Të pakënaqur me përgjigjen e UNMIK-ut

Ilustrim, foto nga arkivi

Përfaqësues të Qeverisë së Serbisë nuk janë të kënaqur me përgjigjen e UNMIK-ut se nuk mund të organizojë zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë.

Sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë, se nuk është kjo përgjigja që është kërkuar.

“Ne kemi kërkuar nga UNMIK-u që të na ndihmojë në aspektin politik, dhe jo në atë teknik, sepse ne deri tash i kemi organizuar zgjedhjet pa mbështetjen praktike të UNMIK-ut, por situata është specifike dhe neve na duhet që ata në rrafshin politik të na mundësojnë këtë”, tha Ivanoviq.

UNMIK-u një ditë më parë i është përgjigjur letrës së ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, që ka kërkuar nga UNMIK-u zyrtarisht t’i organizojë zgjedhjet serbe në Kosovë.

Shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif ka thënë se “për shkak të rrethanave në terren, UNMIK-u nuk mund të organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë”.

Serbia ka shpallur zgjedhjet lokale dhe parlamentare më 6 maj. Autoritetet e atjshme kanë paraparë mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në disa komuna të Kosovës, duke nxitur kështu reagimin e autoriteteve kosovare, por edhe ndërkombëtare.

Disa përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, madje kanë thënë se nëse është e nevojshme “duhet përdorur edhe forca për të ndaluar mbajtjen e tyre”.

Analisti për çështje politike, Arben Qirezi, thotë se mundësitë e qeverisë së Kosovës për të ndërhyrë janë të kufizuara, andaj sipas tij, duhet bashkësia ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkretë.

Ai kritikon idenë e disa qarqeve ndërkombëtare që kanë dhënë sinjale se zgjedhjet parlamentare serbe mund të lejohen në Kosovë, por jo edhe ato lokale.

“Mendoj se ky dallim nuk është i drejtë, statusi i zgjedhjeve të Serbisë si atyre lokale ashtu edhe parlamentare është i njëjtë. Mbajtja e tyre është e palejueshme. Një shtet mund të mbajë zgjedhje në shtetin tjetër për qytetarët që gjenden përkohësisht nëpër përfaqësitë dipolmaitke".

"Por, të hapen qendra votimi, dhe të organizohen zgjedhje në territorin tjetër është e palejueshme”,
i tha Radios Evropa e Lirë, Arben Qirezi.

Por, kundërshtitë e bashkësisë ndërkombëtare për zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, duket se kanë lëkundur qëndrimin e Beogradit zyrtar ndaj kësaj çështjeje.

Oliver Ivanoviq mendon se nëse nuk merret bekimi i UNMIK-ut atëherë nuk duhet këmbëngulur në mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

“Po qe se insistojmë që edhe pa UNMIK-un të mbajmë zgjedhjet, frikësohem se kjo do të kuptohet nga Prishtina si një thirrje e hapur që t’i ndalojë, apo eventualisht t’i arrestojë njerëzit që organizojnë zgjedhjet dhe të konfiskojnë materialin zgjedhor".

"Meqë zgjedhjet mbahen në të njëtën ditë, kur të merret material kam frikë se do të na pengojnë të mbajjmë zgjedhjet, të cilat deri tash Serbia I ka organziuar 4-5 herë pa problem në Kosovë”
, thotë Ivanoviq.

Por, si do të shfajësohej qeveria serbe para qytetarëve serbë, nëse heqë dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe?

Një përgjigje për këtë ia ka dhënë shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Jelena Miliq, nga Qendra për Studime Euro-Atlantike.

“Supozoj se do të shkojnë me dy argumente. E para është se politikanët do të transmetojnë deklaratën e UNMIK-ut se zgjedhjet nuk janë në përputhje me rezolutën 12 44, e cila garanton disa interesa tjera jetësore të Serbisë. Ndërsa argumenti tjetër do të jetë se teknikisht nuk ka mundësi që të organizohen zgjedhjet në jug të lumit Ibër dhe se kjo mund të shkaktojë tensione".

"Po ashtu mund te thuhet se organizimi i zgjedhjeve vetëm në veri, mund të paraqesë diskriminim mes serbëve në veri dhe atyre në jug. Kjo do të jetë një nga format e argumentimit”,
thotë Miliq, duke shtuar se në fakt, në opionin publik të Serbisë fare nuk do të flitet për këtë çështje.

Ajo thotë se edhe në fushatën aktuale, Kosova nuk është duke u përmendur fare.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës nuk është shumë e qartë nëse do të lejojë apo jo mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, edhe pse tashmë është obliguar që të mos lejojë ato përmes një rezolutë të Kuvendit të Kosovës.

Arben Qirezi, thotë se Prishtina duhet të jetë më e zëshme.

“Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të jetë me proaktive dhe të thotë në mënyrë të qartë se nuk do t'i tolerojë as zgedhjet lokale as parlamentare. Mendoj se arsyeja se pse BE e mban qëndrimin e tillë (për dallimin mes zgjedhjeve lokale dhe parlamentare) nuk është për interes të Kosovës, por për shkak të imperativit për të zbatuar Pakon e Ahtisarit, për pjesën e decentralizimit, që po pengohet nga strukturat paralele serbe".

"Por, unë mendoj se efektin pengues për zbatimin e pakos së Ahtisarit e kanë edhe zgjedhjet parlamentare,”
tha Qirezi, duke potencuar se sturkturat paralele janë të dirigjuara në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Beogradi.