Më qëllim të fuqizimit të rolit të grave në politike, në kuadër të partive përkatëse, gratë kanë themeluar edhe forumet e tyre.
Përderisa udhëheqëse të këtyre forumeve, organizimet e tilla i konsiderojnë si mjet thelbësor për t’i kushtuar vëmendje çështjeve gjinore, përfaqësuese të organizatave joqeveritare, vlerësojnë se më këto iniciativa, gratë po vetëdiskriminohen, duke vënë kufij gjinorë brenda partive politike.
Selvije Halimi, anëtare e kryesisë së forumit të gruas në Partinë Demokratike të Kosovës, thekson se me themelimin e kësaj partie në vitin 1999, ka qenë i domosdoshëm edhe organizimi i gruas brenda strukturës së partisë.
Por, tash, trembëdhjetë vjet më vonë, zonja Halimi e quan të panevojshëm ekzistimin e forumit të grave.
Ajo, ndërkaq, shton se kanë filluar procedurat për ndryshimin e organizimit, dhe sipas saj, struktura e gruas do të kyçet brenda të gjitha organeve të partisë nga niveli më i ulët, e deri tek ai më i lartë
“Për momentin, kur është formuar organizimi i gruas, nuk kemi menduar që kemi vënë kufij gjinorë, por kemi pasur qëllim të veçantë. Kurse, tashmë, po që se vazhdojmë të jemi të veçanta, besoj se do të vijë deri te vendosja e atij kufiri gjinor, në mes strukturës së gruas dhe strukturës së partisë.”
“Sidoqoftë, kemi parë rezultate të dukshme, sa i përket kësaj çështjeje, dhe tashmë kemi mbërritur në atë shkallë, që nuk ka nevojë që të kemi struktura të veçanta të gruas”, thekson Halimi.
Koha në të cilën ka lindur Forumi i Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës, para 22 vitesh, ka qenë i nevojshëm, dhe ka arsyetuar ekzistimin e tij, thotë edhe Lirije Kajtazi, kryetare e këtij forumi.
Por, në këtë kohë, nevojitet që femra të jetë e pranishme në strukturën e partisë, pasi nuk ka nevojë, siç thotë ajo, për dhoma të posaçme të cilat merren më aspektet gjinore.
“Derisa vetëdijesohen ata (meshkujt), të cilët grabisin më shumë poste, janë forumet ato që nuk i lënë rehat, ose nuk lejojnë të bien në gjumë. Pra, derisa të korrigjohen, është e nevojshme, përndryshe do të mjaftonte që gratë të jenë të përfshira drejtpërdrejt në terrin politik. Aty ndahen dhe përfundojnë punët, dhe mund të ecet më mirë”, thekson Kajtazi.
Në anën tjetër, kryetarja e Forumit të Gruas në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj - Bujupi, konsideron se çështja e barazisë gjinore në Kosovë, vazhdon të mbetet sfidë për autoritete kompetente.
Dhe për këtë arsye, sipas saj, funksionimi i organizatave të grave brenda partive përkatëse janë të domosdoshme.
Por, megjithatë, ajo thekson se nevojitet edhe një demokratizim brenda subjekteve të caktuara politike.
“Të gjitha ato dilema se cili është roli i grave në partitë politike, pse ato, me gjithë përpjekjet e tyre, vazhdojnë të jenë të kufizuara, apo ka edhe më tutje stereotipe, lidhet me mungesën e demokracisë në partitë politike”, thekson Kadaj-Bujupi.
Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje, ekziston sekretariati i gruas aktiviste, i cili ka për detyrë monitorimin e aspektit gjinor brenda këtij subjekti, thotë Nazlie Balaj, drejtuese e sekretariatit të gruas.
“Me vetë organizimin e gruas aktiviste brenda Lëvizjes Vetëvendosje, ne do të mundohemi që të reflektojmë politika të drejta. Ne rend të parë politikat e pjesëmarrjes se gruas në aspektin e vendimmarrjes. Por, nëse nuk e kemi gruan në vendimmarrje aty ku duhet, kot mund të flasim në drejtime tjera”, shprehet Balaj.
Sidoqoftë, përfaqësuese të shoqërisë civile, që merren më mbrojtjen e të drejtave të grave, vlerësojnë se gratë në politikë duhet të sillen si politikane, pavarësisht gjinisë dhe ndarjeve në grupime.
Hamide Latife, thotë se gratë në partitë politike, me pranimin e këtyre formave të organizimit, e kanë humbur zotësinë e tyre.
“Për mua, forumi i gruas, çfarëdo grupimi qoftë ai, nuk është i domosdoshëm. Unë mendoj se më të arsyeshme dhe më të nevojshme janë grupimet profesionale, ta zëmë ekonomi, shëndetësi etj., që të mblidhen ekspertë, pavarësisht nga gjinia”, thotë Latifi.
Ndryshe, edhe në Kuvendin e Kosovës, ekziston grupi i grave deputete të Kosovës.