Efektet e dialogut “teknik”

Kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri (Foto arkiv)

Pas deklaratave që duket e kanë lënë të hapur mënyrën e zbatimit të marrëveshjes për bashkëpunim rajonal, duke e lënë këtë çështje në duart e organizatorëve të nismave rajonale e ndërkombëtare, në Prishtinë theksohet nevoja për “lexim dhe interpretim të drejtë” të kësaj marrëveshjeje. Shefja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, akuzoi palën serbe për interpretim të pasaktë të marrëveshjes për bashkëpunim rajonal.
Ne jemi duke e interpretuar saktë marrëveshjen, prandaj edhe po marrim pjesë në takimet rajonale.

“Ne jemi duke e interpretuar saktë marrëveshjen, prandaj edhe po marrim pjesë në takimet rajonale. Kemi edhe raste kur Serbia nuk e interpreton drejt dhe i braktis këto takime - ky është problem i Serbisë”, tha Tahiri pas një takimi që zhvilloi me zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e integrimeve të Maqedonisë, Teuta Arifaj.

Kjo e fundit theksoi rëndësinë që, përmes dialogut, vendet e Ballkanit Perëndimor të fuqizojnë bashkëpunimin me qëllim integrimin evropian.

Duke folur për problemin emrit që Shkupi zyrtar ka me Greqinë, Arifaj tha se pjesëmarrja e Maqedonisë në nismat rajonale përmes një reference ka ngadalësuar procesin integrues të këtij shteti. Megjithatë, ajo theksoi rëndësinë që të synohet integrimi evropian, e jo të shikohet mënyra se si përfaqësohet një shtet.

“Mendoj që rezultatet, të arriturat dhe të mirat që i kanë qytetarët nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare janë shumë më të mëdha se sa mënyra se si mund të duken në vizatim e në letër”, u shpreh Arifaj, e cila në takimin paraprak me homologen e saj kosovare, Vlora Çitaku, bisedoi për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve.

Marrëveshja për bashkëpunim rajonal e arritur në muajin shkurt ndërmjet palës serbe e asaj kosovare kishte shkaktuar një valë kritikash në opinionin publik kosovar, meqë, sipas saj, parashihet pjesëmarrja e vendit në nisma rajonale përmes një fusnote ku përmendet Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

E pyetur për kritikat drejtuar punës së saj dhe kërkesat e fundit për dorëheqje, Tahiri u shpreh:

“Që nga fillimi, dialogu teknik ka qenë një obligim ndërkombëtar, një obligim kushtetues. Pse po e them kushtetues - sepse Kushtetuta e Republikës së Kosovës thekson qartë se Kosova ka një përcaktim euro-atlantik dhe ne, si Qeveri e Republikës së Kosovës, e kemi për obligim të përparojmë drejt vizionit euro-atlantik”, theksoi zëvendëskryeministrja Tahiri.
Nëse flasim për efektet-efektet janë të ndryshme: efekte politike, ekonomike, sociale madje edhe kulturore.

Ajo insistoi në natyrën teknike të dialogut, por tha se efektet e procesit në fjalë mund të jenë të ndryshme.

“Nëse flasim për efektet-efektet janë të ndryshme: efekte politike, ekonomike, sociale madje edhe kulturore”, vlerësoi Tahiri.

Ndërkohë, ka mbetur ende e paqartë se kur do të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili në raundet e ardhshme në qendër të diskutimeve pritet ta ketë çështjen e energjisë dhe atë për telekomunikacion.

Vetë Tahiri refuzoi ta komentojë këtë çështje duke mos iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për kohën e vazhdimit të dialogut.