frika më e madhe se ndërhyrja ushtarake e Perëndimit mund të kërcënojë aleatët e presidentit Bashar al-Asad – Iranin, Rusinë dhe Kinën – dhe të çojë në të tjera konflikte.

Shahshank Joshi, ekspert për rajonin pranë Institutit Mbretëror të Londrës, thotë se Rusia, e cila e konsideron Sirinë pikëmbështetje të saj në Lindjen e Mesme, paraqet një rrezik të veçantë.

“Shqetësimi është se në fund të ditës, rusët mund të sigurojnë pajisje shumë të sofistikuara, që çdo intervenim ushtarak do ta bënin me një kosto të madhe”, thotë ai.

Kërkesat për ndryshim të regjimit, Moska i ka quajtur “receta të rrezikshme që mund të rezultojnë në konflikte të mëtejshme”. Kina ka thënë se është kundër “ndërhyrjes në punët e brendshme, në emër të humanizmit”.

Asnjëra nga qeveritë nuk ka bërë ende thirrje për intervenim në Siri. Në vend të kësaj, fokusi mbetet në sanksione dhe presion diplomatik.(v.t.)